“Statusi varet nga zgjedhjet”

30/05/2013 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka përshëndetur votimin e 3 ligjeve, të cilat janë një kusht i BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Por, Meta theksoi se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë mundësia më e mirë, për t’i treguar botës se demokracia në Shqipëri funksionon.

“Pa asnjë diskutim, që Shqipëria është shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat, pas miratimit të tre ligjeve sot, sepse tre ligjet kanë qenë një minimum i domosdoshëm për të dhe ky minimum tashmë është realizuar. Së dyti, mbetet mbarëvajtja e procesit zgjedhor të 23 qershorit, si një test kyç për demokracinë dhe për funksionimin e institucioneve në vend. I ftoj të gjithë, të tregojnë përgjegjshmëri maksimale, për të arritur standardet më të larta në zgjedhjet e 23 qershorit dhe jam optimist se Shqipëria, brenda muajit dhjetor, do ta marrë statusin e vendit kandidat”, tha Meta.

Pas takimit me një grup biznesmenësh, Meta shprehu angazhimin e LSI-së për përmirësimin e kuadrit ligjor, për të konsoliduar një partneritet të ri mes shtetit dhe sipërmarrjes.

“Lëvizja Socialiste për Integrim është pro një amnistie fiskale për biznesin, por natyrisht që kjo duhet të realizohet pas konsultimeve të gjera, me të gjithë grupet e interesit, në mënyrë që të mos bëhen ligje thjesht për qëllime elektorale, të nxituara, por të hidhet një hap i menduar mirë dhe që të sjellë një çlirim të gjithë potencialeve të biznesit, për të ardhmen e tij”, tha Meta.

Top Channel