Nga Peshkopia, ku prezantoi kandidatët për qarkun e Dibrës Kryeministri
Berisha premtoi atë që e quajti zhvillim i pandalur i Shqipërisë.

“Aty ku ju jetoni do të keni rrugë të asfaltuar, ujësjellësa, kanalizime, shkolla të reja, nxënësit tuaj do të ulen në banka shkolle njëlloj si qytetet”, tha Berisha.

Duke e vene theksin tek problemet e hasura per perfundimin e ndertimit te Rruges se Arberit , zoti Berisha tha se ky investim do të përfundojë menjëherë pas marrjes së mandatit të tretë.

“Fjala ime përpara jush, vepra më e parë e dy viteve të para do të jetë tuneli i Murrizit, Rruga e Arbërit dhe Boshti i Jugut”, tha Berisha.

Rritja e vazhdueshme e rrogave dhe pensioneve, ashtu si ndertimi i universitetit te Dibres ishin pikat e tjera ku Kryeministri u ndaj në mitingun e Partisë Demokratike në Peshkopi.

“Ju premtoj fermëreve të Dibrës, se gjatë katër viteve që vijnë grantet për ta do të trefishohen dhe se do të bëjmë gjithcka për zgjerimin e tregjeve për produktet e tyre të mrekullueshme. Ju premtoj pensionistëve, punonjësve të administratës, mësuesve, mjekëve se do të vazhdojmë rritjen e rrogave dhe pensioneve pa ndërprerje”, tha Berisha.

Berisha: Arsimi shtylla kryesore e qeverisjes

Kryeministri Sali Berisha gjatë qëndrimit në Peshkopi, ku përuroi
gjimnazin “Said Najdeni”, deklaroi se arsimi është shtylla kryesore e
qeverisjes demokratike.

“Alternativa jonë është provuar, ndërsa alternativa tjetër ofron trysni dhe presione. Ne i themi të gjithë punonjësve të arsimit se janë të lirë të promovojnë pikëpamjen që besojnë dhe të mbështesin partinë që besojnë. Arsimitarët janë qënie shoqërore politike”, tha Berisha.

Kryeministri premtoi sërish nga Peshkopia se paga e arsimtarëve do të shkojë në 700 dollarë. “Unë besoj se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë të ardhmen që meritojnë vetëm si shoqëri e dijes, si Shqipëri e dijes, si Shqipëria e shkollimit ndaj kemi bërë përpjekjet më të mëdha që të ndërtojmë një infrastrukturë moderne këto vite”, tha Berisha.

Top Channel