Rama: Mbështetje për fasonët

29/05/2013 00:00

Në një fabrikë fasonësh në Korçë, kryesocialisti Edi Rama është njohur
me problematikat që ka aktualisht ky biznes, si dhe me nevojën për
mbështetje nga ana e shtetit.

“Duam shumë t’i mbështesim të gjithë ata që investojnë në këtë industri. E dimë që ka vështirësi, e dimë që kriza edhe në Greqi edhe në Itali ka ndikuar, por po ashtu jemi të bindur që janë mundësitë për t’u dhënë një mbështetje të gjithë atyre që investojnë në këtë biznes në mënyrë që të punësojnë akoma më shumë njerëz dhe nga ana tjetër vendi juaj i punës të jetë i siguruar dhe mos kërcënohet nga shkurtimi”, tha Rama.

“Berisha s’do ia hedhe me tunelin”

“Edhe Bradasheshi, edhe Belshi, edhe Cërriku, edhe Tregani, edhe të gjitha komunat e Elbasanit sot pas 4 vjetësh nuk janë më mirë, janë më keq”. Me këto fjalë Edi Rama nisi takimin elektoral në komunën e Bradasheshit në Elbasan. Banorët e kësaj zonë dhe të gjithë Shqipërisë deklaroi Rama qofshin socialiste apo demokrate më 23 qershor i lind detyra të votojnë për Rindjen dhe rrënimin.

“Saliu mendon që mund t’ua hedhë edhe kësaj rradhe, Saliu mendon se mund t’ua tregojë tunelin si vijën e daljes, që në fakt është vija e daljes për të, e daljes nga politika në 23 qershor. Sa para janë harxhuar për këto rrugë, dhe sa rrugë mund të bëheshin me këto para? Një rilindës shqiptar, Sami Frashëri thoshte që rrugët e Shqipërisë mund të bëheshin shumë më shpejt dhe shumë më të mira, me shumë më pak para nëse do të kishim një qeveri që do të shpenzonte me ndershmëri paratë e popullit. E pra kjo që ka thënë Sami Frashëri atëherë është aktuale edhe sot. Ne nuk do të bëjmë mrekullia por është e sigurt që ne do jemi me ju dhe do punojmë për ju. Ne do të jemi në krahun tuaj dhe nuk do t’ju tradhtojmë. Ne do qeverisim për të mirën tuaj dhe për të mirën e familjeve tuaja për të mirën e Bradasheshit për të mirën e të gjithë Shqipërisë”, tha Rama.

Top Channel