Berisha: Do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë

25/05/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha thotë se nuk do të heqë dorë as mandatin e
ardhshëm nga prioriteti i ndërtimit të infrastrukturës së vendit deri në
përfundimin total të saj.

Dhe duke konsideruar çdo kilometer rruge si nje kilometer me afer zhvillimit, Kryeministri nuk anashkalon edhe pjesëmarrjen në nisjen e ndërtimit të rrugëve në fshatra të largët, si rruga në fshatin Trenë të qarkut të Dibrës, i cili përfiton direkt nga ndërtimi i Rrugës së Arbrit. Kryeministri Berisha ka premtuar perfundimin e saj brenda dy viteve te para te mandatit te ardhshem.

“Pa rrugë nuk ka zhvillim, pa rrugë prodhimi bujqësor është i kërcënuar dhe nuk ka vlerë. Pa rrugë biznesi nuk zhvillohet. E vërteta është se përsëri ka shumë rrugë për të ndërtuar, por ju garantoj se ne që ndërtuam këto do të ndërtojmë me vendosmëri të madhe çdo kilometër rrugë në të katër anët e këtij qarku. Unë ju garantoj se nga përparësitë më madhore është rruga e Arbrit”, tha Berisha.

Ne qarkun e Dibres demokratet kane marre 4 nga 6 deputetet e saj dhe synojne ta ruajne serish kete rezultat.
Sepse, sic thote Kryeministri Berisha, pavaresisht gabimeve, Qeveria e tij ka bere gjithcka per te perfaqesuar interesat e qytetareve.

“Në territorin e këtij qarku janë firmosur kontrata koncesionare për ndërtimin e 80 hidrocentraleve. Në to do të punësohen mijëra e mijëra banorë të qarkut të Dibrës. Kjo është alternativa dhe ky është modeli për të cilin ne ju ftojmë të votoni. Ne nuk themi se e kemi rrugën bulevard me lule, nuk themi se nuk bëhen gabime, nuk themi se nuk ka mangësi, por ato që shpallim para jush dhe para çdo shqiptari, ne u qëndrojmë me seriozitetin më të madh”, tha Berisha.

Konventa, Topalli: 250 mijë vende pune mandatin e ardhshëm

Partia Demokratike po mban Konventën e saj në Pallatin e Kongreseve. Figurat qendrore të kësaj force politike shpalosën para mbështetësve programin e kësaj force politike me të cilin kërkojnë mandatin e tretë qeverisës.

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht nën.kryetare e PD-së, Jozefina Topalli renditi reformat e ndërmarra nga kjo qeveri, që sipas saj, afruan integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Ne nisëm procesin e anëtarësimit në BE dhe kemi përmbushur të gjitha kërkesat për integrimin, me përjashtim të 3 ligjeve për të cilat duheshin vetëm 3 sekonda dhe vendi merrte statusin e vendit kandidat. Asgjë nuk do të sjellë më shumë përfitime për Shqipërinë se sa futja në BE., vetëm marrja e statusit kandidat do sillte qindra milionë euro investime”, tha zonja Topalli.

Më tej kryetarja e Kuvendit renditi disa nga investimet kryesore të kësaj mazhorance në këto 8 vite qeverisje. Ajo u ndal tek bujqësia, turizmi dhe biznesi.

“Ne kemi investuar për fermerët rreth 48 mijë projekte në bujqësi. Ne do rrisim punësimin. Rritëm bizneset duke i favorizuar ato. Zhvilluam industrinë e përpunimit dhe industrinë e turizmit”, tha ajo.

Duke u ndalur më pas tek situata ekonomike në vend, zonja Topalli përmendi disa vlerësime të institucioneve ndërkombëtare. Sipas saj, Shqipëria është i vetmi vend ballkanik që vitin që kaloi pati rënie të papunësisë, ndërsa premtoi se PD në mandatin e ardhshëm do të hapë 250 mijë vende të reja pune.

“Banka Botërore na ka cilësuar si ekonominë me rritjen ekonomike më të larta në Europë. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që vitin që lamë pas pati rënie të papunësisë. Por ne e dimë që kjo nuk mjafton, që vendi ka nevojë më shumë dhe ne do të bëjmë më shumë, dhe partia demokratike zotohet se në mandatin e ardhshëm do të krijojë 250 mijë vende pune”, tha Topalli.
 

Top Channel