Rama: 77-80 deputetë objektiv real

23/05/2013 00:00

23 maji, një muaj fiks nga zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, solli edhe hapjen zyrtare të një fushate, të një “count-down” që në fakt ka kohë që ka nisur në Shqipëri.

Këto zgjedhje pritet të jenë historike, pavarësisht nëse e djathta do të fitojë një mandate të tretë apo do të humbë për herë të parë pushtetin me zgjedhje, sepse mbi të gjitha do të jenë një test i vërtetë për të gjitha palët në vend, një test për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Për këtë arsye, “Top-Story”, emisioni i përjavshëm politik i Sokol Ballës, u zhvendos këtë të enjte në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, atje ku gjatë mbrëmjes, Partia Socialiste prezantoi kandidatët e saj të Tiranës, duke hapur zyrtarisht fushatën në kryeqytet.

I ftuari, për të debatuar jo vetëm për programin, por edhe pritshmëritë, dyshimet, aleancat, raportet me ndërkombëtarët dhe shumë çështje të tjera me rëndësi, ishte lideri i opozitës dhe kandidati për kryeministrin e ardhshëm, zoti Edi Rama.

Përkrah Ballës, të pranishëm në “studion” e improvizuar në Pallatin e Sportit ishin edhe tre analistë të mirënjohur, Sokol Nano, botues i “Respublikës”, Skëndër Minxhozi dhe Arjan Vasjari, nga e përditshmja “MAPO”.

Sokol Balla – Zoti Rama, mirësevini në Pallatin e Sportit. Cila është ndjesia juaj pas këtij prezantimi, në këtë takim në “Asllan Rusi”?

Edi Rama – Ishte një ditë me të vërtetë e mirë, në të cilën ishte befasues entuziasmi i treguar nga pjesëmarrësit, i cili për mua ishte me të vërtetë shtangës, pavarësisht se kam drejtuar shumë takime elektorale në këto vjet. Rikthimi në këtë Pallat Sporti, pa publik, më kujton nga ana tjetër kohën time kur luaja basketboll, më kujton zhurmën e goditjeve të topit mbi parket, ishte koha kur stërviteshim apo luanim në këtë Pallat.

Sokol Balla – Cila është pritshmëria juaj, një muaj nga zgjedhjet?

Edi Rama – Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Gjithçka, lë të kuptohet që nuk ka si ndodhë ndryshe, por këto janë zgjedhjet në Shqipëri dhe kanë gjithmonë edhe imazhin e keq të së shkuarës që pengon, jo thjesht në kuptimin e frikës se çfarë do të ndodhë, por të faktit që kemi hyrë në një garë të procesit kur ka filluar një presion shumë i madh mbi njerëzit, mesuesit, sipërmarrësit, nënpunësit e administratrës e kjo nuk është normale në një vend demokratik.

Sokol Balla – Është kjo arsyeja (presioni i lartpërmendur) përse donit ta mbanit brenda fushatën?

Edi Rama – Jo kjo nuk ka lidhje. Ne kemi një stategji tonën, një skenar tonin të zhvillimit të këtij “filmi” 30-ditor dhe është plotësisht e qëllimshme që prezantimi të bëhej në këtë sallë, duke pasur parasysh që edhe sheshet do të kenë kohën e tyre. Por, në fakt, në prezantimet në qarqe zgjodhëm të ndalemi në mjedise të hapura dhe jo në sheshet e kryesore, e ishte e befasuese, pasi pati shumë më shumë njerëz nga sa kishim parashikuar në këtë skenar. Në kontekstin e pyetjes suaj, qoftë Pallati i Sportit në Vlorë apo në Durrës, janë pjesë e skenarit tonë dhe nevojës për të pasur një koreografi që zhvillohet brenda sallës.

Mustafa Nano – Në fjalim e cilësuat entuziasmin e sallës më të madhin që prej vitit 2000. A do të donit t’i mbanit zgjedhjet sot, pikërisht për të shfrytëzuar këtë entuziasëm që ju përceptoni?

