Spahiu në “Shqip”: Kundër paktit Rama-Meta

08/04/2013 00:00

Aleanca Kuqezi e konsideron si “kërcënim” ftesën e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama për koalicion dhe deklaron se do të vendosë për mënyrën se si do të dalë në zgjedhjet e 23 qershorit pas përfundimit të një sondazhi që po kryen mes mbështetësve të saj, pikërisht për këtë cështje.

Kjo ishte ajo cfarë la të kuptohej në studion e emisionit Shqip në Top Channel me gazetaren Rudina Xhunga, kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu. Fillimisht zoti Spahiu foli për protestën e ditës së dielë që AK mbajti para godinës së kryeministrisë.

“Protesta ishte akumulim i energjive të Aleancës Kuqezi për të demostruar një filozofi dhe doktrinë ndryshe në mënyrën se si ne konceptojmë rotacionin e pushtetit. Filozofia e AK është ndryshe nga partitë e tjera. Ne kemi bindjen se ky sistem prej 20 vitesh ka nevojë për një rrënim që të kemi sjelljen e një elite të re politike. AK ka filozofi për mënyrën e rotacionit dhe dy parime; Partia Demokratike duhet të pësojë humbjen historike që të marrë leksion dhe të mos vuajmë për të paktën 2 dekada dhe 2 të fusim kulturën e ndëshkueshmërisë, standardi i ri që Berishën t’ia dorëzojmë drejtësisë. Të ngremë këtë koncept sic e kanë ngriut kroatët, serbët dhe fqinjët tanë”, nisi fjalën e tij kreu i AK-së.

Më tej Spahiu shtoi se protesta arriti qëllimin e saj duke thyer frikën e popullit opozitar për të protestuar kundër qeverisë që prej 21 janarit të 2011-ës. Ai tha se kryeministri Berisha duhet të largohet menjëherë nga qeveria sepse zgjedhjet janë në rrezik me të në krye.

“Protesta synonte të vriste frikën që nga 21 janari 2011 asnjë forcë opozitare të mos marshonte më për t’u përballur me pushtetin. Ne vramë frikën, treguam që jemi më të vendosur se kurrë që të largojmë shtetasin Berisha, këtë njeri megjithë taborë dhe bandën e tij. Maratona e protestave duhet të vazhdojë. Në emër të gjithë qytetarëve të papunë, në emër të familjarëve të të vrarëve më 21 janar, Gërdecit për të treguar një revoltë popullore që të tregojmë që rotaconi nuk vjen duke u ndarë qeveria Berisha përgjysmë. Ne mendojmë që po sjellim një risi. Largimi i shtetasit Berisha dje drejt Azerbajxhanit tregoi frikën e tij ndaj popullit të vet. Me shtetasin Berisha kryeministër nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai i ka bërë llogaritë mirë, ka bërë llogaritë e tij si do grabisë votën”, tha Spahiu.

Por si do të mbrojë Aleanca Kuqezi votën e saj? Për këtë zoti Spahiu tha se 1 javë para do të thërriten vëzhguesit e AK-së që do të betohen mbi Zot, Kushtetutë e Flamur për mbrojtjen me gjak të votës. Ai shprehu bindjen se forca e tij politike do të mundë të mbrojë votat e veta.

“Jemi të bindur që votën tonë do ta mbrojmë me njerëz besnikë që besojnë në Zot, Flamur dhe Kushtetutë. Ne do të nxjerrim vëzhguesit tanë 1 javë përpara publikut të betohen para Zotit Kushtetutës, Flamurit për të mbrojtur me gjak votën e tyre ashtu sikundër cdo cënues i votës së AK-së duhet ta dijë që do të jetë në gjak me mijëra kuqezinj. Nëse e merr përsipër këtë risk, le ta provojë. Ne jemi të bindur që të realizojmë atë që se bëri ky njeri faqezi që erdhi në 2005 me premtimin për zgjedhje të lira, por që i shkatërroi ato akoma më keq, se  do të marrë përgjigjen e merituar”, deklaroi kreu i AK-së.

Lidhur me ftesën publike të kryesocialistit Rama drejtuar Aleancës Kuqezi për t’u rreshtuar në të njëjtën llogore opozitare, Spahiu e quajti atë “një kërcënim”. Ai tha se nuk ka asnjë ftesë për koalicion dhe e quajti ultimatum kërcënues deklaratën e Ramës për t’iu bashkuar pjesës tjetër të opozitës.

