Historia e jetimit 16-vjeçar

13/04/2013 00:00

Ai ishte 4 vjeç, kur u braktis nga nëna që se njohu kurrë.I mbetur jetim
që në moshë të vogël, Marsel Qeleshi nuk provoi kurrë dashurinë e
prindit dhe ngrohtësinë e familjes.Por mesa duket nuk e gjeti këtë
ngrohtësi as në dy shtëpitë e fëmijës dhe disa qendra të shërbimit
social, ku u rrit gjatë këtyre viteve.

Pranë Shërbimit Social Shtetëror gjendet një dosje voluminoze e Marselit, ku kujdestarë të tij janë ankuar në vite për sjelljen e jetimit që thyente shpesh urdhërat, madje në disa raste ishte dhe i dhunshëm.Për Shërbimin Social ai mbeti gjithnjë një fëmijë problematik, që nuk u përpoq për asnjë moment të integrohej, megjithëse nga ana e tyre nuk mungoi interesimi për të.

“Ndaj Marselit janë ofruar të gjitha mundësirat që të integrohet dhe të jetë si gjithë fëmijët e tjerë. Dosja e tij është cuar në Komitetin Shqiptar të Birësimeve, për të kaluar si rast për t’u marrë në shqyrtim. Nuk ka patur asnjë familje birësuese që të shprehë interes për fëmijën”, thotë Ermelinda Spaho, specialiste e Sherbimit Social.

Marseli e justifikon rebelimin e tij duke kujtuar se në ato vite dënohej shpesh nga kujdestarët dhe për gabime sipas tij mjaft të vogla që mund të bënte.

Sot ai është adoleshent, por ka kryer vetëm 4 klasë shkollë dhe i vetmi motiv në jetën e tij është të bëhet këngëtar.Këtë dëshirë e njohin dhe specialistët e Shërbimit Social, të cilët i kanë premtuar se do ta mbështesin.

“Po mundohemi dhe me Top Channel, drejtuesit kanë marrë iniciativën që të përfshihet në Top Fest dhe në aktivitete, të cilat ofrojnë mundësi të rinjve për të shfrytëzuar hobit dhe interesat e tyre në lidhje me muzikën”, thotë Spaho.

Në muajin shtator, Marseli thotë se do të nisë dhe kursin për kompjuter pranë Qendrës të Formimit Profesional. .Ai ka njohuri të mira në anglisht dhe duket se dëshiron të ndryshojë rrjedhën e jetës së tij, duke u përpjekur të fitojë kohën e humbur dhe të gjejë veten në shoqëri, megjithë paragjykimet e problemet që i duhet të kapërcejë.

Top Channel