Edi Rama – Kur pushteti vë gjithë forcat e mekanizmat e tij në dispozicion të fushatës, kjo nuk është diçka që e favorizon opozitën. Është diçka që në mos e favorizon pushtetin, së paku i jep mundësi të ruajë të njëjtën distancë. Nga ana tjetër, ne me sondazhet tona konstatojmë një tendencë interesante rënie në anën e pushtetit, një tendencë që përkon me momentin pas bashkimit të PS me LSI dhe forcimit të aleancës opozitare, duke bashkuar të gjitha forcat e qëndrës së majtës, sigurisht edhe forca të tjera. A është e lidhur me këtë apo e lidhur me një moment zgjedhje të marrëdhënieve të elektoratit me pushtetin, kjo është një çështje që kërkon një analize të tërë.

Skëndër Minxhozi – Ka tre sondazhe që janë bërë së fundmi në dhe është realisht e vërtetë që ai që dikur njihej si 100 metërshi i fundit i Berishës, ai sprinti i fundit kur kapte përqindjet, të paktën në këto referenca të vogla dhe të pakta nuk del sepse unë kujtoj që në 2009, në sondazhe dhanë tendencë zbritëse për opozitën sa më shumë afrohen zgjedhjet. Ju si përceptim, mendoni se deri në fund të fushatës do të respektohet ky trend?

Edi Rama – E vërteta është që ka një klimë tjetër edhe po të nisesh nga marrëdhëniet e personave me detyra në shtet në raport me ne. Në 2009-n ne s’kemi pasur drejtues drejtësie që të na kontaktonin në mënyrë të fshehtë për të na dhënë informacione, drejtues në dikastere që na jepnin informacione dhe s’kemi pasur kaq shumë denoncime, sa kemi nga mësues dhe prindër lidhur me presionin që bëhet nëpër shkolla, gjë që flet për një klimë ndryshimi të rëndësishëm dhe në radhën e mësuesve po gjejmë shumë aleatë sipas zonave, që edhe pse janë të detyruar të paraqiten si të gjithë rrogtarët e shetit nëpër zyrat e PD në lagje, prapë se prapë nuk hezistojnë që të bashkëpunojnë me deputetët tanë.

Skëndër Minxhozi – Kujt ia atribuoni këtë peshë më të madhe të rritjes në sondazhe?

Edi Rama – Unë i jap peshë të gjithë elementëve, pasi besoj që nuk ndodh në një fushatë që të dominojë vetëm njëri element. Është si të thuash që Obama fitoi vetëm falë refuzimit popullor për Bushin ose vetëm falë aftësive dhe programit të tij të shkëlqyer. Nuk mund të ndahet.

Arjan Vasjari – Unë nuk bie në kurthin e sondazheve, e pavarësisht se i marr të mirëqënie, kam një përceptim të ndryshëm. Po të shikosh rrugëtimin e PS, duhet ndarë nga ai deri në 1 prill dhe ai pas, kur u bë aleanca me LSI-në. E keni menduar ndonjëherë që aleanca me LSI-në mund të prodhonte kosto ose të prodhonte diçka shumë më të ulet nga çfarë pritej?

Edi Rama –
Bashkimi me LSI-në ka prodhuar një energji të shtuar në të gjithë këtë proces. Sigurisht që ju keni këndvështrimin tuaj, për në timin unë besoj se ne diktojmë ritmin e fushatës dhe tanimë prej kohe, jo thjesht nga bashkimi me LSI, axhendën e temën e ditës e mbi të gjitha pa asnjë dyshim, besoj që kemi me vete një frymë ndryshimi që po vjen duke u intensifikuar. Ne se kemi pasur problem ndonjëherë mbushjen e sallës, si një forcë e rëndësishme politike që jemi, por ju siguroj që entuziasmi si sot, që shoqëroi të gjithë takimin, nuk e kam parë më parë, pra është një frymë që po ndihet. Lidhur me përceptimin tuaj, ne nuk bazohemi në sondazhet telefonikë, por në fokus grupe që japin rezultate të vërteta sondazhesh dhe nga fokus-grupet kemi marrë mesazhin shumë të qartë që bashkimi jo vetëm duhej bërë, por do të zgjeronte mbështetjen për opozitën dhe kjo po provohet, ndonëse ishte diçka e pamatshme që nuk dukej në sondazhe.

