“Top-Story”: Koalicioni i djathtë

29/05/2013 00:00

“Top Story”, në ditën e dytë të maratonës së tij elektorale të udhëhequr nga gazetari Sokol Balla, në studiot e reja të “Top-Channel” në periferinë e Tiranës, vendosi në qendër të vëmendjes  partitë e ashtuquajtura të vogla.

Kur ndodhën ndryshimet kushtetuese të 2008-s, disa lidera politikë u futën në grevë urie dhe duket se kishin të drejtë, pasi ky sistem zgjedhor duket se dëmton rëndë shanset e tyre për të fituar mandate si të vetme, duke i detyruar që të bashkohen në aleancat e mëdha.

Kryeministri Berisha, duke njohur vështirësinë që i jep ky sistem partive të vogla për të fituar një mandat, bëri një “mea-culpa”, duke përfshirë në listën e koalicionit të tij një numër të madh kryetarësh të këtyre forcave të ashtuquajtura të vogla.

Por, ajo që bie në sy është fakti që në koalicionin e mazhorancës, mes mozaikut të partive, ndodhen edhe disa forca që kanë pasur një histori kontradiktore me PD, e të tjera në të shkuarën janë rreshtuar kundër kësaj partie.

Për të debatuar për këtë, për tërësinë e koalicionit të djathtë, marrëdhëniet me aleatët dhe peshën që do të kenë partitë e vogla në këtë koalicion, Sokol Balla grumbulloi në studion e tij tre lidera partish, Dashamir Shehin, kryetarin e LZHK-së, Arian Madhin, nënkryetarin e Partisë Republikane dhe Nard Ndokën, kryetarin e Partisë Demokristiane.

Përballë tyre u vendosën tre ekspertë të mirënjohur, Lorenc Vangjeli, Afrim Krasniqi dhe Andrea Stefani.

Arsyet e rreshtimit të LZHK-së në koalicionin e djathtë. Shehi: “Përse nuk pranova të bashkohem në një koalicion me FRD-në apo me të majtën”

Natyrshëm, biseda me liderat politikë në studio nisi me pyetjen kryesore: “Përse zgjodhën të renditeshin së bashku me forcat e tyre në koalicionin e djathtë”. i pari që i dha përgjigje kësaj pyetje, zoti Shehi u përgjigj: “Është një ligj zgjedhor që mirë apo keq na detyron të marrim një lloj llogore. Unë do të kisha preferuar një ligj tjetër, që do të na jepte shanse gjithsesi, por që të jemi realist, unë kam 16 vite që dal më vete, por ky ligj i fundit, penalizon tërësisht partitë e vogla. Unë mendoj se ky është një ligj i keq për shumë arsye, por nuk mund të ndryshohet tani dhe tashmë do të hyjmë në garë në këtë mënyrë. Unë oferta pata edhe nga e majta dhe për këtë jam mirënjohës, por këto janë bindjet e mia, janë të djathta, kjo është rruga ime dhe prandaj zgjodha të bashkohem me këtë koalicion, duke qenë i vetëdijshëm që shanset për të humbur janë reale, ndryshe nga disa të tjerë që bashkohen vetëm me atë që duket se ka më shumë shanse për të fituar”.


Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-se, nje prej te ftuarve ne serine e
“Top-Story”, dedikuar partive te vogla pjesemarrese te koalicionit te
djathte

Në komentin e analistëve, ndërs Lorenc Vangjeli përgëzoi Shehin për “integritetin moral të treguar”, Krasniqi pa një shans të humbur, tek bashkimi i LZHK-së me koalicionin për “Mirëqënie, Punësim dhe Integrim”. “Ka rreth 15-20% të njerëzve që duan ndryshimin e plotë të kësaj shtrese politike, duan një pol të ri, një koalicion të gjerë të forcave të reja politike e mendoj se ky mund të ishte shërbimi më i madh për Shqipërinë. Të pretendojmë sot pas 20 vitesh, që ai që ka drejtuar keq për 20 vjet ka ndryshuar mendje, kjo sikur nuk shkon”, tha Krasniqi.

