Rama: Qeveria, parà në këmbim të votës

28/05/2013 00:00

Në Bilisht kreu i Partisë Socialiste shtoi tonet denoncuese kundër qeverisë se po kërcënon cdokend me heqje nga puna për t’i detyruar të votojnë për Berishën. Rama tha se qeveria ka braktisur fshatin dhe ka ngritur çeta doganierësh që trokasin dyerve natën për të ofruar para në këmbim të votës.

“Doganierëve merruani paratë, mos i ktheni prapa, merruani paratë se janë paratë tuaja. Merruani paratë dhe kthejani shuplakën e votës pushtetit që kërkon t’ju mbajë peng duke ju trajtuar si skllevër, skllevër të varfërisë, skllevër të papunësisë, skllevër të braktisjes sociale. Kush hiqet nga puna sot do të futet menjëherë në punë pas 23 qershorit. Askush nuk duhet të trembet më. Nuk ka asnjë arsye për t’u trembur, ky pushtet ka rënë dhe është duke ikur, fatkeqësi për ta që nuk dinë të ikin me nder. Kjo është fatkeqësia tyre e ne nuk i ndihmojmë dot, por kemi vetëm detyrën t’i mundim me votën masive të shqiptarëve që duan Rilindjen”, tha Rama.

Kryesocialisti shtoi se kreu i qeverisë po përgojon çdo ditë autobusin e të majtëve duke udhëtuar me antiplumb nga frika.

“Më mirë me autobus si gjithë qytetarët se me antiplumb si Saliu. Më mirë me autobus me vajza e djem që bashkë me ne udhëtojnë në të gjithë Shqipërinë për Rilindjen se sa me një çete më 200 roje, si Saliu. Antiplumb po, çetë me 200 roje po. Po çfarë ke bërë more Sali që të ruajnë kaq shumë se nuk e kuptoj?!”, deklaroi ai.

Takimet e zotit Rama në qarkun e Korçës vijuan me bashkëbisedimin me qytetarët e qytetit jug-lindor.

Rama thumboi mesazhet telefonike të shpërndara nga kryeministri.

“U ka nisur mesazh gjithandej dhe thotë me jepni sugjerime. Më nisi edhe mua imagjinojeni. Unë ja bëra sugjerimin, i thashë: Sali shko tani bëj punën e gjyshit full time se edhe rrugët u lodhën me ty”, deklaroi Rama.

“Jo kryeministër me antiplumb”



Rama në Pogradec: Në 300 ditët e para do të vendosim rendin

Rama ka ftuar qytetarët e Pogradecit, që të votojnë alternativën e majtë, duke u shprehur se vendi do njerëz të lirë, që vijnë me autobus, dhe jo kryeministër me antiplumb dhe 200 “bodyguard”-ë.

“Zgjedhja në 23 qershor është shumë e thjeshtë, do të votoni për ne, që vijmë me autobus, si të gjithë qytetarët, apo do të votoni për kryeministrin, që vjen me antiplumb, për t’ju takuar. Do të votoni për ne, që vijmë të shoqëruar nga këngëtarë e valltarë, nga vajza e djem, apo për kryeministrin, që vjen i shoqëruar nga 200 roje. Do të votoni për ne, që mblidhemi bashkë me njerëz të lirë, me njerëz të papunë apo me njerëz që, edhe pse e kanë një punë, duan më shumë, meritojnë më shumë e prandaj janë këtu me vullnet të lirë, apo për ata, që i mbushin sheshet me robërit e pushtetit, duke i kërcënuar rrogëtarët e shtetit me bukën e gojës”, u shpreh Rama.

Rama tha se Shqipëria është rrënuar, se kriza ka mbërthyer çdokënd.

“Unë besoj se zgjedhja është shumë e qartë, rrënim i mëtejshëm ose një Rilindje shqiptare. Zgjedhja është shumë e qartë, një Shqipëri që punon, që prodhon, që jeton normalisht dhe që nuk dridhet përpara çmimeve të ushqimeve në treg. Një Shqipëri, ku vajzat dhe djemtë shkojnë përpara në rrugën e lirë të konkurrencës dhe vlerësohen sipas meritës, dhe jo një Shqipëri, ku po nuk pate mbiemrin e duhur dhe lidhjet e duhura, nuk bën dot asnjë lloj karriere”, tha Rama.

Kreu i opozitës ka ritheksuar, në fjalën e tij, se vendi është në anarki dhe krimi ka dalë rrugëve. Ai ka premtuar nga Pogradeci më tepër rend dhe siguri.

“Sot Shqipëria kërcënohet çdo ditë nga krimi. Krimi ka dalë rrugëve. Krimi bën ligjin dhe policia është tradhëtuar e braktisur nga një kupolë, atje në Ministrinë e Brendshme, që është e lidhur me krimin. Për 300 ditë, ne do të vendosim ligjin, përballjen me forcën e ligjit, krimin dhe çdokënd që guxon të cënojë një shqiptar, apo pronën e një shqiptari. Mjaft më me një histori të gjatë zvarritjeje dhe rrënimi. Kush prek një nga ne, një shqiptar të zakonshëm, ka prekur shtetin dhe do të përballet me Policinë e Shtetit. Kush prek pronën e një familjeje, ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit e me ligjet e këtij shteti”, theksoi Rama.

Top Channel