Dita botërore e medias

03/05/2013 00:00

Për shkak të rolit thelbësor që luajnë në shoqëri, gazetarët janë shpesh herë shënjestra të dhunës. Sipas OKB-së, më shumë se 600 reporterë janë vrarë gjatë dekadës së fundit nëpër botë.

Në disa rajone, njerëzit e medias janë nën mbikëqyrje e presione të vazhdueshme dhe bëhen edhe objekt sulmesh kibernetike. Me rrezikshmëri të lartë për gazetarët janë sidomos një numër vendesh aziatike.

Mali në Afrikë pati rënie të ndjeshme të lirisë së medias në indekset e kohëve të fundit. Në shtete si Turqia dhe Tunizia, gjykatat janë instrumenti i preferuar për t’i mbyllur gojën shtypit.

Por në ditën botërore të lirisë së tij, të shpallur si e tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, bëhet dhe një bilanc i situatës së medias në Evropën Juglindore.

Për opinionistët, në këtë rajon media zyrtarisht ekziston prej mbi 20 vjetësh, ndërsa praktikisht shumë media mbeten nën trysninë e politikës dhe ekonomisë.

Reporterët në këtë rajon janë mësuar me presione që nga koha e diktaturave komuniste. Por sot ato vijnë më së shumti nga sektori i ekonomisë, e këtu citohet edhe humbja e reklamave për shkak të kritikave.

Reporterët në Bosnje e Hercegovinë ankohen se politikanët janë ata që vendosin kush duhet t’i drejtojë mediat kryesore publike.

Edhe më e dukshme është influenca e politikës ndaj shtypit në Maqedoni, ku shumë aktorë udhëheqës politikë kanë qenë deri para pak kohësh edhe pronarë të gati të gjitha mediave në vend.

Gazetarët në Rumani shpresojnë ndërkohë se gradualisht situata do të përmirësohet pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku gjërat ndryshuan disi pas aderimit në 2007-ën, por vetëm për një periudhë të shkurtër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA