Kapen gjurmët e “materies së zezë”

04/04/2013 00:00

Dy vjet pasi u dërgua në stacionin ndërkombëtar të hapësirës, një detektor gjigant grimcash ka siguruar të dhënat e para që do të ndihmojnë fizikantët të njohin pak më mirë “materien e zezë”, që besohet se përbën pjesën dërrmuese të universit.

Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve dhe fizikantëve që drejton “Alpha Magnetic Spectrometer” publikoi të mërkurën në Zvicër, nga zyrat e Organizatës Europiane e Kërkimeve Bërthamore, njohur gjërësisht si CERN, gjetjet e deritanishme në lidhje me “materien e zezë”.

Ata po studiojnë fluksin kozmik të grimcave për të gjetur gjurmë të grimcave me ngarkesë të lartë energjie që mendohet se përbëjnë “materien e zezë”, përplasja e të cilave me njëra-tjetrën i asgjeson që të dyja.

Në një deklaratë të lëshuar ditën e mërkurë nga CERN thotë se pozitronet e kapura nga struktura gjigante e hedhur në hapësirë posacërisht për këtë objektiv, kanë ngjashmëri të madhe me pozitronet e “materies së zezë”, por është ende shpejt, sipas tyre, që të thuhet me bindje të plotë se këto grimca i përkasin materies misterioze që prej dekadash mundon shkencëtarët.

Në dekadat e fundit fizikantët dhe astronomët kanë mbërritur në përfundimin se vetëm 5 përqind e universit përbëhet nga atomet, dhënë më qartë, nga ajo që ne mund të shohim, ndërsa pjesa tjetër është e përbërë nga materie ende të pakapura nga syri dhe teknologjia njerëzore të paktën deri më sot.

71 përqind e universit mendohet se përbëhet nga ajo që shkencëtarët e quajnë “energjia e zezë” dhe 24 përqind mendohet se është volumi i “materies së zezë” në univers.

Studimet e fizikantëve janë përqendruar në gjetjen e përbërësve të këtyre materieve, të cilat nuk bashkëveprojnë me materiet “e zakonshme” dhe nuk janë hasur asnjëherë drejpërdrejtë.

Top Channel