Arjan Vasjari – LSI ka bërë “pit-stopin” politik më të çuditshëm të globit, e lë pushtetin dy muaj nga mbarimi i mandatit, për t’u bashkuar me një forcë me të cilën synon të rikthehet përsëri në pushtet. Kjo do të thotë që vetëm 30 ditë më parë, LSI ishte pjesë e pushtetit, që nëse pranojmë që ka një rënim, ishte i përbashkët. Madje LSI-ja ka sjellë kosto në atë qeveri dhe e kam të vështirë të kuptoj mutacionin gjenetik që LSI, si do ta ketë një transformim të tillë. Si mund të rehabilitohet kjo forcë për 30 ditë?

Edi Rama – Nuk jam këtu për të folur për LSI-në dhe nuk flas dot në emër të tyre, por ajo që është interesante është që nga “pit-stopi”, LSI ka dalë me një sasi karburanti më shumë dhe sot, sipas sondazheve është më lart nga sa ishte përpara. E njëjta gjë vlen edhe për PS. Kemi pra një situatë ku koalicioni opozitar ka një diferencë më të madhe pas bashkimit. Mbi rënimin, aq sa mund t’i bjerë Spiro Kserës përgjegjësia për papunësinë, aq e ka fajin LSI për fajin e rënimin, që ishte pjesë eprogramit dhe partisë që udhëheq koalicionin. E them dhe e përsëris, Saliu ndërtoi një sistem të bazuar në pazar dhe ndarjen e qeverisë me feude, duke lënë sipas asaj ndarje që u ra dakord, që secila të manaxhonte ato forumet e veta dhe shteti të thërrmohej duke humbur koherencën në zbatimin e programit, duke humbur ndërveprimin dhe duke u kthyer në një rënojë që sot e kemi të gjithë para syve.

Sokol Balla – Si ju me aleatët prisni të formëzoni funksionimin e pushtetit, duke marrë shkas nga ajo që thatë me sondazhet?

Edi Rama – LSI krijon shumicën natyrale, që është shumicë në popull historikisht dhe mos t’i hymë të shkuarës, por nga 2005 e sot, Saliu qeveris me pakicën duke përfituar nga situata të caktuara majtas. Shtysën e parë e të fortë për të ndertuar këtë aleancë e kam pasur në tavolinën e negociatave për president, me Saliun përballë, Metën majtas, e Idrizin djathtas, e unë në krahun tjetër, isha i vetëm e përballë kisha qeverinë, ndërsa në fakt ishte PS me një copë njeriu atje përballë që është pakica reale.

Skëndër Minxhozi – Në një aspekt, ndaj skepticizmin dhe pikëpyetjen e Vasjarit. Besoj se është momenti i drejtë për t’iu pyetur, si kryetar i opozitës, nëse keni ndërtuar një marrëveshje të mirë për zgjedhjet dhe pas zgjedhjeve? Brenda marrëveshjes, si e shihni peshën elektorale të secilës parti dhe për t’iu pyetur drejtë, sa mandate synoni të merrni?

Edi Rama –
Që këtu fillon edhe ndryshimi që ka ndodhur, unë mendoj që kapërcimi i të shkuarës nuk është një shtrëngim duarsh apo një vendim, për t’u bërë bashkë në garë afatshkurtër, që do të sillte më pas me mijëra probleme, por është vendimarrje për të parë më larg se kaq dhe ndërtuar një partneritet strategik e besoj se këtë po bëjmë. Sigurisht ka një garë kush do të marrë më shumë vota, ne duam më shumë për PS, LSI për vete etj, por PS–LSI është bashkimi strategjik i një aleance që ne e konceptojmë si e njëjta fuqi, e ndarë në dy pjesë komplementare me njëra-tjetrën dhe arsyeja përse në këtë moment kemi përfshirje në listën tonë të një njeriu, Spartak Brahos, i cili ka një histori të gjatë me të dy partitë, është pikërisht simbolika e shkrirjes së një kufiri që ne nuk e shohim të domosdoshëm për nesër. Ne nuk e shohim të domosdoshme që të kapim kaq shumë vota që mos varemi e asansjelltas. Ne besojmë se objektivi i 80 votave si pikë maksimale nuk është utopik, ndërsa mendoj që 77 deputetë, me zgjedhje normale e jo të pastra si në Europë, është i arritshëm.

