Një vit e gjysmë mbas ndarjes nga jeta, të politikanit dhe historianit,
Sabri Godo, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, ambasadorë,
ministra, shkrimtarë, familjarë e miq janë mbledhur pranë godinës së
Parlamentit, aty ku do të qëndroje gjithnjë busti i plakut të urte Sabri
Godo i gdhendur me kujdes nga skulptori Paulo Viaxhi.

“Për mua sot personalisht kjo ditë është e ngarkuar me emocion, sikundër për shumë prej nesh, por edhe me një sens përmbushje dhe tashmë pritshmërie të re, një pritshmërie që i imazhi i tij, i përjetësuar sot në mermer, do të vlejë si një shtysë ekstra përveç kujtimeve tona për të, për të na shtyrë drejt një jete më të drejtë dhe drejt vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat ai luftoi dhe u përpoq gjithë jetën e tij”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Bashkeshorja e Sabri Godos dhe dy vajzat e tij, Ermira dhe Anila, kanë falenderuar të gjithë miqtë për nderimet që i behen sot figurës së babait te tyre.

“Sot për ne është një ditë prehje dhe shpresoj të jetë kështu edhe më pas. Sigurisht vjen koha kur njeriu nuk vajton më për babanë e humbur, por kthehet të shohë me mendje të ftohtë ato që ai ka bërë, të kërkojë të kuptojë thelbin e gjërave dhe të përpiqet t’i çojë më tej. Kjo kohë për ne erdhi në mënyrë të natyrshme sepse prania juaj dhe mbështetja në çdo rast gjatë këtyre dy viteve ka qenë, jo vetëm një nder i lartë, por edhe një liman qetësie”, u shpreh vajza e tij, Ermira Godo.

“Kujtuam se iku por nuk është e vërtetë ai u kthye prapë, u kthye atje ku e la punën, si deputet i popullit të tij. Tani është pranë Parlamentit përgjithmonë. Sabri Godo ishte luftëtari i lirisë, tani është në mermer për ta përkujtuar si të tillë’, tha ministri i Kulturës, Visar Zhiti.

Shkrimtari dhe politikani Sabri Godo do te mbahet mend gjate ne memorien e shqiptareve per urtesine dhe mençurinë e tij.

Top Channel