Një oponencë më të fortë ndaj zgjedhjeve të LZHK-së, paraqiti në komentin e tij zoti Stefani. “Kalimi i LZHK-së djathtas ka kontradiktat e veta, e duhet të ndajmë dy gjëra, bindjet personale të zotit Shehi e moralin politik. Shehi ka qenë ndër kritikët e fortë të Berishës, duke filluar nga viti 1997. Mos gaboj ka qenë një ndër nënshkruesit e promemorjes që kritikonte PD për keqmanaxhim të krizës dhe mosrespektim të disa kërkesave që ata bënë atëherë dhe që sipas tyre, do të kishte çuar në shmangien e gjakderdhjes të vitit 1997. E kritikat shkuan deri në 21 janar, kur e quajtët aktin e Berishës, që nuk zbatoi urdhërat e prokurores për arrestimin e gardistëve, si puç. Thënë këto, kur dikush prej dekadash kërkon një rotacion politik dhe bashkohet në fund për ta ruajtur atë “status-quo”, mendoj se ka një problem në moralin politik. Personalisht, besoj se bashkimi me koalicionin e djathtë nuk ishte i vetmi opsion”, argumentoi Stefani.

Megjithatë, kjo oponencë e vendosur, gjeti një përgjigje po aq të vendosur nga kryetari i LZHK-së, në “Top-Story”. “Unë si heq asnjë presje këtyre që kam bërë në tërë këto vite politike. Ai dokument që ju kujtoni tani, ajo promemorie në vitin 1997, është dokumenti më i rëndësishëm politik që unë kam firmosur ndonjëherë, por ju po e kujtoni tani me një keqdashje. Unë jam një njeri që kam 17 vjet që nuk firmos një letër të këtij pushteti dhe jam dikushi këtu sepse kam një staturë morale, ndër ti vjen më thua që s’kam moral. Me cilin mund ta bëja aleancën? Me FRD? Pse nuk shkova, ta shpjegoj unë! Çfarë është FRD? Topi është një shërbëtor shumë më i madh i Berishës se unë, deri aq sa e bëri president e mua s’më bëri as kryetar bashkie. Ai i vinte për fije Berishës, e ky i fundit bëri diçka duke shkelur edhe rregullat e moralit e legjislacionit politik, duke marrë deputet majtas për të bërë Topin president, e ti ma propozon si një mundësi reale”, tha zoti Shehi.

Pozicioni i Partisë Republikane, mes prurjeve të reja në koalicionin e djathtë

Partia Republikane, një aleat gjithmonë besnik dhe tradicional i Partisë Demokratike, duke nisur nga zgjedhjet e para në vitin 1991, e sheh veten në një koalicion të djathtë, ku shumë parti të tjera janë përfshirë, pa realizuar meritat e saj. Si e sheh Partia Republikane veten në këtë koalicion?  Kjo ishte pyetja e parë të cilës i dha përgjigje Arjan Madhi, nënkryetari i kësaj force. “Nëse kërkoni komentin tim, se si e vlerëson PR ardhjen e aleatëve politikë të kohëve të fundit në koalicion, PR i mbetet parimeve që përsa kohe ka një mision, kushdo mund të korrektojë sjelljet, ndaj askush nuk ka të drejtën morale e politike për të kritikuar një politikan apo forcë për qëndrimin e mbajtur. Unë e shoh këtë debat në prizmin e dy pyetjeve të mëdha. A kemi një aleancë të mirëfilltë politike apo a jemi përpara një koalicioni të vërtetë? Nëse është e para, mund të shtrohet debati i këtyre marrëdhënieve, por koalicioni është një kalkulim, taktikë elektorale për të arritur një rezultat sa më të mirë”, komentoi Madhi.

