Endërr e një ditë pragvere

25/05/2013 00:00

FATOS BAXHAKU – Të ëndërrosh është një nga të drejtat universale, të
pashpallura njerëzore. Janë thënë të drejtat e mendimit, të fjalës së
lirë, të grumbullimit, të jetës, të kërkimit të lumturisë, por askush
nuk e ka përmendur të drejtën për të ëndërruar.

Mbase ngaqë ëndrra nuk varet prej askujt, mbase as prej ëndërrimtarit vetë. Ëndrra varet prej saj dhe vetëm prej saj. Ndoshta e vetmja gjë që ndikon në to është nëse e shikon natën apo ditën, apo thënë më shkoqur, me sy hapur, apo me sy mbyllur. Më shpesh na ndodh që ëndrrat, të të gjitha llojeve, i vegojmë natën. Kjo nuk varet aspak prej nesh. Ata që dinë më shumë për këtë fushë thonë se kjo ka lidhje me subkoshiencën tonë. Puna nis të koklavitet kur fillojmë e shikojmë ëndrra ditën.

Ta zëmë, për shembull, se do të ëndërroni një ditë që të mëdhenjtë e politikës: Saliu, Edi, Iliri, Bamiri, ndoshta edhe Kreshniku, të vendosin një të diel para zgjedhjeve që ta pinë një kafe bashkë. Shumë gjëra i ndajnë, por më shumë i lidhin. A nuk janë ata që po japin edhe pikën më të fundit të shpirtit për vendin tonë Shqipërinë? Nuk është se ata ëndërrojnë pushtetin, Zoti na ruajt! Porse që ata të realizojnë ëndrrat e tyre, në të mirën tonë sigurisht, duhet që të kenë pushtet dhe këtë duhet t’ua japim ne. A nuk kanë pra të njëjtin qëllim? Kështu që me siguri, të stërlodhur nga një fushatë e stërgjatë zgjedhore, ndoshta disavjeçare, ata kanë se ç’t’i thonë njëri-tjetrit. Në të gjitha rastet shkëmbimi i përvojës është një gjë fort e mençur. Atëherë duke rrufitur kafenë, ende të paftohur, ata do të kujtohen: Ore, po sikur t’i drejtohemi bashkë, së toku këtij mileti që na lodhi me dualizmin e tij brenda llojit? Po sikur të na shohin një herë bashkë dhe të bëhen miq qoftë edhe duke votuar ndryshe? Dhe kështu më në fund së bashku, miqtë kundërshtarë duke dalë nga kafeneja, do të dalin të paqtë, të qetë, dorështrënguar, optimistë, gojëmbël duke iu drejtuar kamerave, që me siguri do të kenë orë që i presin: O miq shqiptarë, anembanë, na dëgjoni (Me siguri zëdhënësi i klubit të liderëve do të zgjidhej ai që do të marrë më pak vota). Jemi këtu para jush që t’ju lutemi të na votoni. Sigurisht që ju do të zgjidhni vetëm njërin prej nesh. Në gjithë këto vite kemi marrë mbi supe një barrë të rëndë, atë që t’iu hapim sytë, t’iu çojmë në Europë, ta shndërrojmë vendin tonë të dashur në një vend të begatë e më në fund të paqtë. Jemi nisur nga e mira, duke dhënë maksimumin tonë. Jo gjithëherë e kemi arritur këtë gjë. Edhe ne, sikurse ju, jemi pjesë e këtij vendi, jemi bijtë tuaj, pjellat tuaja, kështu që ju lutemi të na i falni mëkatet. Por ju garantojmë se në të ardhmen do të bëjmë ç’është e mundur që të jemi sa më të mbarë. Por ama, edhe ju, sido që të votoni, sido që t’i keni simpatitë krahinore, të interesave, të brezave, të krushqive, farefisnive, miqësive, sido që të keni vendosur, kini pak respekt edhe për ne, që jemi rropatur dhe po rropatemi për ju. Kini më shumë respekt për veten! Vriteni pak mendjen dhe gjejeni vetë se cili është më i miri prej nesh. Nganjëherë neve ashtu na e do puna që të bëjmë premtime. A nuk ju qetëson edhe juve kjo qoftë edhe për pak kohë shpirtrat? Por sido që të jetë, ju duhej tashmë ta kishit kuptuar se nga cila anë duhet të shkoni. Mirë për vete, por a mendoni ndopak për fëmijët tuaj? Vriteni mendjen, vriteni mendjen dhe asgjë më tepër. Të jeni të sigurt se nuk ju dhemb. Me të thënë këto fjalë të mëdhenjtë do të largoheshin duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit dhe duke u larguar qetësisht për në shtabet e tyre elektorale, ku i presin entuziastët përkatës flamurmbajtës.

