Lleshi: Nuk jap dorëheqjen

28/05/2013 00:00

Ndërsa diskutimi për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka përfshirë edhe ndërkombëtarët, gjatë një debati me përfaqësuesin ligjor të Partisë Socialiste në këtë institucion Genc Gjonçaj, në mbledhjen  e radhes kryetarja e KQZ-së deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen, deklaratë që ra në sy se zonja Lleshi gjeti rastin ta bëjë pa iu artikuluar të paktën publikisht një kërkese e tillë.

Gjonçaj: Garantojmë të gjithë shqiptarët se nuk do të lejojmë asnjë formë manipulimi ditën e zgjedhjeve. Problemi do të vazhdojë të mbetet ai që qeveria e Partisë Demokratike ka me shqiptarët, ka me integritetin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi: Zoti Gjonçaj më shumë folët politikisht se sa teknikisht zoti Gjonçaj.

Gjonçaj: Unë s’kam asgjë. E gjithë bota thotë që ka një problem, vetëm ti thua që jemi në rregull, jemi.

Lleshi: Unë jam në ushtrim të detyrës sime të parashikuar në Kod dhe do të vazhdoj ta kryej këtë detyrë përsa kohë nuk kam detyrën time morale që të jap dorëheqjen, ashtu sikundër bënë kolegët e mi me urdhër nga lart.

Gjonçaj: Mos manipulo këtu. Unë s’kërkova dorëheqje.

Ky debat erdhi pasi dy audituesit e emëruar nga KQZ pranë Ministrisë së Brendshme raportuan mbi gjetjen në listën përfundimtare të zgjedhësve.  Ndërsa audituesi i PD raportoi vetëm 1130 të dhëna si të dyshuara për dublime në listën përfundimtare, audituesi i opozitës raportoi për plot 27 mijë të tillë,  348 mijë shtetas pa adresë, 288 zgjedhës mbi 100 vjec, ndërsa zgjedhësi me moshën më të madhe në listën e votuesve është 143 vjec, ndërsa edhe në këto lista nuk mungojnë të figurojnë të vdekur.

Top Channel