Akuzat për evazion fiskal, reagojnë spitalet private

28/05/2013 00:00

Spitalet private kanë reaguar pas deklaratave të Drejtorisë së
Përgjithshme të Tatimeve, që e evidentonte sektorin e shëndetësisë, si
një nga më të rrezikuarit për evazion.

“Ne si spital, që në fillim kemi qenë të hapur duke patur një politikë të dyerve të hapura, kundrejt të gjithë kontrolleve që mund të vijnë nga administrata shtetërore. Jemi vazhdimisht subjekt i kontrolleve të përsëritura nga këto institucione”, thotë Juliana Lajthia, drejtore e operacioneve në spitalin “Hygea”.

Përfaqësues të sektorit e mbështesin nismën e Tatimeve, për një mbikyrje më të hollësishme të deklaratave fiskale dhe madje kërkojnë që edhe Ministria e Shëndëtësisë, të kryejë kontroll mbi cilësinë e shërbimeve.

“Nëse në një spital ose klinikë nuk kemi një transparencë fiskale, atëherë kjo hap rrugë në abuzime të tjera në dëm të pacientit, hap rrugë për një marrëdhënie joetike pacient-mjek dhe mjek-spital. Spitali Amerikan si tatimpaguesi më i madh në këtë sektor, mbështet dhe mirëpret nismën e ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe deklaratën e bërë nga ana e tyre, për një ndjekje sa më të detajuar të deklarimeve në këtë sektor”, thotë Klod Alljabeu, përfaqësues i Spitalit Amerikan.

Pak ditë më parë Drejtoria e Tatimeve deklaroi se së bashku me turizmin dhe ndërtimin, sektori privat shëndetësor rezulton nga deklarimet si i dyshuar për fshehje të taksave.  
   

Top Channel