“AK nuk ka marrë asnjë ftesë për koalicione të mundshme. Deklarata e djeshme ka lënë një shije shumë të hidhur për mbarë opinionin kuqezi. Kemi 1 vit e gjysmë që jemi një nga opozitat më radikale dhe dje kur kishim aksionin final për betejën për largimin pa kompromis të shpurës së halabakëve të Sali Berishës vjen në të njëjtën kohë deklarata prej 45 minutash e liderit të opozitës zyrtare që nuk bëri ftesë por kërcënoi Aleancën Kuqezi. Të thuash o me ne o jemi kundërshtar, kjo nuk është ftesë për bashkëpunnim. AK do shohë me gjakftohtësi të gjithë situatën. Koalicioni i cili u ndërtua me gjysmën e qeverisë i ka kushtuar 1 orë jo shpresës së 3 mln shqiptarëve, për 1 orë shqiptarët pyetën kush doli më i fituar nga këta 3 veta, Rama, Berisha apo Meta. Ne jemi të vendosur që populli shqiptar nuk kërkon që pas 23 qerhsorit të ketë sërish ministrat e shtetasit Berisha. A është normale që të kemi një pushtet me gjysmat e ministrave, qofshin këta të LSI-së edhe për katër vjet? Cfarë do ndodhë nëse ministrat e Berishës të shkonin në opozitë, do t’i pranonte populli këta? Koalicionet duhen ndërtuar mbi parime. Ajo cka nuk është normale që shohim qoka kafesh,rakish, drekash. LSI në korrik deklaroi se mund të ishte me PD, në shtator me PDIU, në nëntor me PBDNJ, nga janari tha do shohim zgjedhjet e do bëhemi me fituesit. Të gjithë janë në të drejtën e tyre të vendosin dhe ne s’ndërhyjmë, por ajo që themi është se llogaria e votës nuk bëhet sipas xhepit të kryetarëve të partive, por sipas interesave publikut”, tha Spahiu.

Sa për mënyrën e daljes në zgjedhje të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu tha se janë duke u kryer sondazhe për të përcaktuar se ku e gjejnë veten mbështetësit e AK-së, nëse duan që në zgjedhje të shkohet të vetëm apo në koalicion dhe nëse në koalicion, me kë. Ai la të kuptohej se vendimi AK-së do të merrej në bazë të këtij sondazhi, por përjashtoi kategorikisht bashkëpuninim me Partinë Demokratike dhe PBDNJ-në.

“AK duke patur një orientim të qartë ka nisur një sondazh për të testuar gjithë publikun se si dëshiron që AK të jetë në zgjedhje. Nëse dëshirojnë koalicion me kë. Përjashtohet kategorikisht cdo hapësire bashkëpunimi me Partinë Demokratike të paktën edhe për një dekadë. Ne do pyesim elektoratin për koalicionet. Ne mendojmë që është e rëndësishme që publiku të vlerësojë se si nuk e lëviz votën, të vetëm, aleatë, koalicion dhe ajo cka është më e rëndësishme, AK ka disa prioritete të palëvizshme. S’mund të thuash do bëjmë aleancë pa patriotizma. S’mund të bëhet aleancë e tillë. Kemi prioritet realizimine aspiratave të shqiptarëve për bashkim kombëtar, prioritet futjen e kulturës së ndëshkimit për Berishën dhe gjithë ministrat, ndarjen e pushtetit, kufizimi i mandateve politike për ministrat etj. Dhe ne nuk do të bëjmë asnjëherë një koalicion me një parti që kërkon pavarësinë e vorio-epirit dhe krijimin e Greqisë së Madhe. Kauzën tonë patriotike nuk e shesim me karriket e pushtetit”, deklaroi kreu i AK-së.

Duke iu rikthyer sërish ftesës së PS-së, Spahiu tha: “PS është mësuar me ftesa. Ka një ftesë që e ka konsideruar me LSI-në në mënyrë zyrtare. Kanë precedentë në këtë gjë. Kam përshtypjen se mes ftesës për LSI dhe kërcënimit ndaj AK ka një qendrim shumë thelbësor dhe ftoj socialistët, të majtët, FRD-në që kur t’i drejtohen AK duhet të kenë parasysh që është risi shekullore në politikën shqiptare dhe ne do t’i mbrojmë parimet tona që i kemi ngritur me thonj e gjak për 1 vit e gjysmë”.

Koalicioni PS-LSI

Ndërkohë, pjesa e parë e “Shqip” trajtoi koalicionin PS-LSI. Të ftuarit e gazetares Rudina Xhunga ishin Spartak Ngjela, kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi, në aleancë me koalicionin opozitar, politikanët dhe njëkohësisht analistët Fatos Klosi e Alfred Cako, e analisti Shpëtim Nazarko. Ata debatuan mbi natyrshmërinë e moralitetin e koalicionit të majtë, si dhe numrat që palët do të kenë në dorë përpara zgjedhjeve.