Mustafa Nano – Shtypi ka folur për problem Kryeministror. Unë nuk e besoj dhe nuk e them me idenë që do të kenë probleme pas zgjedhjeve, por shqetësimi im është sa efiçente do të jetë qeverisja. Si do të bëhet të ndërtohet një qeverisje që të japë fryte, ky është shqetësimi im. Vasjari, ka kapur nga ana e tij një pikë të vlefshme, që 1 prilli mbart një lloj sëkëlldie morale, por nga ana tjetër unë shoh që ka krijuar një lloj avantazhi elektoral, që mbase në një vend tjetër do të ishte e çuditshme duke pasur parasysh sfondin historik, por që unë me vetë mjetet e mia e shoh dhe konstatoj.

Edi Rama: Unë besoj që imoraliteti më i madh do të ishte të mos shfrytëzohej mundësia për ta bërë këtë bashkim në kushtet kur mundësia u krijua, pasi nuk ka gjë sot më imorale se sa të ruash një kullë fildishi dhe të lësh Saliun të rënojë Shqipërinë më tutje dhe më tej. Kushtet e zgjedhjeve në Shqipëri e bëjnë të domosdoshme parjen e kësaj me sytë e pozitiviteti. Ishte gjëja e duhur në momentin e duhur për të shmangur një katastrofë, mandatin e tretë të një qeverie që s’ka më asgjë për të ofruar.

Cështja e “Kryeministrit”

Cështja e kryeministrit vazhdon të zërë vend në mediat. Kush do jetë në rast të fitores së koalicionit të majtë, Edi Rama apo Ilir Meta? Edhe të enjten, gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së në Tiranë, i vetmi që nuk përmendi Edi Ramën kryeministër, ishte Spartak Braho.

Lidhur me këtë vetë Rama u përgjigj se cështjen e kryeministrit e përcakton qartë Kushtetuta e vendit. Ai tha se e gjithë qeveria do të ndërtohet mbi bazën e konsultimeve me gjithë aleatët, por se boshti i kësaj aleance është PS-LSI:

Edi Rama – Sot është shprehur qartë në shtyp se cështjen e kryeministrit e zgjidh pesha e partive në daljen e rezultateve dhe cështja e kryeministrit është e zgjidhur qartë. Në një aleancë që ka shumë parti, si e jonë ku kemi edhe aleatët e vjetër si PDS, PSD,  padyshim do jenë pjesë e konsultimeve të qeverisë së re.

Qendrimi për 21 Janarin

C’qendrim mban PS dhe LSI mbi 21 Janarin? Rama tha se dy partitë ndajnë të njëjtin qendrim, atë të krijimit të kushteve për drejtësinë që të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre.

Edi Rama – Katër të vrarët nuk janë mes PS dhe LSI, janë mes drejtësisë, vrasësve dhe urdhëruesve të vrasësve dhe me kryetarin e LSI kemi një dakordësi të plotë që drejtëisa duhet t’i shkojë deri në fund hetimeve dhe ne jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund me sa na lejon ligji për të nxjerrë të vërtetën dhe për të ndëshkuar vrasësit dhe urdhëruesit e vrasësve. Unë jam i bindur që Mustafa Nano ka plotësisht të drejtë, që problemi nuk është se kush do jetë kryeministri, por cfarë do të bëjmë dhe sa do t’i përgjigjemi sfidave me mënyrën se si do qeverisemi. Unë besoj se ky bashkim ka një sekëlldi për të dyja palët, por ka një të mirë të madhe për të gjithë zgjedhësit dhe që duan të përfitojnë si qytetarë nga procesi i qeverisjes, sepse të dyja palët hyjnë me kompleks në qeverisje. Ne që duhet të provojmë që skeptikët nuk kanë të drejtë, ndërsa LSI me kompleksin dhe nxitjen për të provuar që s’ishim ne problemi i qeverisë, por ishte Saliu. Kjo e bën më vulnerabël në start qeverinë. 

