Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Vlorë, Valentina Leskaj
zhvilloi një takim me punonjësit e Stabilimentit të përpunimit të
prodhimeve të detit dhe bretkosave në komunën Novoselë.

Pasi u njoh nga afër me problemet me të cilat përballen sektorë të tillë, Leskaj tha se gjithcka do të ndryshojë pas 23 qershorit, duke premtuar më tepër prioritet ndaj grave punëtore.

Mediu: Prona, sipas ligjeve të BE-së

Gjatë një takimi me studentë të kryeqytetit, kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu u ndal tek çështja e pronës duke theksuar nevojën e asistencës së BE-së, për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të komunitetit evropian.

“Bashkimi europian e ka vendosur si standard për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dhe marrjen e statusit. Ne do të kërkojmë nga BE që së bashku me Komisionin Europian të vlerësojmë të gjithë legjislacionin, përsa i përket cështjes së pronës private”, tha Mediu.

PDIU, tubim në Kavajë

PDIU nisi udhëtimet elektorale nga Kavaja, ku teksa prezantoi kandidatin për deputet Ëngjëll Cara, Shpëtim Idrizi u bëri thirrje liderve politikë të sillen si vizionarë dhe jo si liderë kufijsh.

“T’i përbashkojmë shqiptarët në ekonomi, në histori, në kulturë dhe t’i bëjmë bashkë si qytetarë europianë, kjo është kauza e partisë sonë, e një partia që kërkon unitetin e kombit”, tha Idrizi.

Milo, takime në Paskuqan

Paskal Milo zhvilloi një takim elektoral në Paskuqan ku u bëri thirrje simpatizantëve të Partisë Demokracia Sociale të votojnë këtë forcë politike, duke dhënë kështu një votë të sigurtë për progresin e Shqipërisë.

“Vota për demokracinë sociale është votë për progres, është votë për zhvillim, është votë për integrim europian se nuk është votë që shkon kot, është një votë që do i shërbejë qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë”, tha Milo.

Top Channel