Kjo sigurisht që është një ëndërr. Madje një ëndërr e parë me sy hapur. Sikurse e thamë që në krye, askush nuk mund të na ndalojë ëndrrat porse zhgjëndrra është shumë herë më e madhe. Në vend të fair play kemi skërmitje dhëmbësh, në vend të besimit kemi pasiguri, pabesi. Në vend të ndershmërisë kemi lojëra të pabesa politike.

Ndodh me të gjithë popujt, që kanë provuar diktaturën. Edhe me popuj me më me shumë kulturë politike se ne. Demokracia vjen rëndom si zgjidhja e vetme e të gjitha problemeve të cilat i lë pas mizoria, qoftë kjo e majtë, apo e djathtë. Demokracia që në krye shihet si një ëndërr e madhe, si zgjidhja e të gjitha problemeve, si rregulluesja e moralit njerëzor, si kryqi kundër Satanait, porse kjo ëndërr nuk është gjë tjetër veçse një iluzion, një ëndërr me sy hapur, për sa kohë demokracia nuk është bërë pjesë përbërëse e ADN-së së një kombi.

Demokracia nuk arrin ta fshijë aspak atë hendekun hipokrit që ekziston mes liderit dhe masës, mes kreut dhe anëtarëve, mes figurës dhe anonimëve, përkundrazi, për dreq e shumëfishon atë. Nëse në diktaturë gjërat janë mizore, por të qarta, pra një njësh dhe një turmë skllevërish kokulur, në demokraci hipokrizia bëhet edhe më e koklavitur. Në thelb në demokraci kemi të drejtën e fjalës, të drejtën e të shprehurit, të grumbullimit, të shtypit e kështu me radhë. Por se ç’i do këto të drejta kur të shtyp varfëria, kur uria dhe telashet pa fund ta errësojnë mendimin dhe shpresën, kur je i detyruar që të ruash vendin e punës për një rrogë minimale, kur fqinji yt nuk të flet me gojë vetëm se je me krahun tjetër? A duhet të mjaftohemi vetëm me një demokraci në letër, por jo në shpirtrat tanë? Për dreq mjetet globale të komunikimit mes hipokrizisë në krye dhe masës poshtë bëhen edhe më të shumëfishta, kështu që agresioni mes asaj që i themi demokraci (në rastin e Shqipërisë duhet thënë posdiktaturë më mirë) dhe individit të ngratë, të pashkoqitur e të pambrojtur bëhet edhe më e dukshme. Nuk ka qenë aspak kjo që kemi ëndërruar ditë e natë për më shumë se 20 vjet.

Po atëherë si i bëhet? Nuk kemi asgjë tjetër në dorë përveçse asaj fletës së thjeshtë të votimit të mbushur me simbole partish. Nuk ka rrugë tjetër për të kaluar nga postdiktatura në fillesa demokracie të mbara. Duhet të shkojmë atë ditë të diel, të qetë, të bindur se po bëjmë të duhurën për të sotmen e për të ardhmen. Edhe një gjë tjetër: Sa më pak ëndrra me sy hapur. Nuk bëjnë mirë. Natën po, atëherë mund të ëndërrojmë ç’të duam.

Gazeta “Shqip”

Top Channel