Nisma Adriatiko-Joniane

27/05/2013 19:35

Shqipëria merr më 1 qershor kryesinë e Nismës Adriatiko-Joniane, të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit përgjatë brigjeve të dy deteve, përfshirë Serbinë. “Kalimi i stafetës” u zhvillua në ambientet e ambasadës sllovene në Bruksel.

“Duke filluar nga data 1 korrik do të jenë 4 vende anëtare të BE-së, duke përfshirë këtu edhe Kroacinë që bëhet anëtare e BE-së, të cilat janë edhe anëtare të nismës Adriatiko-Joniane. Shpresoj shumë që kjo të rrisë nivelin e bashkëpunimit midis vendeve të nismës të cilat nuk janë ende anëtare të BE-së”, deklaroi zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi.

Numri dy i diplomacisë shqiptare renditi përfitimet që mund të ketë Shqipëria, por jo vetëm, gjatë kryesimit një vjeçar të kësaj nisme.

“Në mënyrë të drejpërdrejtë, projekte që shkojnë në të mirë të qytetarëve dhe shtetasve shqiptarë në fusha të ndryshme. Çdo presidencë ka koston e saj, por ajo çfarë ne përfitojmë nga kjo presidencë, ajo çfarë ne përfitojmë nga kjo iniciativë është disa herë më e madhe. Ajo çfarë qytetarët shqiptarë përfitojnë nga kjo iniciativë është disa herë shumë e madhe. Dhe natyrisht, në mënyrë të drejpërdrejtë edhe politika e jashtme shqiptare sepse ne kemi arritur që të përfshijmë në të gjithë këtë proçes edhe inkuadrimin sa më të shpejtë të dy shteteve, Maqedonisë dhe Kosovës, pranë kësaj nisme”, nënvizoi Harxhi.

Grupi i vendeve të kësaj nisme u ngrit në Ankona të Italisë në vitin 2000, si pjesë e konferencës për Sigurinë dhe Zhvillimin e deteve Adriatik dhe Jon. Në të bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Greqia, Kroacia, Italia, Serbia dhe Sllovenia.

Top Channel