Xhentëlmenët e munguar të Rilindjes

19/05/2013 00:00

Arben Manaj – Kalkulimet e opozitës për të shmangur një “dezha-blu” të tretë për Berishën, duket se nuk kanë qenë dhe aq të sakta politikisht, por pritshmërisht do të kenë edhe kosto elektorale.

“Trekëndëshi i Bermudës”, Malaj-Kokëdhima-Duka, në kushtet e sistemit të adaptuar spanjoll të votimit, dhe atij shqiptar të emërimit të 90 për qind të deputetëve nga dy votuesit më të rëndësishëm të Shqipërisë, Berisha dhe Rama, pavarësisht sensitiviteteve politike që i kanë shoqëruar që nga dita e shpalljes së listave, do të jenë deri diku ndikues në marzhin e fitores ose humbjes me fotofinish më 23 qershor.

Pa dashur të hyj në interpretimet subjektive, por edhe objektive, për pozicionimet e tyre në të shkuarën apo të tashmen në politikë apo në jetën publike, një gjë mbetet e përbashkët; në thelb të tre këta kandidatë për deputetë janë të majtë, dikur të përkëdhelur e sot të irrituar dhe anasjelltas.

E kuptoj frikën dhe arsyet e Ramës për pasjen e një “deputeti-torpedo” të tipit Malaj, pro-Nanoist, në një grup të ardhshëm parlamentar, me një diferencë të vogël me Berishën, siç gjerësisht pritet të jetë rezultati, për shkak të të famshmit proporcional rajonal.

Por nuk e kuptoj se si nuk u gjet forma dhe mënyra për të parashikuar dhe neutralizuar në forma që do të duhet t’i mendonte vetë Rama, për efektin potencial Malaj, nëse do të jetë aq dëmtues sa lihet të nënkuptohet nga thirrjet e PS-së së Vlorës për t’u tërhequr nga gara.

Faktorizimi i Malajt mbetet të shihet më 24 qershor, por nëse do të jetë me kosto për grupimin e Ramës, kjo është një kosto që opozita, nuk ka luksin ta tolerojë dhe korrigjojë, deri dhe pas 23 qershorit, për mungesë vizioni dhe nuhatjeje politike nga ata që përcaktojnë se cili duhet dhe cili nuk duhet të jetë në skuadër.

Nëse do të ishte një sistem tjetër, me gjasa ky hipertension elektoral nuk do të ekzistonte në të tilla lexime të spigmamometrit.

Rasti “Duka” është po aq simptomatik, ku Rama ka më pak përgjegjësi sesa në rastin “Malaj”, por mund të ishte treguar më elastik në shmangien e prishjes së të ardhmes së aleancës së tij, sesa të relatave mes kunterëve VIP-a të Durrësit.

Përthyeshmëria e tij mund të kishte qenë më rezultative në një “Dukë” të përkëdhelur në Durrës, sesa një në Berat ose në listën e Republikanëve.

Sekreti i këtyre zgjedhjeve padyshim qëndron dhe do të jetë në mikrollogaritë dhe lëvizjet fine, edhe pse me gëlltitje të sforcuara tangërlliqesh nga kandidatë votëmbledhës. Dhe këtu hyn në lojë fjala xhentëlmen për të dyja palët.

Ndërkohë, fenomeni “Kokëdhima” është e një natyre tjetër. Si parantezë, Koçon e kam takuar vetëm njëherë, shkurt në një takim në zyrën e tij në Tiranë me analistin e BBC-së, Gabriel Partosh, gjatë një shërbimi pune në Shqipëri rreth një dekadë më parë, dhe nuk jam në gjendje të jap gjykime për të si minimanjat medie, apo si biznesmen kontravers.

As si eminencë gri e pretenduar, e as si truri i së majtës, siç thotë Berisha, i fiksuar dhe i vëmendshëm pas çdo detaji.

Nuk jam në gjendje të vërtetojë apo zhvërtetoj akuzat publike ndaj tij dhe bizneseve të tij apo lidhjeve të supozuara okulte me liderin e opozitës, pasi në Shqipëri rrallë ose kurrë, çfarë është akuzuar politikisht nga Berisha dhe jo vetëm, në këto dy dekada nuk është vërtetuar ligjërisht jashtë çdo dyshimi.

Por një gjë e di me siguri, se Berisha dhe lufta e tij politike ndaj një figure publike si Kokëdhima, ka qenë rezultative në opinionin publik për demonizimin dhe përbaltjen e Koços si individ dhe opozitës politikisht.

Berisha, nëse ka një meritë në listën e tij, është mospërfshirja e homologëve mediatikë të Koços, si Fahri Balliu apo edhe Frangaj, njerëz që siç përflitet në korridoret e politikës, kanë akses dhe ndikim në aksionet politike të Kryeministrit, sa ç’pretendohet po aq edhe për Kokëdhimën nga krahu tjetër. Dhe në relacion me Ramën, Berisha është treguar, argumentueshëm, më finok në këtë aspekt; pikërisht në eliminimin e mundësisë së kundërshtarit politik për të bërë të njëjtën gjë në fushatë.

Cilado qoftë e vërteta jetime e akuzave politike dhe personale në politikën e sotme shqiptare, si ndaj Kokëdhimës dhe të tjerëve, apo preferencave ndaj ish-kryeministrave apo aspirantëve për kryeministër, tangërllëqeve të votëmbledhësve potencialë me sfond biznesmeni, misioni opozitar për rotacion politik nuk ka përse të ndëshkohet nga prania në listë e Kokëdhimës, thjesht se ka miqësi me kryeopozitarin, apo mosprania në listë e Malajt thjesht se ka ende miqësi me ish-kryeopozitarin.

Duka nuk mund të pritet se do të ofrojë një gjest xhentëlmeni me opozitën e sotme, dhe ai do të jetë “republikan”, por të paktën Malaj, duke qenë se përbetohet se është dhe do të jetë socialist në ADN, apo më shumë Kokëdhimës, kalit real të betejës elektorale të Berishës, do t’i shkonte për shtat një gjest politik prej xhentëlmeni të Rilindjes, nëse do të jepte dorëheqjen nga kandidimi i tij për deputet.

Kjo edhe për të sprovuar dhe devijuar nga shtrati lumin e fryrë tërë prurje akuzash apo edhe insinuatash nga pushteti, që eventualisht dhe definitivisht dëmtojnë opozitën dhe kauzën e saj në zgjedhjet e ardhshme politike.

Nëse ata ndihen realisht socialistë dhe të majtë në shpirt, e nëse u dhimbset ardhja me çdo kusht e socialistëve në pushtet, ky interes pa dyshim është më i madh se çdo interes i tyre personal, i prekur apo i lënduar, qoftë edhe pa të drejtë.

Ky gjest do t’i bënte ata më europianë në sytë e të gjithëve, nëse realisht janë të atillë në formimin politik. Fitorja e së majtës, është po aq e opozitës, sa edhe e tyre personale, nëse nuk qëndrojnë në istikamin e deritanishëm. Ndryshe nga humbja…

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel