Berisha inauguron rrugën, akuzon Ramën

28/04/2013 21:30

Kryeministri Berisha, pasditen e së dielës, ka përuruar rikonstruksionin e aksit rrugor Shën Vlash – kryqëzimi Fllakë – Katundi i Ri.

Në fjalimin e mbajtur para banorëve të zonës, Berisha nuk ka nguruar të përmendë arritjet e qeverisë së tij, të falënderojë mbështetësit e tij dhe Partisë Demokratike, si dhe të sulmojë kreun e opozitës, Edi Rama, për mashtrimet që, sipas tij, thur për shqiptarët.

“Kjo rrugë që përurojmë sot u shërben mbi 12 mijë banorëve, por qeveria nuk do të ndalet këtu. Do të vazhdojmë të mbështesim cdo projekt për urbanizimin. Komunat e vendit do të kenë infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Para pak kohësh kemi përuruar në këtë zonë impiantin e ujërave të zeza”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi se programi i PD-së gjatë viteve të fundit ka bërë realitet ndryshime të mëdha për të gjithë shqiptarët.

“Gjatë këtyre viteve, programi ynë ishte ai i ndryshimeve më të mëdha. Këtë mandat bëmë të mundur heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Kemi bërë të mundur rindërtimin e 8000 km rrugëve rurale. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra shkolla e ujësjellësa”, vazhdoi Berisha.

Ndërkohë, nuk ka lënë pa përmendur as raportet e institucioneve, sic i quan ai, më serioze të botës, të cilat, sërish sipas tij, kanë deklaruar se Shqipëria i rezistoi krizës ekonomike.

“Institucionet më serioze të botës deklarojnë se Shqipëria i rezistoi krizës. Ne nuk patëm rritje të papunësisë, por përkundrazi, ulje të saj”, theksoi Berisha.

Në fjalën e tij, kryeministri ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, për bllokimin që i bëri marrjes së statusit kandidat të Shqipërisë për në BE, por pa harruar edhe sulmet e fundit në lidhje me mashtrimet, që sipas tij, Rama u shfaq shqiptarëve.

“Rama bllokoi statusin e vendit kandidat, duke mos votuar 3 ligjet në parlament. Sot, Rama derdhte lot krokodili për pensionet e emigrantëve. Por, Shqipëria e Edi Ramës bazohet vetëm në trillime dhe mashtrime. Ai rron në Shqipërinë e gënjeshtërt”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA