Pranga rojës, vodhi 20 mijë euro në bankë

10/04/2013 00:00

Një tjetër punonjës banke e nivelit të dytë ka rënë në pranga në Tiranë,
pasi në mënyrë sistematike, ka vjedhur para nga llogaritë e klientëve.

Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga kanë vënë rojën e sigurisë private, 53-vjeçarin Kujtim Vata, sepse dyshohet që të ketë vjedhur rreth 20 mijë euro. Mësohet se Vata punonte në këtë bankë prej disa kohësh dhe me mirëbesim ai u ka kërkuar punonjësve të bankës disa autorizime dhe në sajë të tyre, ai kishte mundësi që të ndërhynte në llogaritë e klientëve për të tërhequr prej andej këste të konsiderueshme parash.

Shuma e llogaritur kap vlerën e 20 mijë eurove. Vjedhja e tij është vënë re në një hark shumë të shkurtër kohor, pasi klientët janë ankuar tek drejtuesit e filialit të bankës, ku punonte roja i sigurisë private. Ekspertët e financës kanë ndërhyrë në sistem dhe vunë re se nga llogaritë bankare të 20 klientëve ishin tërhequr para. Drejtuesit e bankës kanë kallëzuar rastet në polici, ndërsa kjo e fundit ka zbuluar autorin, duke e vënë në pranga.

Top Channel