Berisha: Zgjedhjet do jenë të shkëlqyera

28/05/2013 00:00

Shqetësimet kryesore të Shoqatës së Transportuesve Shqiptare, sektor në të cilin janë të punësuar rreth 40 mijë persona, nuk lidhen më me rrjetin rrugor të brendshëm, pasi sipas tyre përmirësimi është i dukshëm.

Por duke qenë se puna kryesore e tyre lidhet me transportin ndërkombëtar, shqetësimi i tyre madhor ishte një ligj i 22 viteve më parë i vendosur nga Italia. Kostoja e këtij ligji për shqiptarët, ndryshe nga vendet fqinje, është 500-600 euro për cdo rrugë.

Transportuesit fqinjë e kanë zgjidhur këtë problem me hapat që kanë bërë përpara në marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe për kryeministrin kjo është zgjidhja më e sigurtë.

“Të jeni të sigurtë se pas zgjedhjeve ne marrim statusin. Ne jemi të vendosur të bëjmë zgjedhjet me të mira. Do të bëjmë zgjedhje të shkëlqyera. Do meritojmë statusin dhe jo vetëm statusin. Do të plotësojmë të gjitha kushtet që të hapim negociatat si vend anëtar se statusi është një fazë. Faza tjetër është hapja e negociatave. Ne do të zbatojmë të gjitha detyrimet”, premtoi Berisha.

Kryeministri siguroi transportuesit edhe për zgjidhjen e disa problemeve të tjera burokratike që i lehtësojnë ata nga disa detyrime. Shqetësimit të një transportuesi për taksim të 4-fishtë të automjeteve të tij nga Bashkia e Durrësit, kryeministri iu përgjigj se këshilli bashkiak ka cuar për hetim në prokurori kryetarin socialist të bashkisë për shpërdorim të kompetencave mbi taksimin.

Sipas kryeministrit kjo bashki reflekton politikën e vërtetë të Partisë Socialiste ndaj biznesit.

“E shihni ju këtë shokun që vrapon poshtë e përpjetë dhe thotë do të ul taksat. Këta janë filozofia e rritjes së taksave. Këtu në Durrës është vendi me taksa mbi biznesin e vogël, ndër më të lartat që ekzistojnë. Ti duhet të tatohesh mbi bazën e të ardhurave dhe xhiros, jo mjetet se ai të konsideron ty çdo mjet një biznes të vogël. Ajo që bën ai është një hile shumë e ligë”, tha kryeministri.

Berisha: Rama, si Nastradini

Kryeministri në Peqin: Do e lidhim me Tiranën, përmes një rruge të re

Gjatë hapjes së fushatës elektorale në Peqin, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u zotua se do ta lidhë Peqinin me Tiranën, me një rrugë të re.

“Bashkimi i Peqinit me Tiranën, me daljen e tij të veçantë nga komuna e Paprrit në Baldushk, është zotimi ynë. 12 km kanë mbetur. Ju jap fjalën, se 2 vitet e para të mandatit, ju do të keni lidhjen direkte me Tiranën”, tha Berisha.

Berisha vlerësoi punën e bërë, në këtë mandat, në Peqin, duke radhitur ndërtimin e shkollave, rrugëve ruale si dhe ujësjellsave.

“Sot në këtë vend, ne kemi ndërtuar anekënd një infrastrukturë moderne, të denjë për burrat dhe gratë punëtorë, të mrekullueshëm të këtij rrethi. Në angazhimin tonë ne, së bashku, ndërtuam dhe rindërtuam 19 shkolla të rrethit të Peqinit, në qytet, fshatra e komuna. Ne kemi ndërtuar 12 ujësjellsa dhe kanalizime, nga të cilat vetëm ai i Peqinit ka kushtuar 1,8 miliardë lek”, shtoi Berisha.

Gjatë akuzave, që i bëri liderit socialist Rama, kryeministri e cilësoi atë si një Nastradin. Berisha tha se alternativa e PD është integrimi, ndërsa ajo e opozitës mashtrimi.

“Gjermania na paska gjithsej 6-10 universitete. Mbretëria e Danimarkës, sipas tij, pas vizitës që bëri, na paska gjithsej 6 universitete. Mashtrim total, edhe Nastradini do t’ia kishte lakmi”, përfundoi Berisha.

Top Channel