Operacioni i tiroideve i dëmton zërin

09/05/2013 18:30

Statistikat tregojnë se në SHBA, gabimet mjekësore shkaktojnë nga 44 deri në 98 mijë vdekje në vit. Përcaktimi i tyre ka krijuar shumë debate dhe diskutime, pasi ka shumë gabime, nga ato më të të voglat e deri tek më të rëndat.

Eliota është një nga zonjat, e cila ka vendosur të na tregojë rastin e saj dhe problemet që ka pasur pas operacionit.

“Përpara tre vitesh pata një ndërhyrjre kirurgjikale për tiroidet dhe pas disa vizitave më dhanë diagnozën e paralizës së kordës së majtë të fytit, që vjen nga prerja e nervit gjatë operacionit”, tregoi për “Pasdite” në “Top-Channel”, Eliota.

Thotë se problemi i saj është i parikuperueshëm dhe ky fakt nuk e bën të ndjehet mirë, përkundrazi ajo i përjeton cdo moment pasojat e operacionit.

“Të krijon stres në jetën e përditshme sepse të duash të thërrasësh me zë të lartë nuk mundesh, e qoftë edhe në punën e përditshme, kur ke të bësh me telefon është e vështirë. Nga ana tjetër të thonë ngri zërin, ndërkohë që nuk arrin dot të flasësh më shumë se aq”, vazhdoi rrëfimin e saj viktima e këtij gabimi mjekësor.

Në rast se një person i familjes nuk ndjehet mirë apo e shqetëson diçka, të gjithë pjestarët e tjerë angazhohen për t’ia lehtësuar dhimbjen e ta kalojnë të gjithë së bashku problemin, por ja cilat janë përjetimet e Klodit, bashkëshortit të Eliotës në periudhën kur morën vesh diagnozën.

“Të them të drejtën u stresuam shumë dhe po shikonim të gjitha mundësitë, mënyrat alternative për të gjetur mjekë e spital mos rikuperohej situata. Pjesa e dëmit evidentohet çdo ditë në komunikimin, qoftë edhe në atë bashkëshortor dhe komunikimin e përditshëm që ajo ka”, tha Klodi.

Në jetën e përditshme, ata përballen me disa vështirësi të cilat në një mënyrë apo në një tjetër iu duhet t’i kalojnë.

“Qoftë kur televizori mund të jetë një herë me zë më të lartë, nuk dëgjohemi”. “Ndihem keq sepse fëijët janë të lëvizshëm e nëse më paraqitet një situatë që do të më duhet të kërkoj ndihmë dhe e di që do të më duhet të thërras, e di që askush nuk do të më dëgjojë”, komentuan bashkëshortët.

Do të donin që zëri i tyre të dëgjohej, megjithatë ata po përpiqen të mësohen me faktin dhe të vazhdojnë jetën normalisht së bashku me 2 vogëlushët e tyre.

Top Channel