“FRD, përcaktuese për qeverinë”

17/05/2013 00:00

Fryma e Re Demokratike hapi zyrtarisht fushatën elektorale. Në fjalën e tij, kreu i kësaj force, njëkohësisht kryesuesi i listës të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës, Bamir Topi shprehu edhe njëherë tjetër bindjen se FRD do të jetë një forcë parlamentare dhe përcaktuese për qeverisjen pas 23 qershorit.

“Sot qoftë njëra forcë politike, qoftë tjetra nuk garantojnë atë që shpresojnë simpatizantët e tyre. Sot është një forcë e re që do t’i bëjë të pamundur qoftë njerës parti për të qendruar në pushtet, qoftë tjetrës për të ardhur në pushtet sepse FRD do të jetë forcë vendimmarrëse për garantimin e mazhorancës së re dhe do të jetë vendimmarrëse edhe në qeverisjen e ardhshme”, deklaroi Topi.

Topi vlerësoi FRD si forcë me karakter dhe ambicie të natyrshme politike. Ai tha se kjo forcë i rezistoi tundimeve për pazare politike edhe pse nuk i munguan ofertat e drejtpërdrejta për t’u bërë pjesë e koalicioneve, që sipas tij, i kanë vënë vulën tranzicionit të vështirë dhe përcudnues të demokracisë shqiptare.

Lideri i FRD-së ftoi shqiptarët që me votën e tyre të krijojnë një parlament demokratik. Ai tha se parlamenti duhet të marrë funksionin që i takon, të nënshtrojë ekzekutivin dhe të mos ndodhë e kundërta.

“Shqiptarët duhet të krijojnë me votën e tyre një institucion demokratik sic është parlamenti shqiptar. Unë besoj që parlamenti ka nevojë që të nënshtroje ekzekutivin sipas rregullave që ka demokracia dhe të mos futet nën sqetullën e tij”, u shpreh Topi.

Sipas zotit Topi klasa politike sot ka politizuar gjithcka. Ai e fajësoi atë për problemet në të gjitha fushat dhe tha se ka ardhur koha që klasa politike ka nevojë që më 23 qershor të ndëshkohet jo për të hequr njërën palë për të vendosur tjetrën, por për të nxjerrë liderë të rinj.

“Kjo politikë meriton të ndëshkohet më 23 qershor, jo për të hequr njërën e për të vënë një tjetër. Politika shqiptare ka nevojë të sjellë njerëz të rinj, të rigjenerojë vetveten, ka nevojë për mentalitet dhe fizionomi të re, ka nevojë për rregulla të reja, ka nevojë që të rigjenerojë elitat e veta”, deklaroi Topi.

Më tej, Topi u ndal edhe tek situata ekonomike, e cila sipas tij po rrënohet cdo ditë. Ai fajësoi kryeministrin Berisha për borxhin në të cilin ka zhytur vendin.

“Politika ka të bëjë me ju, ka të bëjë me familjet tuaja, ka të bëjë me ekononinë që po rrënohet cdo ditë, pavarësisht asaj që thotë kryeministri. Ai duhet të japë llogari për mënyrën e menaxhimit të parave të shqiptarëve, të japë llogari për borxhin që përbën një gropë të zezë për brezin aktual dhe brezat që vijnë”, tha ai.

Top Channel