Mustafa Nano –  Dua të bëni një premtim që cdo gazetar apo qytetar që do të ketë nevojë për një shkresë do të marrë atë menjëherë.

Edi Rama – Lavdi Zotit, Erjon Braçe do jetë në anën e shumicës dhe do ketë në dorë detyra shumë të rëndësishme lidhur me transparencën e së shkuarës. Pas ardhjes tonë në qeveri nuk do jenë sekret letrat e shtetit. Do bëjmë publikimin online të të gjithë dokumentacionit shtetëror të firmosur, ashtu sikundër publikojmë online të gjitha shpenzimet e kryeministrit, këshillit të ministrave, shpenzimet operative, cdo gjë që paguajnë qytetarët për kryeministrin, ministrat dhe gjithë funksionarët e lartë që bëjnë punën do jetë online. Ndarja e mandateve që kemi vendosur, është vetëm një nga një sërë komponentësh të një hovi etik që ne do të bëjmë publik dhe që përfshin shumcka sjelljen e vijës së qeverisë në lidhje me publikun.

Mbi c’baza do funksionojë qeveria PS-LSI dhe aleatëve të tjerë?

Edi Rama – Ne kemi rënë dakort dhe kemi nënshkruar Kartën e Parimeve të koalicionit tonë, që kemi punuar gjatë për të. Mbi këtë kartë do të funksionojmë. Sa i përket ndarjes këtë cështje do ta vendosë rezultati, kemi rënë dakort që mbi bazën e rezultatit të përcaktohet si do ndahet qeveria. Nuk kemi fshehur asgjë, cdo gjë është transparente.

Raportet e opozitës me ndërkombëtarët dhe programi i PS

Rama u zotua se nuk do të ketë asnjë deputet ministër, dhe ky rregull vlen edhe për aleatët, ndërsa i pyetur në lidhje me postin e kryeministrit, ai tha se kjo është në diskutim. Rama premtoi ringritjen e policisë së shtetit në 300 ditë dhe për këtë zgjidhi si shembull Kosovën.

Edi Rama – Nuk do ketë asnjë ministër me mandat deputeti, as nga aleatët, ndërsa cështja e kryeministrit deputet po diskutohet. Kosova është model për policinë, s’ka korrupsion masiv dhe në ngritjen e policisë së shtetit do bashkëpunojmë me Kosovën. Kosova ka disa gjëra që i ka shumë më mirë se sa ne.

Pyetjes mbi modelin e taksimit, Rama tha se programi i PS i qendron taksës progresive, që sipas tij, do lehtësojë bizneset e vogla dhe individët.

Edi Rama – Do mundësojmë që çdo person që jeton me një rrogë nën 1.5 mln të kursejë rreth 40 mijë lekë në muaj dhe në fund të vitit, pjesa më e madhe të përfitojnë më shumë se një rrogë, ose e thënë ndryshe një rrogë që në vitin e parë. Ne do heqim taksën e fshehtë, TVSH tek ushqimet. Sot kemi 20 përqind taksë në cdo gotë qumësht, cdo kokërr vezë, cdo kg bukë. Ne këtë do ta bëjmë zero në këto ushqime bazë. Taksën e fshehtë tek fatura e energjisë, nga 20 përqind do ta bëjmë gjashtë. Taksat për fermerët që janë akcizë nafte dhe taksë qarkullimi. Ai që e merr naftën për të punuar në arë, pse duhet të paguajë akcizë? Në total ulim taksat për 90 përqind të shqiptarëve.

Lidhur me programin për punësimin, Rama tha: Në programin tonë e gjeni të detajuar se ku gjenden vendet e punës. Psh në Shqipëri ka një realitet, një copë Shqipërie, një fshat që është Europë, poshtë në Xarrë. Është një komunë me një kryetar të jashtëzakonshëm. Kanë krijuar një kooperativë. Ata punojnë vec dhe shesin bashkë dhe në kulmin e punës marrin krah pune që vijnë punojnë aty dhe marrin 400 mijë lekë rrogë, vijnë nga Librazhdi dhe Skrapari. Ka edhe komuna të tjera që ka realitete shumë interesante që mjafton t’i shohësh se cfarë u duhet për të jetuar dhe jo për të mbijetuar qençe.

Rama tha se sistemi i sigurimeve ka dështuar.

Edi Rama – Në Shqipëri harxhohen rreth 800 mln dollarë në vit, nga këto 60 përqind janë të qytetarëve, 52 përqind e të cilëve janë të qytetarë që nuk janë të siguruar sepse nuk kanë punë dhe detyrohen shesin shtëpitë për të kuruar të afërmit. Ky sistem vetëm 7 përqind financon, ndaj quhet i falimentuar dhe është një burim i madh korrupsioni. Ne duam t’i japim autonomi spitaleve për të menaxhuar buxhetet dhe t’ia heqim Ministrisë së Shëndetësisë të drejtën për të organizuar tenderat për ilacet. Ministria do të merret vetëm me politikat dhe monitorimin e fondeve.

Rama iu rikthyet taksës së biznesit të vogël, e cila sipas tij, edhe pse nuk ngre peshë në buxhet, mbahet në fuqi. Ai tha se heqja e kësaj takse lehtëson rreth 400 mijë të vetëpunësuar në këtë sektor.

Edi Rama – Taksa e biznesit të vogël grumbullon diku tek 21-22 mln euro. Në këtë biznes vetëpunësohen rreth 400 mijë persona. Pesha e kësaj takse në buxhet është e papërfillshme, por këta nuk e heqin. Imagjinoni cfarë lehtësimi krijon kjo taksë për 400 mijë të vetëpunësuarit?

Pyetjes së Sokol Ballës se nga do t’i gjejë paratë, kur do të vendosë ulje dhe heqje taksash, kreu i PS-së iu përgjigj:

Edi Rama – 200 mln dollarë harxhohen cdo vit nga vjedhja dhe abuzimi me pasuritë e nëntokës. Shteti sot nuk merr asnjë cent nga një kompani që nxjerr naftë dhe e quajtur Albpetrol.  Do nisim punën për marrjen e doganave nën administrimin e kompanive të huaja. Ka kompani të mëdha që marrin doganat dhe i rivënë në funksiont të plotë duke ulur ndjeshëm evazionin. Një pjesë tjetër është rikstrukturimi i makinerisë shtetërore, që sot funksionon për të mbajtur në këmbë PD. Parimi është që me më pak mund të bëhet më shumë. Ne do unifikojmë, do kemi një administratë tatimore, që do të thotë se nuk do mbajmë njerëz nga të katër anët me rroga që të masakrojnë biznesin. Ne do të kemi vetëm një administratë, ashtu sikundër do kemi një polici që do të bëjë funksione edhe për shumë nga ato bishtat, elektrike këtej, për zhurmat andej. Unë jam shumë i vetëdijshëm se si janë gjërat, por di edhe që Shqipëria nuk është Greqia në kuptimin e masës së katastrofës. Greqia ka problem që ka futur në Kushtetutë mosprekjen e administratës.

Në hapjen e fushatës për Tiranën, u publikua edhe fotoja që kreu i PS-së, Edi Rama ka bërë muaj me parë me presidentin amerikan Barack Obama. Në atë kohë, megjithëse ai u sulmua se nuk ekziston një foto e tillë, Rama nuk e publikoi atë. Por pse kjo zgjedhje ndryshe tani?

Edi Rama – Fotoja aty ka qenë, por ishte dëshira e madhe  e miqve  për ta pubikuar sot si një ogur të mirë për startin e këtij finishi. Kështu që nuk ka asnjë mister në publikimin e kësaj fotoje. Takimi mbetet për mua takimi më i rëndësishëm në karrierën time politike.

Top Channel