Moore, vizitë urgjente në Tiranë   

17/04/2013 00:00

Kriza politike ku është futur Shqipëria pas zëvëndësimit të anëtarit të
KQZ-së, ka detyruar Departamentin Amerikan të Shtetit, të sjellë në
mënyrë urgjente në Tiranë, ndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit për
Euroazinë Jonathan Moore, i cili i ka nisur takimet me kreun e opozitës
Edi Rama. Takimi ka zgjatur 50 minuta por Moore nuk ka preferuar të japë
asnjë detaj se cfarë ishte biseduar.

Edi Rama pas largimit të Moore nga selia e PS dha këtë prononcim rreth takimit: “Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh, lidhur me gjendjen paraelektorale, duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe praktikisht rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri”.

Kryesocialisti Rama komentoi dorëheqjen e Denar Bibes nga posti i zëvendëskryetarit të KQZ-se.
“Unë ushqej respekt të plotë për Denar Bibën. Me aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional në kundërshtim të hapur me cënimin flagrant të integritetit moral dhe profesional të KQZ-së dhe të anëtarëve të KQZ-së”, thotë Rama.

Por kush dhe si do të zëvëndësohet vendi i lënë bosh nga Denar Biba? “Këtu nuk flasim për zëvendësime personash, por për rikthim në ligjshmëri të KQZ-së”, tha Rama.

Jonathan Moore u prit edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi. Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se: “Bumçi e siguroi zotin Moore se qeveria shqiptare është e angazhuar të zhvilloje një proçes zgjedhor të lirë dhe të drejtë, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”.

Meta: Pseudo-mazhoranca minoi KQZ

Pas takimit në selinë e LSI-s me Jonathan Moore, Drejtor për Çështjet e Europës Qëndrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Ilir Meta  duke e vlerësuar situatën politike në vend si të padëshiruar dhe dramatike apeloi për reflektim nga ajo që ai e cilësoi pseudo-maxhorancë të Sali Berishës.

“Kemi një shantazh të qartë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe opozitës  për të vënë dorë mbi zgjedhjet duke vënë dorë mbi qeverinë e pavarur të zgjedhjeve. Kemi edhe shumë simptoma të tjera shqetësuese dhe kritike. Pseudo-maxhoranca duhet të reflektojë urgjentisht përndryshe absolutisht që do të mbajë të gjitha pasojat dhe të gjitha përgjegjësitë për cdo problem dhe përshkallëzim të tensionit në vend. Vendi ka nevojë për procese konstruktive transparente dhe kushtetuese të ligjëshme, nuk ka nevojë për dhunë si ajo që u ushtrua me kartona në parlament. Ështe mometi për të reflektuar sa të jetë vonë”, tha zoti Meta.

Top Channel e pyeti Ilir Metën si mund të zgjidhet ngërçi në të cilin është futur KQZ pas largimit të dy antarëve të saj. Meta  mendon se nuk është dorëheqja e anëtarëve të KQZ-së ajo që e ka futur në ngërç këtë institucion. Sipas tij ajo që ka asgjësuar këtë institucion është ndërhyrja e dhunshme e pseudo-maxhorancës në kundërshtim me Kushtetutën me Kodin edhe në kundërshtim me të gjitha vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë.

Top Channel