“Në vitin 2009, kur ende nuk ishin shfaqur pasojat e kodit zgjedhor, u krijuan nja katër grupime politike, me 35 parti, ndërsa sot hyjmë me 70 parti dhe me një orientim që të çon qartë drejt dy koalicioneve të mëdha”, vazhdoi shpjegimin e tij nenkryetari i Partise Republikane. “Kjo do të thotë se me këtë kod, mënyra e përfaqësimit të çdo force shihet si një mundësi e vetme nëpërmjet një aleance me një prej partive të mëdha e kjo ka dekurajuar formimin e poleve të treta. Përfaqësimi është edhe objektivi kryesor i një force politike”.

Largimi i PDK-së nga PS, Ndoka: “Faji i koalicionit me LSI”-në

Partia Demokristiane njoftoi largimin nga koalicioni opozitar dhe rikthimin në aleancë me mazhorancën pak muaj para zgjedhje. Por pse erdhi kjo zgjedhje e PDK-së, në një kohë kur, të paktën nga sondazhet, mazhoranca aktuale nuk shihet si favorite për të fituar më 23 qershor? I ftuar në panelin e “Top Story, Shqipëria Zgjedh”, kreu i PDK-së, Nard Ndoka tha: “Viti 2008 ishte viti më i mbrapshtë për demokracinë shqiptare ku u shemb garancia që kishte Kushtetuta, me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ku opozita me ndryshimet e propozuara bëri presidentin palë me një mazhorancë. Kjo ishte nisma e opozitës, në një kohë  kur opozita duhet të jetë mbrojtësja e institucioneve. PDK ka të drejtën morale që kundërshtoi. Kam votuar kundër ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, kam qenë edhe në grevë urie”, tha Ndoka.

“Në 2009 PDK së bashku me LZHK ndërtoi një koalicion jashtë PD, Polin e Lirisë. Ishte një alternativë brenda së djathtës. Por opozita me në krye Ramën dhe PS u bë pjesë e një procesi zgjedhor mjaft të dënueshëm, PS vodhi votat e aleatëve të vet dhe PD votat tona. Kjo krijoi destabilitet dhe ktheu Kuvendin në dy batalione ushtarake që solli përplasje ekstreme. Në këto kushte PDK mbeti në opozitë dhe si parti opozitare ishte normale që të bëhej pjesë e opozitës. Jam takuar me Ramën me prezencën e zotit Gjinushi. Kërkesa jonë ishte ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Rama u zotua se do të ndryshojë sistemin zgjedhor. Ka patur një angazhim politik dhe publik të PDK-së për këto ndryshime. Për fatin e keq lidershipi i PS, i coroditur nga shumë zhvillime brenda, ku një grup deputetësh kërkonin të largonin Ramën nuk i bëri ndryshimet. Ne nuk u bëmë palë me zhvillimet brenda PS, madje i bëmë një mbështetje morale, të paktën nga partitë aleate. I dhamë moralin e munguar zotit Rama që ky do të dilte përtej interesave të tij personale dhe të partisë”, shtoi kreu i PDK-së.

“Unë e njoha nga afër Ramën që kishte marrë një angazhim konkret ndaj nesh për të ndryshuar Kodin dhe Kushtetutën. Kthesa e Ramës ndodhi në momentin kur vendosi lidhje të fshehta me LSI dhe kjo ishte pjesa kur humbi morali i Ramës dhe PS-së. Afrimi i LSI-së me PS i hoqi moralin opozitës. Nuk kishte nevojë PS të ndërtonte një koalicion me LSI. Kishte parti të tjera, si Topin, AK. Sot ai ka lënë jashtë parlamentit Gjinushin dhe Milon. Ai sulmon AK si sorrë, shpalli armik të popullit Bamir Topit. Berisha nuk është politikan pa mëkate, por në raport me Ramën, Berisha respekton pluralizmin e së djathtës. Unë sot personalisht nuk jam lidhur me Berishën për të qenë në opozitë, por besoj se me këtë opozitë që kemi përballë, ajo nuk ka shanse të fitojë më 23 qershor”, u shpreh Ndoka.


Arsyetimin e Ndokës për kalimin e PDK-së në koalicionin e djathtë, e kritikoi ashpër zoti Vangjeli, i cili pa në fjalën e Ndokës një qëndrim me dy standarte. “Në vitin 2009, ju thatë dhe ishit të parët e ndër të vetmit që denoncuat vjedhjen e votave në Shkodër e Tiranë, nëpërmjet kamerave që kishit vendosur. Atë vit ju thatë që emri i hajdutit ishte i qartë, Sali Berisha, e ju ishit i pari që kërkonit hapjen e kutive. Tashmë ju bashkoheni me atë që e denoncuat si vjedhës të zgjedhjeve. “Ju thoni që 21 janari u bë si protestë ndaj Ilir Metës dhe tani që PS e LSI u bashkuan nuk ka më moral politik, por 21 janari u bë si një protestë edhe ndaj Ilir Metës, pasi qëllimi kryesor i saj ishte të protestonte kundër qeverisjes së korruptuar. Ilir Meta ishte simboli, por ishit poshtë zyrës së Sali Berishës, e ju thoni që ju la shije të hidhur bashkëpunimi i PS me LSI, e ju u bëtë aleancë me komandantin e skuadrës së pushkatimit. Ky qëndrim me dy standarte i PDK-së, besoj se do ta dëmtojë rëndë këtë parti në sytë e elektoratit”.

Sipas Stefanit, “partitë e vogla po humbasin identitetin e po shndërrohen në një butafori të të mëdhenjve, pasi nuk kanë më asnjë impakt në programin që paraqesin partitë e mëdha. Ka një të drejtë e kjo që thonë zotërinjtë, që është shumë e vështirë të konkurrosh jashtë koalicionit, por këta kanë krijuar një gravitacion të tmerrshëm dhe tërësisht jomoral”. Në fjalën e tij, Stefani drejtoi akuza të drejpërdrejta ndaj zotit Ndoka, duke u rikthyer tek 21 janari, akuza të cilave kryetari i PDK-së i dha një përgjigje të ngjashme me referencën e tij të mëparshme, duke kujtuar sërisht sjelljet jokoherente, zhgënjyese dhe diskriminuese të Partisë Socialiste, ish-aleatit të PDK-së në opozitë.

Impakti i partive të vogla në rezultatin e koalicionit të djathtë

Në zgjedhjet e vitit 2009, partitë e vogla arritën të grumbullonin së bashku 288 mijë vota, ose sa 1/5 e votave të vlefshme në rang kombëtar, por sistemi bëri që këto të prodhonin vetëm 7 mandate për 4 parti, LSI (katër mandate), PR, PBDNJ dhe PDIU.

Në pjesën e tretë të “Top-Story”, debati në studio u përqëndrua pikërisht në këtë temë, në peshën që do të kenë partitë e vogla, kontributin që këto do të japin në fitoren apo humbjen përfundimtare të zgjedhjeve të 23 qershorit.

I pyetur për zgjedhjen e kryeministrit, për të përfshirë shtatë kryetarë të partive në listën e Partisë Demokratike dhe për peshën që do të kenë forcat e vogla në rezultatin përfundimtar, Shehi komentoi: “Unë gjykoj që Berisha nuk është kaq sentimental që mendon për gabimet, ai është një njeri pragmatist e sheh se ku janë votat reale. Ne kishim rreth 30 mijë vota, e këto janë vota konkrete sepse këto janë marrë në luftë me PD e PS vetë, ndaj janë vota reale. Ai e kupton që këto janë vota që realisht shtohen. Sigurisht që kryeministrit i leverdis që këta zotërinj të jenë në listat e zgjedhëse, e në rrethe ne do të vazhdojmë të votohemi me LZHK – Dashimir Shehi”.

