
Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës feston 70-vjetorin e fillimit të transmetimeve. Presidentë, diplomatë, anëtarë të Kongresit amerikan, zyrtarë dhe analistë të çështjeve të Ballkanit morën pjesë në një ceremoni emocionale që u zhvillua me këtë rast në selinë e Zërit të Amerikës në Uashington.
Të gjithë folësit shprehën vlerësimin e tyre për punën e shërbimit të Zërit të Amerikës në shqip në vite, fillimisht përmes radios dhe më pas edhe përmes televizionit dhe internetit, për transparencën dhe si përçuese e së vërtetës.
Një nga folësit, anëtari i Kongresit nga Nju Jorku, Eliot Engel tha me shaka se ishte intervistuar kaq shumë herë nga Zëri i Amerikës në shqip, sa që kur vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën atë e kishin njohur shumë njerëz.
Nëpërmjet mesazheve të regjistruara, të pranishmit në ceremoni i përshëndetën presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të cilët vlerësuan rolin e Zërit të Amerikës në përgjithësi dhe të Shërbimit Shqip në veçanti. Presidenti i Shqipërisë nderoi me medalje Zërin e Amerikës dhe drejtorin e divizionit të Euro-Azisë, Elez Biberaj.
Ish-senatori amerikan, Dennis DeConcini tha se Zëri i Amerikës vazhdon të jetë një institucion i rëndësishëm për përhapjen e informacionit në botë, ndërsa ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas përmbysjes së komunizmit, Uilliam Ryerson kujtoi përgatitjet për vizitën e Sekretarit të Shtetit James Baker në Shqipëri në vitin 1991.
Kolegja jonë Zamira Eduards, e cila filloi punën në Zërin e Amerikës bashkë me motrën e saj Isabela, pas arratisjes së tyre nga Shqipëria me not në gusht të vitit 1984, kujtoi natën kur të dy motrat bashkë me vëllanë e tyre Klement u hodhën natën në ujrat e Detit Jon dhe notuan drejt ishullit grek të Korfuzit. Zamira tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të punonte për Zërin e Amerikës, të cilin ajo e përshkroi si një “mision fisnik”.
Sot pas 70-vjetësh, shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në përhapjen e lajmeve dhe të informacioneve me një audiencë javore prej 48 përqind në Shqipëri dhe 57 përqind në Kosovë.
Top Channel