Top Show, rrokada Meta!

03/04/2013 00:00

Pas deklaratave të fuqishme të drejtuesve më të lartë të të majtëve europianë, Papandreu, Gianni Pittella e Sergei Stanishev, për bashkimin e Ramës me Metën në zgjedhjet e 23 qershorit, mënyra e vetme kjo për të mposhtur Sali Berishën dhe për të nxjerrë vendin nga kriza, ka ardhur edhe reagimi i parë i Partisë Socialiste, kryetari i së cilës, Edi Rama, publikisht i ka bërë ftesë zyrtare LSI-së, për një koalicion parazgjedhor, i cili ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare të partisë së drejtuar nga Ilir Meta.

Të ftuar në emisionin “Top Show”, të drejtuar nga Alban Dudushi, kanë
qenë Luan Rama, sekretar i përgjithshëm i LSI-së, Adri Nurellari,
sekretar politik i PDIU-së, si dhe analistët Eduard Zaloshnja e Shpëtim
Nazarko.

Sa i përket zyrtarizimit të largimit të LSI-së nga qeverisja, ka qenë Luan Rama, ai që ka folur se cdo vendim do të merret në forumet e partisë.

“Kanë folur të gjithë, mbi atë që është konsideruar si diçka e parashikuar, në lidhje me atë që është thjesht një ftesë zyrtare e Partisë Socialiste për koalicion parazgjedhor me LSI-në. Ne po përpiqemi të lexojmë qartë peshën e kësaj lëvizjeje, e më pas do të vlerësojmë në lidhje me interesin kombëtar, për të harmonizuar vendimin me procesin e integrimit të vendit. Në fund të një mandati politik qeverisës, është krejt e udhës që cdo forcë politike të bëjë kalkulimet e nevojshme të asaj që ka bërë, dhe të prognozojë se cfarë do të bëhet më tej. Sot ka ardhur një ofertë dhe kjo është në parim, pasi nuk dimë me imtësi se cfarë përmban kjo ofertë. Ky është një proces ofertash dhe harmonizimi i interesave në lidhje me integrimin e vendit, do të përbëjë bazën e vlerësimit për të ardhmen, duke mos e parë këtë procesi si ‘të cmendur’, por një proces parazgjedhor”, deklaroi Luan Rama.

“E dëgjova me vëmendje kryeministrin sot, i cili ishte i kujdesshëm për të mbajtur një qëndrim ndaj komenteve të bëra, sesa për të thënë atë që nuk thanë mediat. Berisha shprehu bindjen se do të zgjdhë problemin, për të mos i shkaktuar dëme qeverisjes së vendit. Po, ka patur një takim mes Metës dhe Berishës ditën e hënë, krejt e natyrshme që të ndodhë mes dy aktorëve të rëndësishëm, i cili ka patur për objekt gjithcka që pritet të ndodhë për të ardhmen. Më lejoni të shpreh vlerësimin tim, një lloj skepticizmi, pasi nuk mjafton vetëm një ftesë apo një dëshirë e një force politike për t’u bërë pjesë e një koalicioni për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjet e ardhshme, gjë që nuk mjafton vetëm të votojmë 3 ligjet e integrimin. Ne jemi në fund të marrëveshjes, jemi të detyruar të bëjmë një bilanc të qeverisjes sonë, dhe nga kryeministri kemi dëgjuar se ka patur një bashkëqeverisje pozitive. Ne nuk mund të presim 23 qershorin, për të rënë gongu për prishjen e marrëveshjes sonë, por jemi duke e bërë që tani këtë analizë, megjithatë dua të them se ende nuk kemi diskutuar asgjë me forumet tona politike. Do të jetë konventa e LSI, ajo që do të japë verdiktin final, pas shqyrtimit të cështjes dhe analizave me forumet tona politike”, shtoi më tej Rama.

“Kemi parë një konkludim të Edi Ramës, i cili mendon se për të fituar zgjedhjet e ardhshme ka parë të arsyeshme përfshirjen e LSI në koalicionin parazgjedhor. Por ne do të shqyrtojmë këtë ftesë në funksion të dimensionit europian të vendit. Duam të jemi në rregull me partnerët në koalicion apo jashtë koalicionit, për të marrë në shqyrtim të gjitha opsionet e mundshme, qoftë ftesa konkrete e Partisë Socialiste, qoftë marrëveshja që kemi ende me PD-në, apo me forca të tjera, të afta për sfidën europiane të vendit”, shtoi Luan Rama.

