Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka arrestuar dy persona, të përkatësisë etnike serbe, pasi nëpërmjet rrugëve operative kishte marrë informacion se ata po fotografonin objektin e FSK-së, si dhe objekte të tjera me rëndësi.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit ka bërë me dije se njësitë policore me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku edhe i kanë kapur në flagrancë dy serbët, shtetas të Kosovës, me iniciale D.D dhe S.N.
Mbi ta rëndon akuza e spiunazhit. Gjatë intervistimit të të dyshuarve, ata kanë pranuar se kanë bërë fotografi rreth objekteve të FSK-së dhe godinave të tjera, por nuk kanë treguar qëllimin e tyre.
Të dyshuarit janë marrë në pyetje nga hetuesit policorë dhe me vendim të prokurorit të shtetit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Sipas provave të gjetura dhe po me vendim të prokurorit, ata ngarkohen për veprën penale të spiunazhit. Aparati fotografik është konfiskuar si provë materiale dhe bashkë me disa deklarata të dëshmitarëve okularë do të dërgohen si prova në gjykatë.
Top Channel