Juristët: Tenderi i Pollos, i paligjshëm!

19/04/2013 00:00

Tenderi prej 20 milion eurosh i cili pritet te perfundoje ne qershor
eshte cilesuar i paligjshem dhe plot hije dyshimi edhe nga ish-drejtori
Juridik i Radio Televizionit Shqiptar, Dorian Matlija.

Ligji i Prokurimeve Publike, detyron çdo subjekt te kete transparence ne kryerjen e nje tenderi publik, i cili duhet te kryhej nga AMA dhe nga Keshilli i Radio Televizionit Shqiptar.

“Po të ishte ndjekur rruga normale, të ishte bërë një projekt i vetë RTSH-së, atëherë do të ishte e mundur që të bëhej një procedurë e tenderit të hapur, dhe nëqoftëse kjo do të dështonte do të kalonim tek procedura me negocim. Në rastin konkret, kjo procedurë me negocim, e bërë kështu siç është bërë tani, ka tejkaluar disa hapa që janë të domosdoshme, ligji detyron autoritetet konktraktore. Procedura ka një problem tjetër që lidhet me njoftimet. Bëhet fjalë për një vlerë shumë të madhe dhe duhej, jo vetëm të ishte publikuar jo vetëm në faqen e Ministrisë së Inovacionit, por duhet të ishte publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe të ishte publikuar në një gazetë me shpërndarje në Evropë”, thotë Matlija.

Por veç ketij ngerçi nje problem tjeter mbetet menyra e financimit te ketij projekti, i cili eshte i cunguar dhe ende i paperfunduar. Juristi Matlija sakteson se parate per zhvillimin e ketij tenderi duhet te vinin nga buxheti i shtetit dhe jo me kreditim. Nderkaq projekti eshte i cunguar, kjo edhe nje tjeter arsye, pse MITIK kerkon te beje tender me ndermjetesim.

“Përsa i përket tenderit, mund edhe një moment të caktuar, nëqoftëse do të jetë i zhvilluar në mënyrë të parregullt mund të dështojë, por dhe se sepse është problemi i sanksioneve administrative apo penale, përsa i përket personave që po administrojnë procesin”, thotë Matlija.

Por perse ky tender po behet ne hije dhe me shpejtesi? Perse kerkesat e operatoreve privat, te cilet operojne ne kete treg tashme prej 10 vitesh, jane lene teresisht jashte, duke i lene nje tjeter fature te madhe taksapaguesve shqiptare, te cilet paguajne cdo vit taksen per RTSH-ne?

Reagon Pollo: Tenderi, jo kompetencë e AMA-s

Pas lajmit në Top Channel reagoi Ministri për Inovacionin dhe  Teknologjinë e Informacionit, Genc Pollo. Në një deklaratë për shtyp, ai thotë se tenderin mbi dixhitalizimin e RTSH-së nuk e ka kompetencë AMA.

Po ashtu Ministri Pollo, sqaron se Radio-Televizioni Shqiptar është shprehur zyrtarisht që për shkak të kompetencës dhe të rrethanave tekniko-organizative dhe ekonomike, nuk e merr përsipër organizimin e tenderit, si dhe i kërkon qeverisë që për një projekt të tillë, të një rëndësie të veçantë kombëtare, të merren ekspertë ndërkombëtarë, të specializuar në hartimin e dokumentave teknikë dhe të ftesës për ofertë.

Gjithashtu Këshilli Drejtues i RTSH-së, sqaron Pollo, është shprehur  plotësisht dakord me dokumentin e tenderit të përgatitur nga Autoriteti Kontraktues, Ministri për Inovacionin.

Në njoftimin për shtyp, theksohet se kalimi nga transmetimet televizive analoge në transmetimet digjitale është tërësisht një kompetencë e detyrim për t’u realizuar nga qeveria shqiptare, sepse brezi i frekuencave për transmetimet radio-televizive është një pasuri kombëtare, që administrohet nga qeveria shqiptare.

Sipas Pollos, gara në fjalë është një “Tender i Hapur Ndërkombetar”, një procedurë që mbështetet plotësisht në ligjin për Prokurimet Publike dhe se janë shumë kompani, por edhe banka, nga më të njohurat në Europë e më gjerë, që kanë shprehur interesin e tyre prej gati dy vitesh për të qenë pjesë e këtij projekti.