Sa i përket shqyrtimit të ftesës së Edi Ramës, burime të pakonfirmuara thonë se LSI do të mblidhet ditën e mërkurë për ta parë me shumë seriozitet. Por, Luan Rama nuk e konfirmon zyrtarisht, nëse do të ketë një mbledhje të forcës, që ai përfaqëson.

“Fjala e sekretarit të LSI-së, për mendimin tim, është korrekte”, thotë Shpëtim Nazarko. “Tashmë ideologjizmat kanë mbaruar, kështu që sjellja me korrektesë e LSI ndaj të gjithë aktorëve dhe faktorëve më duket normale. Në të drejtën tonë, si analistë apo përtej analizës, duke iu referuar ngjarjeve të djeshme e të sotme, mund të them se terminologjia do ta marrë formën zyrtare, me largimin e LSI dhe ndoshta me afrimin me PS-në. Qendrimi më konsistent i LSI-së më duket se mund të jetë krijimi i një poli të tretë, i cili do t’i shpëtonte moralin politikës, ndërsa afrimi me PS-në më duket disi më i dobët nga ana e partisë së Ilir Metës, e megjithatë do të jetë në dorën e tyre të vendosin. Janë vet ata, që përtej termave si integrimi, ligjet etj, do të vendosin se cila do të jetë ngjyra e tyre përpara zgjedhjeve të 23 qershorit. Besoj se ky është një qëndrim i koordinuar i partive të majta, si dhe një qëndrim tepër i saktë i sekretarit të LSI-së në afatshkurtër, gjë që e bën këtë parti në pozicionin e të privilegjuarës”, sqaroi Nazarko.

“Pavarësisht se mediat dhanë një lajm mbi hipotezë, thashethem apo ku ta di unë, në lidhje me largimin e Metës nga qeveria, kalimin e tij te Rama, mënyra se si do zgjidhet cështja e qeverisjes… Sot kemi patur një deklaratë zyrtare të Partisë Socialiste, që në emër të interesit kombëtar dhe fitores së të majtës, bënë një ftesë zyrtare për LSI-në. Mund të them se një situatë ofertash ishte edhe në 2009-n, kur PS-ja kërkonte sërish koalicionin para apo paszgjedhor me LSI-në për të fituar, por që për një arsye apo për një tjetër, nga LSI nuk pati një përgjigje pozitive. Ne duhet të presim, sepse ky proces ka nevojë për hapa të tjerë për ta bërë më të besueshme ofertën, pasi gabimet në të kaluarën nuk mund të na lejojnë të bëjnë veprime foshnjërore”, shtoi Luan Rama.

“Ky është një zhvillim që pasuron koloritin politik, duke patur parasysh edhe krijimin e dy partive të tjera të rëndësishme, që kërkojnë të sfidojnë dy “big”-et e mëdhenj. Në këtë mënyrë, nuk do të kemi vetëm diskutime se cila nga dy fuqitë kryesore politike do të zaptojë pushtetin, por tashmë kemi më shumë opsione për argumentime se si do të rrjedhin ngjarjet. Politika nuk duhet të shihet vetëm bardhezi, ndaj kjo është gjë e mirë për të patur më shumë alternativa, e konsideroj një lëvizje normale dhe legjitime këtë të LSI-së, pavarësisht se e trazon paksa moralin e politikës. Për mendimin tim është e pranueshme në logjikën e demokracive bashkëkohore, pasi pritet me sistemin e ri politik të vijë një fragmentim i politikës shqiptare”, tha Adri Nurellari.

“Tashmë dimë bërjen zyrtare të një ftese të Partisë Socialiste për një bashkim me LSI-në, ashtu sikurse dimë edhe thirrjet e politikanëve më të lartë të të majtëve europianë. Ka patur gjithashtu një aksion zyrtar, si ftesa e Fule-s për një takim mes tyre, që sipas interpretimit tim zoti Fule ka parë te LSI një faktor zhbllokues të situatës politike shqiptare. Ky është një supozim i imi, por ndoshta në komisionin europian LSI është parë një faktor, që mund të ndryshojë politikën shqiptare”, komentoi më pas Eduard Zaloshnja.

