Dëmshpërblimi, mbahen “peng” 1.5 mld lekë

10/04/2013 00:00

Zhdëmtimi që duhet t’i bëjë kompania siguruese të gjithë të dëmtuarve
nga aksidenti i Himarës është 1.5 miliardë lekë të vjetra. Studentet që i
mbijetuan aksidentit tragjik më 21 maj 2012 kanë nisur tashmë një luftë
publike për t’i kërkuar kompanisë që t’i dëmshpërblejë, e cila i ka
zvarritur që prej një viti.

Blerina Çereni, në emër të studenteve që i mbijetuan aksidentit, ka deklaruar se janë të indinjuara për faktin se kompania nuk ka disbursuar paratë për pasojat e aksidentit. Vlera që kanë mësuar studentet gjatë interesimit pranë kompanisë, është 1.5 miliardë lekë të vjetra, por ato ende nuk e dinë ndarjen e kësaj shume dhe faktin se sa duhet të marrë secila prej tyre.

Reagimi

“Me anë të kësaj deklarate për shtyp, ne kërkojmë që kompania, e cila ka për detyrë të na dëmshpërblejë financiarisht, të kryejë menjëherë detyrimet ligjore të përcaktuara në ligj. U bënë 11 muaj nga ngjarja dhe ne po sorollatemi ende pa marrë një përgjigje. Duhet të dijë i gjithë opinioni publik se shëndeti ynë është ende me probleme dhe na duhet të kryejmë herë pas here vizita mjekësore. Këto vizita janë të kushtueshme, ndaj dhe familjet tona nuk mund t’i përballojnë ato. Për këtë arsye kërkojmë që paratë e përcaktuara për dëmshpërblim të na jepen sa më shpejt. Ne kërkojmë mbështetjen e shoqërisë civile dhe të medias, pasi fatkeqësia jonë mund t’i ndodhë çdokujt. Dhe moszbatimi i ligjit për dëmshpërblimin tonë mund të vihet në veprim edhe në raste të tjera. Me këtë deklaratë, ne i drejtohemi edhe një herë kompanisë të reflektojë. Ne nuk do të lejojmë që të tallet me gjakun dhe jetën tonë. Fillimisht do të presim reagimin e saj dhe strukturave shtetërore, në të kundërt do të fillojmë protestat të mbështetura edhe nga studentët. Madje, nëse nuk do të ketë reflektim, do të shkojmë deri në grevë urie”, u shprehën vajzat e aksidentuara në deklaratën e tyre.

Janë familjet e 13 viktimave dhe rreth 26 studente të plagosura, që presin dëmshpërblimin nga kompania e sigurimit të autobusit që transportonte studentët e Universitetit të Elbasanit. 13 persona humbën jetën, ndërsa 26 të tjerë pësuan dëmtime të rënda. Edhe pse kanë përgatitur dosjet dhe i kanë depozituar pranë kompanisë që në shtator të vitit të kaluar, të mbijetuarat e Himarës, ende nuk dinë sesa është vlera që duhet të dëmshpërblehet secila prej tyre dhe kur do të ndodhë.

Një ditë më parë, ato u shprehën se kompania u nxjerr justifikime të ndryshme, duke u kërkuar të ribëjnë vizitat, me qëllim që të minimizohet shuma që duhet të paguhet. “Herën e fundit që isha pranë zyrave të kompanisë së sigurimeve, më kërkuan që të bëja dhe një vizitë te mjekoligjori me skaner, ndërkohë që mua ma kanë ndaluar mjekët që të bëj vizita me skaner, pasi rrezet e tij më shkaktojnë probleme, sepse e kam kaluar numrin e rekomanduar për të bërë vizita me rreze”, u shpreh një ditë më parë Alma Deda, studente e aksidentuar. Deda gjithashtu deklaron se zyrtarë të kompanisë i kanë thënë se ata nuk e njohin dëmin psikologjik që u është shkaktuar, pas sipas tyre, për ata nuk ka vlerë.

Top Channel