Historiku i transmetimeve dixhitale
Strategjia me mangësi, u përjashtuan operatorët privatë

Në vitin 2003 Shqipëria futet në listën e vendeve të para në rajon që nisi transmetimet dixhitale tokësore, DVB-T nga platforma Digitalb. Revolucioni teknologjik privat i gjeti krejtësisht të papërgatitura insitucionet rregulluese mediatike, të cilat nuk kishin asnjë akt ligjor për këto ndryshime.

Nisën bisedimet dhe konsultat e para. Por pa asnjë rezultat. Mbledhjet e gjata dhe zvarritjet burokratike të ekspertëve te KKRT, AKEPIT dhe KRRTVSH, bën që ky projekt të mbetej për shumë vite në sirtaret e këtyre institucioneve.

Në vitin 2007 Parlamenti shqiptar miraton ligjin për rregullimin e transmetimeve numerike në vendin tonë. Në të synohej liçencimi i operatorëve televizivë dixhitalë ekzistues dhe rregullimi i funksionimit të tij me ligj. Ky treg po zhvillohej dhe operatorë të tjerë po lindin.

Por sërish ligji kishte ende mangësi të mëdha. Kërkesat e operatorëve privatë, të cilët e ndërmoren këtë nisme dhe operonin në një treg të konsoliduar, nuk u morën parasysh.

Në 2 maj të vitit 2012, me VKM Nr. 292, qeveria Berisha miraton strategjinë e kalimit në teknologjinë e re. Një muaj më pas, me urdhër të ministrit për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, zotit Genc Pollo, për zbatimin e strategjisë së kalimit nga transmetimet analoge në transmetimet numerike caktohet zoti Sidrit Malevi, punonjës i kësaj ministrie.

Por si u krye hartimi i kësaj strategjie, në një kohë që në komisionin e medias diskutohej projektligji i mediave audiovizive, i konsultuar më parë nga ekspertët ndërkombëtarë?

Strategjia u hartua vetëm me përfaqësuesit e KKRT-së, AKEPIT dhe KRRTRSH-së, duke lënë tërësisht jashtë të gjitha mediat private dhe operatorët që praktikisht e krijuan dhe konsoliduan këtë treg.

Pas shumë debatesh, në komisionin e medias, grupet e interesit vunë në dukje se projektligji bie ndesh me stategjinë e hartuar nga Ministria e Inovacionit dhe nuk merr parasysh asnjë nga vërejtjet e bëra me shkrim nga grupet e interesit.

Shkelja më e rëndë ligjore, por edhe më e dukshme është se institucioni përkatës rregullator, pra ish-KKRT ose AMA e sotme, edhe pse e detyruar ligjërisht, rri jashtë këtij proçesi thelbësor për të cilin e ka marrë në tërësisht në dorë ministri Genc Pollo.

Dokumenti strategjik që hartoi kreu i MITIK, zoti Pollo, nuk pasqyron dhe nuk parashikon interesat aktuale të tregut. Janë 5 multiplekser të kompanisë Digitalb dhe 3 multiplekser të Tring, të cilët operojnë me kapacitete të plota. Pra, janë rreth 180.000 familje të cilat janë përdoruese të kësaj teknologjie.

Në strategji miratohen këto parametra teknike: Metoda e ngjeshjes së programeve (SD dhe HD) është MPEG-4 dhe teknika e transmetimit në ajër është DVB-T2. Ndërkohë që operatorët ekzistues në treg transmetojnë prej vitesh me parametrat MPEG-2 dhe DVB-T.

Në këtë dokument strategjik vendoset si kusht thelbësor shfrytëzimi i infrastrukturës së TVSH-së për të gjithë operatorët vendorë e rajonalë, në një kohë kur TVSH është në një gjendje të mjerueshme, ku nuk kryen dot detyrën e vetë publike e jo më të mbartë sistemet transmetuese për të gjithë këta operatorë vendorë dhe rajonalë.

Defekti tjetër ka të bëjë me paragjykimin objektiv për mosgarantimin e pluralizmit politik dhe diversitetin e mendimit nëpërmjet medias së lirë.

Cilatdo qofshin sanksionet e përcaktuara në ligj, nëse TVSH do të mbarte në multiplekserin e saj programe të tjera, ky proçes është i kompromentuar nga sjellja njërreshtore e këtij institucioni pas qeverisë, sjellje kjo që e karakterizon këto 10 vitet e fundit.

Edhe pas shumë kontestimeve të grupeve të interesit dhe ndërhyrjeve të partnerëve ndërkombëtarë, më 10 mars të vitit 2012 miratohet ligji për mediat audiovizive, pa votat e opozitës. 

Top Channel