“Ne vazhdojmë të përmbushim me korrektesë cdo detyrë që kemi ndërmarrë për realizimin e marrëveshjes me PD-në, por jemi edhe duke shqyrtuar opsionet për zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse jemi përballë marrëveshjes ekzistuese, para situatës zgjedhore për të ardhmen, jemi investuar dhe po shikojmë se cfarë mundësish do na bëjmë më mirë, përfshi këtu edhe opsionin për një koalicion me forcat e treta, përtej dy forcave kryesore, për 23 qershorin. Ne nuk e shohim si cështje individësh këtë situatë, as për të hequr Berishën nga pushteti dhe as për të sjellë Ramën në pushtet. Thjesht po bëjmë kalkulimet elekorale për një periudhë afatgjatë, nëse ftesa e marrë është thjesht një ftesë për të ndryshuar qeverisje, apo për të zgjidhur shumë cështje të rëndësishme përfshi edhe përmbushjen e mesazheve të europianëve, që kërkojnë një qasje tjetër të politikës shqiptare ndaj interesave të vendit. Ne si LSI, kemi ushtruar presion që të kalohen të gjitha pengesat ndërpartiake, për të arritur në një vlerësim të përbashkët për zhvillimin europian të vendit, pasi 20 vjet pas dëshirës për ta bërë Shqipërinë si Europa, kemi një kosto tejet negative”, u shpreh Luan Rama, duke theksuar në këtë mënyrë se kjo fazë është tepër e rëndësishme për partinë ku ai bën pjesë.

“Kemi parë se LSI ka qenë 4 herë përcaktues në zgjedhjet e deritanishme, që pas largimit nga Partia Socialiste. 2003-2005 ka qenë përcaktuese për kryeministrin e ardhshëm dhe përcaktimin e kryebashkiakut, respektivisht, ashtu si dhe në 2007-2009 ku për zgjedhjet lokale kemi parë bashkimin e fundit të së majtës, duke vendosur bindshëm në fitoren e kryebashkiakut, ndërsa në qeverisje sërish u bë determinante për mbajtjen e Berishës në pushtet. Mjafton të bëjmë një krahasim mes 2007 dhe 2011, ku në zgjedhje lokale kemi parë një LSI “aleate” dhe “kundërshtare”, faktor deciziv në të dy rastet, njëherë pozitivisht për të majtën, herën tjetër negativisht”, deklaroi Eduard Zaloshnja.

“Besoj se kjo është një zgjedhje me peshë për Partinë Socialiste, e cila duket se është dorëzuar disi, pasi nga një prokuror ndëshkimi për shëndetësinë, energjitikën, ekonominë, etj, dikastere këto të drejtuara nga ministrat e LSI-së, është kthyer tashmë në një nevojtar për afrimin në koalicion të LSI-së. E rëndësishme është se kush do ta bëjë lokomotivën më të gjatë, dhe kush do të jetë lideri i saj, i cili do të ketë në dorë bërjen e qeverisë, pavarësisht nëse është ky lider i partisë me më shumë vota, apo jo”, komentoi Adri Nurellari.

Shpëtim Nazarko ka komentuar më pas, lidhur me shanset e së ardhmes për LSI-në. “Besoj se pas 2010-s, Berisha ka humbur legjitimitetin me Europën. Është mëse e dukshme se qeveria e tanishme, bashkë me LSI-në në pushtet, ka falimentuar. Kjo qeveri ka patur më shumë para në duar se sa cdo qeveri tjetër, ndaj dhe besoj se LSI-ja, qoftë edhe nëse në 23 qershor Berisha do të jetë me 70 deputetë, nuk do të mund të zgjedhë sërish kalimin te e djathta, pasi e di shumë mirë se nuk mund të luajë kartat e fatit të vet politik, me një qeveri me arkën bosh”.

“Dua të theksoj, për të gjithë ata që thonë se LSI mori zemrat e majta në 2009 për të mbajtur në pushtet Berishën apo për t’i kaluar djathtas. Ne nuk premtuam se do të sillnim Ramën në pushtet, por pas rezultateve zgjedhore lindi një opsion zgjidhjeje, e cila bazohej mbi interesat e personave individualë. Dua të them se ato vota janë të LSI-së dhe janë të konfirmuara në të gjitha zgjedhjet, ku LSI ka marrë pjesë. LSI ka një fizionomi të vetën politike dhe një funksion politik real, ndaj zgjedhësit besojnë te alternativa jonë për të ardhmen e Shqipërisë. Ato vota kompakte të LSI-së, qoftë edhe në zgjedhjet e ardhshme, nuk do t’i përdorim për të ngopur interesat personale të individëve të caktuar”, theksoi Luan Rama.

