A është i mundur udhëtimi në kohë?

15/05/2013 00:00

Ideja e udhëtimit në kohë është tunduese, tërheqëse. Do mjaftonte shtypja e disa butonave për të shkuar jo vetëm “diku tjetër”, por edhe “në një kohë tjetër”. Që prej botimit të novelës “Makina e kohës” e H.G Wells në vitin 1895, fillimisht kinemaja dhe më pas shkenca është mahnitur nga kjo ide.

Por a është i mundur vërtet një udhëtim në kohë? Le të ndalemi tek përgjigjja që i jep shkenca. Shekullin e kaluar, Albert Einstein tregoi se koha është elastike, ajo mund të tkurret dhe zgjatet. Për këtë ai solli shembuj të thjeshtë, udhëtimin nga njëri kontinent në tjetrin. Vetëm në një lëvizje nga Londra për në Nju Jork, njeriu zhvendoset me një të miliardtën e sekondës në të ardhmen. Kjo zhvendosje është shumë, shumë pak për t’u vënë re nga ne.

Por zgjatja e kohës mund të jetë e mahnitëshme po të udhëtohet me shpejtësinë e dritës, rreth 300 mijë kilometra për sekondë. Shkencëtarët thonë se po të udhëtosh me 99 përqind të shpejtësisë së dritës për në yllin Vega, që është 25 vite dritë larg dhe të rikthehesh sërish në Tokë, ke shpenzuar vetëm 7 vite kohë në anijen e udhëtimit, ndërsa në tokë nuk do të gjesh vitin 2020, por do të gjesh vitin 2062. Pra udhëton 42 vite në të ardhmen.

Megjithatë, Einstein zbuloi se jo vetëm shpejtësia ndikon tek koha, por edhe graviteti. Një udhëtim i vërtetë në kohë kërkon fushë gravitacionale intensive dhe për këtë shkencëtarët thonë njëzëri: vrimat e zeza në univers e ofrojnë këtë. Në sipërfaqen e tyre, “koha ndalet” në krahasim me kohën tonë. Në të vërtetë, vrimat e zeza janë të tilla sepse edhe vetë drita bllokohet nga fusha e fuqishme gravitacionale e tyre.

Por t’i afrohesh një fenomeni të tillë të universit misterioz, jo vetëm që është e pamundur nga ana teknologjike, por edhe e rrezikshme. Vrimat e zeza ofrojnë vetëm udhëtimin në të ardhmen, për të udhëtuar në të shkuarën duhet dicka tjetër, ajo që qarqe të caktuara të shkencës e quajnë “wormholes”, ose ashtu sic janë përshkruar në mjaft filma fantastiko-shkencorë, si “porta të udhëtimit në kohë”.

Por ndërsa vrimat e zeza ekzistojnë më siguri, për këto këto të dytat nuk ka asnjë provë për ekzistencën e tyre, madje ka fizikantë që shprehen skeptikë për këtë.

    Foto e shkrepur nga teleskopët e NASA-s. Një vrimë e zezë që “gëlltit” një yll të ri

Top Channel