Bulqizë, minatorët bojkotojnë punën

16/04/2013 00:00

Rreth 70 minatorë të zonës D në minierën e Bulqizës kanë ndërprerë punën në shenjë proteste ndaj kompanisë që menaxhon minierën.

Sipas informacioneve të fundit, minatorët e kanë ndërprerë punën pasi firma “Tur-Alb” nuk u ka dhënë pagat e muajve të kaluar dhe as raportet mjekësore.

Mësohet se policia private e kontraktuar nga kompania nuk i ka lejuar minatorët që të protestojnë para zyrave të saj.

Miniera e Bulqizës njihet ndryshe si miniera e vdekjes për shkak të numrit të lartë të minatorëve që kanë humbur jetën në të.

Kushtet e punës dhe siguria e minatorëve lënë për të dëshiruar, ndërkohë që kësaj i shtohet edhe keqmenaxhimi nga kompanitë që kontrollojnë nëntokën.

Muajin e kaluar policia kreu një kontroll të imtësishëm të të gjitha mjeteve që transportojnë krom nga Bulqiza në drejtim të portit të Durrësit.

Pas një përplasjeje me armë mes grupeve që kërkojnë të mbajnë nën kontroll në mënyrë të jashtëligjshme zonën D të minierës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë nisi kontrollin e personave që shfrytezojnë kromin në mënyrë ilegale.

Për të mbështetur këtë operacion në Bulqizë u vendosën për disa ditë forcat speciale, të cilat ushtruan kontrolle sidomos në zonat më problematike të konflikteve mes palëve për zaptimin e galerive të kromit.

Top Channel