Nishani bojkoton Samitin e Ohrit

28/05/2013 00:00

Thirrjeve të diplomatëve shqiptarë në Shkup, drejtuar Presidentit të Shqipërisë, zotit Bujar Nishani, për të bojkotuar punimet e Samitit të Ohrit, kreu i shtetit edhe zyrtarisht iu përgjigj pozitivisht.

Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Nishani sqaron se mungesa e ftesës drejtuar Republikës së Kosovës nuk është në frymën e marrëveshjeve rajonale, ashtu sikundër kanë rënë dakort vendet e rajonit dhe ato të Europës Jug-lindore për t’iu afruar integrimit në Bashkimin Europian.

“Duke e konsideruar bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon dhe parakushte për integrimin e tij në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke patur parasysh marrëveshjen e 23 Shkurtit 2012 për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal, si edhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, datë 19 prill 2013, garantuar më Marrëveshjen e Parimeve të Përgjithshme për Zbatimin e Planit të dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë, datë 22 maj 2013, të nënshkruara mes Kryeministrave Thaçi dhe Daçic në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, sipas të cilave, asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajojë një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit europian. Shpreh zhgënjimin lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit, një veprim i paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha marrëveshjet dhe parimet e lartpërmendura; si edhe frymën e dialogut e bashkëpunimit në rajon. Në kushtet e thyerjes së atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok, me keqardhje njoftoj vendimin për të mos marrë pjesë në Samitet e Ohrit të datave 1 dhe 2 qershor”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Më herët, diplomati shqiptar nga Maqedonia, Arsim Zekolli, i bëri thirrje presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani që të ruajë dinjitetin e shqiptarëve në rajon dhe të bojkotojë Samitin e Presidentëve në Ohër, për t’u solidarizuar me presidenten kosovare Atifete Jahjaga, e cila nuk është ftuar në këtë samit nga kolegu i saj maqedonas Gjorgje Ivanov.

“Gjesti i kryetarëve të Greqisë dhe Bullgarisë dëshmon se në këtë rajon faktorizimi bëhet shpeshherë përmes refuzimit. Pas këtyre gjesteve miqësore nga ana e përfaqësuesve të Shqipërisë, do të kishte qenë mirë që z. Nishani t’i rikujtojë fjalët e veta nga fjalimi dhënë pas zgjedhjes në postin e Presidentit dhe të kujtojë se përgjegjësia e tij nuk ka të bëjë vetëm me cështjet administrative të përfaqësimit, por edhe të kultivimit të ndjenjës së dinjitetit të qytetarëve shqiptarë si në shtetin amë ashtu edhe në rajon”, thotë Zekolli.

Presidenti maqedonas, nuk e ka ftuar kolegen e tij kosovare Atifete Jahjaga në samitin e shefave të vendeve të përfshira në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që do të mbahet të shtunën në Ohër, me arsyetimin se Kosova nuk është anëtare formale e kësaj nisme.

Në këtë samit do të merr pjesë edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, ndërsa dy fqinjët e Maqedonisë, Greqia dhe Bullgaria kanë refuzuar pjesëmarrjen.

Top Channel