Vizat me SHBA, Berisha s’tërhiqet

16/05/2013 00:00

Pas Tiranës, Durrësit dhe Fierit, kryeministri Sali Berisha ka vijuar fushatën elektorale, për zgjedhjet e 23 qershorit, në qytetin e Elbasanit.

Duke folur para mbështetësve, kryeministri Berisha nuk është tërhequr nga premtimi i bërë dy ditë më parë, për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara, edhe pse zyrtarë të Ambasadës amerikane në Tiranë deklaruan se Shqipëria nuk i plotëson kushtet.

“Së bashku do të firmosim për të merituar, përmes reformave, liberalizimin e vizave me fuqinë më të madhe të lirisë në botë, mikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lëvizja jonë e lirë në hapësirat e vendit mik është ëndërr, që do të realizohet gjatë 4 viteve që vijnë. Ata që më tregojnë mua A4-ën, atyre u them kontrolloni pak grupin parlamentar, se sa të refuzuar keni për viza në atë vend”, tha Berisha.

Përveç liderit të opozitës Rama, në shënjestrën e akuzave të kryeministrit këtë herë ishte dhe deputeti Ben Blushi, i pari në listën e socialistëve për qytetin e Elbasanit.

“Përshëndeteni zotin Blushi dhe pyeteni: Ku e ke teserën e Partisë Demokratike. Kur morëm vendimin për ndërtimin e tunelit, Ben Blushi deklaroi publikisht se, në qoftë se Berisha ndërton tunelin, ai do merrte teserën e Partisë Demokratike. Tani as që guxon t’i afrohet, struket si faturino në autobus me shefin e tij. Ata në autobus, ne përfundojmë autostradën dhe do të bëjmë “by-pass”-in po kaq modern sa autostrada”, shtoi Berisha.

Duke folur për tre shtyllat e alternativës së djathtë, për punësim, mirëqenie dhe integrim, kryeministri Berisha u zotua për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave e pensioneve.

Listën e kandidatëve në qarkun e Elbasanit e kryeson ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ndërsa i dyti është Eduard Selami, i cili u rikthye në politikë pas një shkëputje të gjatë.

***

Berisha u ndal te rritja e punësimit, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja e mbështetjes financiare për fermerët dhe politikat të tjera lehtësuese për biznesin.

“Ne do bëjmë gjithcka për punësimin. Në vitet që do të vijnë ne do të hapim 450 mijë vende të reja pune. HEC-i i Banjës është një investim madhor që do rrisë kapacitetin e prodhimit të energjisë dhe punësimin. Do të vijojmë me rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe do të trefishojmë mbështetjen për fermerët. Në këto vite bizneset e Elbasanit u dyfishuan sepse ne ulëm taksat. Renditemi në pozicionin e 18-të në botë përsa i përket tërheqjes së investimeve të huaja”, tha Berisha.

Kryeministri u ndal më pas tek taksa e sheshtë prej 10 përqind. Kjo taksë sipas tij favorizon investimet dhe biznesin. Berisha ftoi qytetarët elbasanas të mbështesin Partinë Demokratike dhe kandidatët e saj, pasi sipas tij kjo forcë është forca e integrimit dhe e zhvillimit, ndërsa sulmoi alternativën e opozitës duke e quajtur atë alternativë të “mohimit dhe mashtrimit”.

Fjalim para mbështetësve demokratë në këtë qytet mbajtën edhe kandidatët, mes të cilëve edhe Eduard Selami, kryetari i parë i PD-së, që rikthehet në radhët e kësaj partie si i dyti në listën e qarkut të Elbasanit.

Lista e PD-së në këtë qark kryesohet nga Arben Imami që pasohet nga Eduard Selami, Ardian Turku, Luçiano Boçi, Dashnor Sula, Ardiola Halimi, Aurel Bylykbashi dhe Irena Progni.

Top Channel