I pyetur nga Sokol Balla, mbi mundësinë që partitë e mëdha të rikthehet të vjedhin votat e të vegjëlve, kreytari i LZHK-së komentoi se nuk ka frikë për një mundësi të tillë, pasi sipas tij, “nuk ka një logjikë, se përse partitë e mëdha do të vjedhin votat e aleatëve, kur ato përsëri i shkojnë koalicionit”. Shehi shtoi se vazhdon të qëndrojë i bindur, se do të jenë pikërisht Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, “garantët më të mirë”, për faktin se do të jenë të interesuar direkt në mbrojtjen e votave të aleatët të tyre përkatës.

Per zotin Ndoka, diferencat mes dy blloqeve jane te qarta: “Ndryshimi është i qartë, PS ka zgjedhur që në këto zgjedhje, të eliminojë përfundimisht partitë e vogla, duke lënë jashtë Parlamentit figura si Milo, Gjinushi, etj. Përsa i përket Berishës, ai nuk ka ndonjë siguri që ne do të jemi ushtarë si deputetë të Partisë Demokratike, e mund të jemi edhe bashkëpunues në një proces bllokues nëse do të jetë nevoja politike në të ardhmen. Ajo që ka bërë ai, është që të kufizojë pushtetin e tij, për hir të pluralizmit në Shqipëri. Berisha nuk ka asnjë kërkesë apo kusht në bashkëpunimet politike, ndryshe nga zoti Rama. Për më tepër, në bllokun e djathtë, ka 17-18 parti të konsoliduara, me një histori parlamentare dhe të qartë në pluralizmin shqiptar”.

Ndikimi i partive të vogla te programet qeverisëse të të mëdhenjve

Sa realisht partitë e vogla, me programet e tyre, u imponojnë idetë e tyre programeve të partive të mëdha, apo Partisë Demokratike.

Duke u nisur nga argjinatura, si pengesë për ardhjen e PS-së në pushtet, Shehi tha se nuk i ka vënë kushte PD-së në nënshkrimin e aleancës parazgjedhore. Sipas tij, koalicioni i djathtë dhe i qendrës së djathtë po i kërkon votën popullit për të bërë dicka të re në 4 vitet e ardhshme, për të kthyer kokën pas, për të parë cfarë është bërë dhe për të ndrequr ato që nuk janë bërë gjatë këtyre viteve.

Reformë të institucioneve, reformë kushtetuese, kufizimi i mandateve, rishikimi i rolit të presidentit, ligji elektoral dhe reformimi i pushteteve lokale janë disa nga temat që kërkojnë zgjidhje, për të cilat ne si LZHK kemi këmbëngulur, që të jenë baza e qeverisë së ardhshme. Ne respektojmë idetë dhe programin e PD-së, por ne jemi një forcë më shumë për realizimin e tyre.

Sipas Lorenc Vangjelit, skema e djeshme e LZHK-së ishte anti-Berishizmi, ndërsa sot është kthyer në pro-Berishizmit, ndaj dhe i bën një pyetje të djathtëve. A keni biseduar qoftë edhe 2-3 fjali për të negociuar për programet, për shkrirjen e tyre? Thatë që Berisha iu ka takuar vetëm 24 orë para dorëzimit të listave.

Shehi u përgjigj se nuk i interesojnë fare intrigat që ngrenë gazetarët apo rivalët e majtë. Ai vet nuk ka negociuar fare në lidhje me programet me PD-në, por i ka theksuar Berishës se aq vota sa ka për të marrë LZHK-ja në Tiranë do t’i marrë, do apo s’do Berisha.

Ndërsa Ndoka theksoi në studio se ndihej krenar, që ndikoi sadopak në programin e PS-së, kur ishte në krahun e aleatëve opozitarë, në lidhje me të përndjekurit politik dhe cështjes së pronës dhe legalizimeve, por me Berishën kanë një marrëveshje parimesh se si do të funksionojë koalicioni parazgjedhor, diçka e pohuar edhe nga Arian Madhi.

Nga përvoja e gjithë këtyre 23 viteve, – theksoi Stefani, – kam bindjen se problemi i mosarritjes së një marrëveshjeje programore në koalicionin e së djathtës apo të qendrës së djathtë, është shkak i sjelljes së njohur tashmë të kryeministrit Berisha.

Top Channel