Punonjës të shkarkuar nga CEZ-i protestuan kundër qindra largimeve nga puna, që siç shprehen ata janë kryer në mënyrë të paligjshme, pasi kompania u mor nën administrim nga shteti.

Ish-punonjësit thonë se deri më tani janë larguar nga puna 420 persona në të gjithë vendin, shifër që po rritet dita-ditës me justifikimin e ristrukturimit të stafit.

Ndërsa për rreth 900 punonjës të tjerë ka patur ulje në detyrë dhe përgjysmim të pagës.

“Ndër këta punonjës, shumica në moshë të re, ndër të cila nëna të reja dhe gra shtatzëna që nëpërmjet punës së ndershme në CEZ Sh.A. kishin ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen e tyre, me ardhjen në detyrë të zotit Sait Dollapi solli pas vetes një staf të ngushtë të krijuar nga UKT-ja Tiranë të cilët nisën një fushatë spastrimi ndaj punonjësve duke i quajtur këta si bashkëpunëtorë të çekëve dhe pengesë të synimeve të stafit Dollapi. Me sa duket, kriteri i vetëm i marrjes së punonjësve të rinj është besnikëria ndaj stafit Dollapi dhe familjariteti i krijuar me familjen e Dollapit”, thotë ish-punonjësi i CEZ-it, Uran Shtylla.

Punonjësit e larguar nga CEZ-i paralajmërojnë protesta të tjera cdo të martë të mbështetur edhe nga shoqëria civile.

Top Channel