Stano: Zgjedhjet, kusht për statusin

29/05/2013 19:50

Një ditë para mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit për votimin e dy ligjeve dhe rregullores së Parlamentit, në një intervistë për Top-Channel, zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim përsërit kushtet e njohura që duhet të plotësojë vendi për të merituar statusin kandidat.

Përveç miratimit të 3 çështjeve, Peter Stano nënvizon se vendi duhet të dorëzojë rezultate të besueshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

TCH: Nëse të enjten votohen dy ligjet dhe rregullorja e Parlamentit, a mjaftojnë këto që Komisioni të rekomandojë statusin kandidat për vendin?
 
Peter Stano: “Pritshmëritë për t’i dhënë statusin kandidat Shqipërisë u formuluan shumë qartë mjaft kohë më parë dhe njihen nga të gjithë. Dhe këto kushte, apo këto pritshmëri, përfshijnë miratimin e tre çështjeve; thonë se Komisioni duhet të raportojë se çfarë ka bërë qeveria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet hetimeve proaktive dhe ndjekjeve penale nga autoritetet; dhe vendet anëtare kanë thënë, dhe që atëherë e kanë përsëritur disa herë, se ata do të vëzhgojnë nga shumë pranë zgjedhjet, pasi këto zgjedhje do të jenë një provë se si po funksionojnë institucionet demokratike të vendit”.


TCH
: A mund të këtë zgjedhje të lira dhe të ndershme me KQZ-në aktuale dhe me presionet politike kundër administratës publike?


Peter Stano
: “Ajo që ka rëndësi nga pikëpamja jonë është që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare. Ajo që është gjithashtu shumë e rëndësishme është që institucionet përgjegjëse për të garantuar se zgjedhjet po zhvillohen sipas këtyre standarteve, të punojnë në mënyrë efektive, të pavarur dhe të zhvillojnë aktivetet e tyre në përputhje me rregullat që përbëjnë këto organe. Kjo do të thotë se ne po rifreskojmë thirrjen për partitë politike që të rivendosin konsensusin politik dhe të garantojnë se proçesi zgjedhor do të jetë i qetë dhe se zgjedhjet do të mbahen sipas pritshmërive dhe në përputhje me standartet europiane e ndërkombëtare”.

Top Channel