Elbasan, Berisha përuron një shkollë

09/05/2013 00:00

Në qytetin e Elbasanit, i njohur për traditën e tij arsimore, kryeministri Sali Berisha e kaloi pjesën më të madhe të kohës elektorale me përurimin e një shkolle të re moderne.

Për rritjen e cilësisë në arsim, kryeministri premtoi jo vetëm pajisjen me infrastrukturën më të mirë mësimore, por edhe rritjen e mëtejshme të pagave të mësuesve deri në 700 dollarë.

Kryeministri Berisha, i cili përuroi edhe bibliotekën e re të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, që e lidh atë online me Universitetin e Oksfordit, beson se një komb i pa arsimuar nuk mund të ketë të ardhme.

Dhe këtë moto, së bashku me devizën se “për shqiptarët dielli lind nga perëndimi”, kryeministri e ndau në një bashkëbisedim me studentët, në ditën që përkoi edhe me ditën e Europës. Ky ishte një rast, që kryeministri të vinte në dukje atë që e cilëson si strategji bllokuese të opozitës, që vendi të mos merrte statusin e kandidatit me mosvotimin e tre ligjeve.

“Por çfarë pasojash kishte kjo? Të  mëdha. Së pari, shtim i ndjeshëm i investimeve, i granteve të Komisionit Europian në Shqipëri. Pra, do të rriteshin fondet, por pasaporta do të ishte një besim i madh për investitorët e tyre, për të ardhur dhe investuar në Shqipëri. Ju studentë do të kishit mundësi të aplikonit në universitete me pagesat më të arsyeshme të këtyre vendeve. Emigracioni ynë, i cili është më numeriku në proporcion me popullatën, do të gëzonte të drejta krejt të tjera, me njohje pensioni dhe një seri të drejtash të tjera. Por, pavarësisht kësaj, ne jemi të gatshëm t’i votojmë që nesër. Ne kemi deklaruar se do thërrasim referendumin, si një masë ‘in extremis’, por në rast se opozita, pasi bëri një dëm të pariparueshëm për këtë periudhë, vendos të votojë, ne jemi të gatshëm t’i votojmë këto ligje”, tha Berisha.

Rrugën e kthimit për në Tiranë, kryeministri e bëri nga autostrada ende në ndërtim që lidh Elbasanin me Tiranën. Në këtë autostradë, ku pjesa më e vështirë janë urat që lidhin malësinë e Elbasanit, po punojnë 24 orë në ditë 1500 punëtorë dhe 1100 makineri, në mënyrë që autostrada të jetë e kalueshme brenda afatit.

Kontrata e përfundimit të autostradës është në qershor, pak përpara datës së zgjedhjeve, por kryeministri thotë se asgjë nuk ka më shumë rëndësi se sa lidhja e dy qyteteve më të mëdha të vendit.

“Ky është segmenti më madhështor i Korridorit të Tetë, është segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të Jugut, është vepra më e rëndësishme e ndërtuar në Shqipëri, në këtë katër-vjeçar. Përfundimi së shpejti i kësaj vepre, përfundimi në një kohë rekord, është dëshmi tjetër e shëndetit të padiskutueshëm të ekonomisë shqiptare, është dëshmi tjetër e shëndetit të financave të Shqipërisë, është dëshmi tjetër e vendosmërisë së kësaj qeverie, për të bërë gjithçka, që qytetarët shqiptarë të kapin të ardhmen që meritojnë”, përfundoi Berisha.

Top Channel