Kinë, mbërrin i dërguari i posaçëm koreanoverior

22/05/2013 16:10

Diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, nisi një të dërguar të posaçëm në Kinë, në një përpjekje për të ringrohur marrëdhëniet së fundmi problematike midis dy vendeve komuniste.

Lajmi u komunikua të mërkurën në Agjensinë Koreane të Lajmeve “KCNA”.

Choe Ryong-hae, një prej gjeneralëve më autoritarë në Korenë e Veriut, mbërriti gjatë ditës në Pekin, ku u takua me zyrtarë të lartë kinezë.

Në raportim, nuk jepeshin arsyet e vizitës së tij apo temat në të cilat do të përqendrohet debati dypalësh.

Megjithatë, besohet se qëllimi kryesor i vizitës është një tentativë riafrimi e Penianit, pasi vendi doli edhe kundër vullnetit të aleatit të tij të vetëm të madh, Kinës, në realizimin e një testi të tretë bërthamor të ndaluar nga OKB në muajin shkurt.

Njëkohësisht, për Kim Jong-un, është me rëndësi thelbësore bindja e Kinës për të rritur ndihmën dhe shkëmbimet e saj ekonomike, pasi sanksionet e fundmit të OKB-së e kanë lënë vendin më të izoluar se kurrë.

Ndihma e Kinës është vendimtare për Penianin, për të siguruar atë mbështetje ekonomike, pa të cilën regjimi vështirësisht se do të mund të mbijetonte.

Në një tentativë për të ngrohur marrëdhëniet, Korea e Veriut lëshoi një grup prej 16 peshkatarësh kinezë, të mbajtur prej javësh në vend, pasi kishin kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin detar.

Top Channel