Toni Bler, tre herë ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, sot  një prej figurave të rëndësishme të së majtës europiane, i rezervoi në Londër një pritje kreut të PS, Edi Rama.

Rama dhe Blair biseduan mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Kryesocialisti Rama e njohu ish-kryeministrin britanik me programin për një Rilindje Shqiptare dhe prioritetet e qeverisjes së majtë pas 23 qershorit.

Në veçanti, gjithashtu u bisedua për politikat rajonale që do të implementojë qeveria socialiste, me theks investimet në fusha të ndryshme përfshi dhe energjitikën.

Mësohet se një temë e rëndësishme e bisedës ishte propozimi i Partisë Socialiste, për taksimin e ndershëm si dhe sistemin universal shëndetësor, bazuar në eksperiencën e suksesshme britanike.

“Thithja e investimeve të huaja në Shqipëri, nxitja e turizmit dhe projektet e bashkëpunimit rajonal në kuadër të proceseve integruese ishin gjithashtu tema me interes të bisedës mes zotit Rama dhe Blair”, thuhet në vijim të njoftimit për median të departamenti komunikimit në PS.

Zoti Rama kërkoi mbështetjen e zotit Blair dhe ekspertizën e tij për qeverisjen e pas 23 qershorit, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga ish Kryeministri britanik.

”Do të jem shumë i lumtur t’iu ndihmoj, pasi vendi juaj është një vend për të cilin kam shumë interes”, komentoi Blair.

“Një takim i shkëlqyer me Tony Blair, njeriun që transformoi përgjithnjë të majtën europiane, që mbetet një pikë referimi për të gjithë ne. Me Toni Blerin dhe skuadrën e tij, ne do të kemi në krah një partner jashtëzakonisht të rëndësishëm me një përvojë unike dhe me të gjitha këshillat e duhura për të ndërtuar një proces qeverisës të suksesshëm dhe për të bërë realitet programin tonë të Rilindjes shqiptare”, tha Rama.

Burime pranë kryesocialistit Rama i thanë “Top-Channel” se është rënë dakort që Tony Blair do të zhvillojë vizita të shpeshta në Tiranë për të asistuar Ramën në postin e kryeminisrit.

Po ashtu, mësohet se një grup këshilltarësh të Tony Blair do të atashohet pranë qeverisë së pas 23 qershorit, për të këshilluar Ramën dhe kabinetin e tij.

Po të njëjtat burime pohojnë se në ditët në vijim Rama planifikon të takohet me dy kryeministra të rëndësishëm të vëndeve europiane por pa specifikuar emrat e tyre.

Top Channel