ILDKP, dyshime për Fatos Lulon

24/04/2013 20:05

Fatos Lulo është një nga tre rastet e dyshimta të sjella në vëmendje vitin e kaluar nga kreu i ILDKP-së Adriatik Llalla, gjatë një interviste televizive marsin e vitit 2012.

Në një artikull të disa muajve më vonë të agjencisë Balkan Investigative Reporting Network shpjegohen edhe dyshimet e Inspektoriatit të Kontrollit të Pasurive, të cilat lidhen me pasurinë e Lulos dhe argumentimin e saj.

Sipas artikullit të BIRN dhe të botuar edhe ne gazetën “Shqip”, Lulo u diplomua si jurist në Universitetin e Tiranës herët në vitet ‘80 dhe shërbeu si jurist në zyrën e Kryeministrit Adil Çarçani, si dhe në Ministrinë e Punës.

Nga viti 1994 deri më 1999, ai hapi një zyrë avokatie në Tiranë. Sipas biografisë së tij, më 1999 emigroi në Kanada ku punoi si jurist në zyrën e Emigracionit të Kanadasë, para se të kthehej në Tiranë më 2002 si avokat.

Më 2003 u zgjodh në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ai vijoi karrierën si avokat deri më 2006 kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë pa patur më parë eksperiencë si gjyqtar.

Si zyrtar i administratës publike, Lulo u detyrua të deklarojë pasurinë dhe të ardhurat që nga viti 2003. Në deklaratën e parë të pasurisë më 2004, Lulo shënoi se kishte nën pronësi një apartament në Tiranë me vlerë 68 mijë euro, të blerë me kursime personale dhe nga shitja e një shtëpie tjetër.

Ai kishte gjithashtu një apartament në ndërtim në Kanada me vlerë 100 mijë euro dhe një zyrë me vlerë 95 mijë euro, të gjitha të blera me fitimet e punës së tij si avokat.

Lulo deklaroi se kishte një llogari bankare në Toronto të Kanadasë me vlerë 400 mijë dollarë kanadezë, (324 mijë euro), të cilat i kishte fituar gjithashtu si emigrant.

Zyra e tij e avokatisë në Shqipëri qe regjistruar si biznes i vogël me të ardhura më të ulëta sesa 8 milionë lekë, (58 mijë euro) në vit, por rezulton se i dha atij afro 195 mijë euro brenda pesë viteve, nga 1994 deri më 1999.

Problemi me këto shifra është se ai gjatë kohës që punonte si avokat nuk deklaroi kurrë të ardhura më të larta sesa 1.2 milionë lekë në vit, (8700 euro), shkruan BIRN.

Deklarata se ai kurseu 400 mijë dollarë kanadezë në tre vjet punë në Shërbimin e Emigrimit në Kanada, sipas raportimit të BIRN, krijoi gjithashtu dyshime. Pagat për punonjësit publikë si juristë në Kanada janë mesatarisht 60 mijë dollarë kanadezë në vit.

Më 2005, ndërsa qe ende avokat, Lulo deklaroi se i ka kthyer të motrës, Drita, një kredi me vlerë 480 mijë dollarë amerikanë.

Ndërkohë, më 2008, gjykatësi mori një dhuratë nga e motra me vlerë 100 mijë dollarë dhe në vitin 2009, mori një dhuratë tjetër po nga e motra, gjithësej 172 metra katrorë zyrë në Tiranë, e cila vlen rreth 200 mijë euro.

I pyetur nga BIRN për të shpjeguar diferencat e stërmëdha mes kursimeve gjatë punës si avokat në Toronto dhe Tiranë dhe të ardhurave të deklaruara, apo arsyet se pse motra i bënte dhurata kaq të mëdha, gjykatësi refuzoi të përgjigjet.

Motra e Lulos, Drita, është një inxhiniere që punon për një kompani ndërtimi të quajtur “Teknoprojekt”. Mbetet e paqartë nëse motra e Lulos ka burime të tjera të ardhurash përveç pagës së saj.

Ndërkohë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i pati thënë BIRN-it në 2012 se deklaratat e dhuratave apo kredive me interes zero për zyrtarët e lartë janë një çështje shqetësuese.

Top Channel