Rama: Votojmë “paketën” e Metës

22/05/2013 19:45

Në një intervistë për Top-Channel, kryetari i PS Edi Rama shprehu mbështetjen e tij për paketën e propozuar nga Ilir Meta, që lidhet me miratimin e dy ligjeve dhe rregullores së Kuvendit.

Sakaq, zoti Rama i dha përgjigje ministres së Integrimit, e cila pak më herët deklaroi se dyshja Rama-Meta janë duke luajtur bllofin me tre ligjet.

“Qysh ditën e parë kur kryetari i LSI-së ka dalë me një paketë kompromisi për të miratuar të tre ligjet dhe vendosur që ato të hynë në fuqi me Parlamentin e ri, ne jemi shprehur dakort. Mirëpo është e qartë që ka vetëm retorikë dhe propagandë të shfrenuar anti-opozitare nga qeveria dhe me sa duket nuk ka në fakt asnjë vullnet për t’i miratuar këto tre ligje”, deklaroi Rama.

Sipas Edi Ramës, është  mazhoranca që duhet t’i çojë në Kuvend tre projektligjet. “Është shumica ajo që ka në dorë të marrë nismën që të paraqesë në Kuvend propozimin e këtyre dokumentave, me propozimin e kompromisit të bërë nga LSI-ja dhe pastaj vota e Kuvendit do të tregojë se kush ka ndërmend, çfarë dhe kush bën propagandë e kush në fakt është i inetesuar drejtëpërdrejt për ecurinë e proçesit”, nënvizoi Rama.

Dy ditë më parë nga Gjirokastra, kryeministri Berisha deklaroi se: “Unë do t’i kërkoj kryetares së Parlamentit dhe deputetëve të mi që të votojnë që nesër. Ne kemi pritur mbi 200 ditë”. Por Edi Rama mendon se e gjitha kjo i nevojitet Berishës për propagandë elektorale.

“Është e qartë që kryeministri ka nevojë që këto 3 ligjet të qëndrojnë të pavotuara për të mbushur çdo ditë topat e tij të fushatës elektorale tanimë që i gjithë baruti i është lagur komplet dhe për t’u përpjekur që t’u tregojë shqiptarëve atë që shqiptarët nuk e besojnë, se gjithçka që ata po jetojnë në këtë papunësi, në këtë varfëri, në këtë dëshpërim social lidhet me këto tre ligjet dhe opozitën. E vërteta është se shqiptarët janë shumë të vetëdijshëm që koha për rotacionin, është vetëm pak ditë, përpara tyre dhe më 23 qershor ata do ta votojnë me votën e tyre përfundimisht rotacionin dhe fundin e këtij rrënimi të vazhdueshëm”, theksoi Rama.

Ndërsa për deklaratën e ministres së Integrimit Majlinda Bregu, se dyshja Rama-Meta janë duke luajtur bllofin me 3 ligjet, kryesocialisti bëri këtë koment:

“Po pra, është zonja Bregu dhe zoti Kodra, që është Saliu. Kodra mbas Bregut dhe Bregu që del pas kodrës dhe prandaj shqiptarët më 23 qershor do ta lënë edhe kodrën edhe Bregun dhe do të vazhdojnë në det të hapur rrugëtimin e tyre drejt familjes Europiane”, tha Rama.

E ndërsa të gjithë aktorët kryesorë të politikës shqiptare shprehen të gatshëm sipas varjantit të tyre për të miratuar dy ligjet dhe rregulloren e Parlamentit, mbetet pa përgjigje pyetja madhore që ngrihet përballë kësaj situate: Se kur do të marrë fund ping-pongu politik me këtë çështje.

Top Channel