Shërbimi i kirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza” është propozuar të
zhvendoset në Spitalin Ushtarak. Për shkak të amortizimit të godinës,
mungesës së investimeve, por edhe problemeve të tjera të karakterit
infrastrukturor për këtë shërbim administrata spitalore ka propozuar pak
kohë më parë të zhvendoset drejt qendrës spitalore ushtarake.

Po ashtu, një tjetër lëvizje do të pasonte si pjesë e paketës së propozimeve, kalimin e shërbimit të urologjisë brenda shërbimit të onkologjisë.

Kirurgët e qendrës spitalore, mjekët e QSUT-së fill pas kësaj kanë diskutuar kanë ballafaquar mendimet dhe argumentet dhe vendosën të nënshkruajnë një peticion dërguar propozuesit, qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” se si e mendojnë ata draftprojektin e paraqitur dhe çfarë do të thotë kjo për një spital terciar, sipas mendjes së ekspertëve dhe mjekëve më me përvojë në vend. Kirurgët shqiptarë, të cilët prej vitesh kanë punuar në QSUT, mendojnë se transferimi i kirurgjisë në Spitalin Ushtarak është tërësisht në kundërshtim me funksionimin e punës në këtë qendër spitalore. Kirurgjia ka nevojë për investime, rikonstruksion apo ndërhyrje të tjera emergjente, afatmesme e afatgjatë, por shërbimi i kirurgjisë nuk mund të transferohet në një qendër tjetër, me mungesa hapësirash e me 100 halle të tjera.

Peticioni

Sipas mjekëve, është e pamenduar mirë thuajse alogjike, lënia e një qendre spitalore universitare pa shërbimin e kirurgjisë. Puna e këtij shërbimi është e lidhur me pavijonet e tjera, me imazherinë, me diagnostikimin, me të gjitha shërbimet e tjera që funksionojnë si mbështetëse para apo pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Përpos kësaj, mjekët që kanë firmosur peticionin sqarojnë se një qendër terciare nuk mund të konceptohet dhe të punojë pa shërbimin e kirurgjisë.

Nuk janë aspak dakord as me kalimin e shërbimit të urologjisë pranë shërbimit të onkologjikut, pavarësisht problemeve që ka godina ku ndodhet, si dhe restaurimeve për të cilat ka nevojë ndërtesa e shërbimit në tërësi.

Nga ana tjetër, mjekët e qendrës spitalore më të madhe të vendit, nuk janë njohur me projektet e ndryshimet që kërkon administrata të bëjë në këtë qendër. Ata nuk janë dakord, kanë firmosur dokumentin, peticionin, dërguar qendrës spitalore universitare, Ministrisë së Shëndetësisë, Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, për të marrë një vendim, si dhe për të reflektuar pas mendimit dhe sugjerimeve të specialistëve të fushës, mjekëve që e kanë drejtuar e kanë dhënë kontribut për dekada të tëra.

Kundërshti të tjera lidhur me transferimin e shërbimit të kirurgjisë ka edhe nga mjekët e Spitalit Ushtarak, të cilët thonë se në këtë spital nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të pritur shërbime të tjera, për shkak se një pjesë e mirë e mjedisit në këtë qendër, prej vitesh është dhënë për privatizim.

Ushtaraku

Mjekët e Spitalit Ushtarak, të cilët kanë kundërshtuar heqjen e “gradave” të këtij spitali, si dhe cenimin e hapësirës publike, në dhëniet e koncesioneve, pritet të reagojnë për situatën e krijuar nga nisja e vitit 2013. Sipas tyre, nëse do të ketë transferime të shërbimeve nga spitali civil “Nënë Tereza” në Spitalin Ushtarak, qendra nuk ka pse të cenohet më tej, hapësira nuk ka pse të ngushtohet më tej pasi, edhe kaq shërbimeve të Ushtarakut po u “zihet fryma”. Por nëse do të merret vendimi për bashkim dhe bashkëjetesë të shërbimeve të QSUT-së me Ushtarakun, qoftë edhe një shërbim i vetëm me disa pavijone, atëherë hapësira e cenuar në spitalin e Laprakës duhet të rikonfigurohet dhe t’i rikthehet publikut si pasojë e kërkesës dhe nevojës që ka institucioni.

Gazeta “Shqip”

Top Channel