Duke komentuar këto zhvillime, Fatos Klosi, i cili u largua nga LSI pasi ajo formoi koalicionin me PD-në, komentoi: “U largova sepse ishte një lëvizje e panatyrshme dhe jam pjesë e atyre që e përkrahin këtë koalicion tani. Pavarësisht se kanë dalë shumë kritikues, mua më duket që është e drejtë. Është thënë shumë qartë që është bërë edhe për pragmatizëm, pasi u pa që me koalicionin e mëparshëm nuk shkuam gjëkundi dhe sot jemi më keq seç ishim. Unë kam qenë gjithmonë në politikë, them kështu edhe sepse e konsideroj si një aktivitet të gjerë, i bërë për të ndryshuar diçka për mirë në këtë vend, që nuk bëhet as nëpërmjet shkencës dhe artit, pasi në këtë sistem është politika ajo që e drejton vendin. Nga ana tjetër, është e qartë që të dy partitë kanë sakrifikuar diçka, për të arritur në këtë pikë, që për mua është e logjikshme. E vërtetë që është një koalicion mes dy personave që kanë sharë njëri-tjetrin, por arsyeja më duket e thjeshtë. Në fund të fundit, këta kanë përballë një njeri që vret”.

Në vlerësimin e tij për koalicionin, Alfred Cako, i atashuar pranë “FRD”-së, tha: “Mendova se ishte një aleancë e drejtë LSI-PD në atë kohë, ndërsa tani mendoj se përsëri LSI, në qoftë se do të kishte dalë në këto vite me imazh pozitiv, nuk kishte ndonjë gjë të keqe të ishte bashkuar me PS, por mendoj se të gjitha partitë opozitare sot, po përpiqen të largojnë qeverisjen e zotit Berisha dhe secila të mbledhë elektoratin. Sidoqoftë, ky bashkim duket i gabuar si moralisht, ashtu edhe në pikëpamjen arithmetike. Unë mendoj se pas kësaj lëvizje fshihet përsëri Berisha”.

“Kjo lëvizje, së pari është një lëvizje e tipit pragamtik dhe lëvizje e ardhur nga sistemi zgjedhor, pasi sistemi zgjedhor i 2008-s është një sistem që nuk lejon një opozitë të fortë dhe të dobët. Duke pasur parasysh që në Shqipëri, kur je në nivele të vogla, ai në krye të shtetit fut dorën, është e kuptueshme që Rama ka bërë këtë histori, duke u nisur nga karakteri pragmatik i ngjarjeve, thënë troç i ra shkurt”, argumentoi Nazarko.

“Kjo është zgjidhja e tij dhe besoj se e ka bazuar këtë edhe në një anën tjetër, pasi Rama nuk është partiak, është invidualist, një invidiv i talentuar dhe një administrator shumë i mirë i Tiranës. Ai ka vënë veten në plan të parë, duke thënë që nëse bëhem kryeministër, s’më interesojnë fare këto historitë partiake e morale, por dua të kem numrat. Në këtë zgjedhje ai vendosi veten e tij në plan të parë. Për mua, kushdo të jetë në opozitë Berisha ka humbur, sepse është shpartallur vendi ekonomikisht. Unë e quaj që historia e tij është e mbyllur. Enigmë është kompozimi i palëve deri në 23 qershor, pasi sot i ka bërë thirrje edhe PBDNJ-së, AK-së, PDIU-t, por është shumë e vështirë të bashkosh ujkun, dhinë e lakrën në një varkë, siç thotë populli”, shtoi Nazarko.

Nga ana e tij, avokat Ngjela, theksoi se lëvizjet politike, nuk mund të konceptohen mbi bazën e “zakonit”, pasi siç tha ai, morali është diçka tjetër dhe morali politik është vetëm ai që mbështetet mbi ligjin e asgjë tjetër. “Nuk them se ka qenë lëvizja e Ramës, pasi lëvizjen e ka bërë Meta. Rama ishte pritës, ai tjetri dorëzoi pushtetin. Ç’lëvizje është kjo? Unë e shoh si historike, nga ana e Metës. Kjo garantoi fitoren, edhe ata që e kritikojnë e pranojnë këtë. Morali është jashtë çdo sensi në këtë kuptim. Analistët e gazetaristë e kanë tepruar sepse s’janë në një peshë e një masë. Të bisedosh për moralin, filozofikisht asnjë prej tyre nuk di. Këta gazetarë flasin për zakonin, jo për moralin. Zakoni shumë shumë është kulturë e një vendi, e një populli, e një shoqërie. Moral në politikë është vetëm ligji. Politika ka rregulla dhe morali politik është ligji, pasi edhe ai vjen nga morali. A është shkelur ndonjë ligj këtu? Jo, asnjë. Kush e ka shkelur ligjin dhe analitika hesht? Saliu ka shkelur ligjin kur mori tre deputetë të PS dhe mendohet se i ka blerë. Ky është krim nëse vërtetohet”.

Top Channel