“Mendoj se ende popullata është e detyruar të dalë në mbrojtje të bindjeve politike, pasi nuk ka as sindikata, as mbrojtje sociale. Besoj se bashkëpunimi PS-LSI do të jetë tepër afatshkurtër, personalisht jam partizan i polit të tretë, i cili do të kishte këtë të mirë: PS-AK, FRD-LSI-PBDNJ, do të bënte që PS të kishte më shumë komisionerë dhe do të ndalte Berishën të vidhte, sadopak vota. Kam përshtypjen se kjo do të ishte e keqja më e madhe për Berishën, por Rama po gabon si në 2009-n, si pragmatist që është. Kjo vjen si pasojë e sistemit të gabuar, duke qenë se si politikan s’ka eksperiencë dhe dikush mund ta ketë gënjyer, por edhe e ambicies së tij për ta fituar lojën pastër”, u shpreh Shpëtim Nazarko.

“Një vit pas daljes në opozitë, nisi bojkotet e konfliktet mes dy poleve, duke qenë një minus për Shqipërinë, qoftë me imazhin, edhe me bllokimin e procesit të integrimit. Besoj se tani është dicka pozitive, kjo që po ndodh, pasi Rama heq dorë nga qeverisja me patos, duke mos u bërë thirrje votuesve për të shkuar në votime kundër një individi. Ka ardhur koha që të ftohen debatet politike dhe gjakrat, që kanë qenë disi të skajshme, duke dalë në dobishmëri të Shqipërisë. Ne si PDIU do të shkojmë në koalicionin parazgjedhor, me atë forcë politike që do të na mundësojë zbatimin e programit tonë politik dhe për maksimizimin e peshës tonë politike. Kemi si qëllim kryesor që të votohet rezoluta came dhe, ajo forcë që do ta bëjë këtë gjë, mund të marrë më shumë vëmendjen tonë për koalicion në të ardhmen”, shtoi Nazarko.

“Në 100 vjet shtet kemi bërë vetëm 1 palë zgjedhje normale, që kanë sjellë rotacion dhe duhet të synojmë të bëjmë edhe zgjedhjet e radhës, për të shkuar me kërkesa super të skajshme, kryesore është të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi gjithmonë kemi ndryshuar qeveritë me gjakra e me tensione politike. Do të ishte mirë sikur të mos kishte pasur as 21 janar, as videopërgjime, as Edi Rama ka bërë këto ndërtime pa leje, por të vlerësoheshin programet, të vlerësoheshin taksat, të vlerësoheshin ofertat se kush do të bëjë më mirë për Shqipërinë. E shoh si shqetësim të madh, që një vend, i cili kërkon të futet në Europë, të mos sigurojë një rotacion politik normal. Pavarësisht se unë kam qenë dikur në themelim e Partisë Demokratike, tashmë nuk jam në interesin e askujt, vetëm se mund të rikthehem një ditë atje, me kusht që të dalë në pension ndonjë nga pleqtë aktualë”, bëri sërish thirrje për zgjedhje të ndershme, zoti Zaloshnja.

“Për fat të keq, politika shqiptare ka qenë arti i të pamundurës, për shkaqe të ndryshme si dhe prej disa figurave individuale në politikë, gjatë gjithë kësaj historie politike. LSI ka treguar se, gjatë gjithë kohës që ka funksionuar si parti, ka si qëllim të bëjë zgjedhjen politike të kushtëzuar nga interesi i qytetarëve shqiptarë, pasi vetëm këta mund të vendosin nëse do të jetë e nevojshme një rotacion politik apo jo. Vetëm pas verdiktit të tyre në 23 qershor, atëherë do të mund të bëhen komente. Edhe kur LSI vendosi të bashkëqeveriste me PD-në, u pa sikur do përmbysej bota, por në fakt kemi qeverisur me një rezultat në terma të përgjithshëm pozitiv. Shqipëria sot është më Europiane, sesa para 4 vjetësh, ka institucione më të konsoliduara sesa para 4 vjetësh, ndërsa qytetarët shqiptarë janë më europianë nga e njëjta periudhë e 4 viteve më parë. Megjithatë LSI ka një horizont më të largët, më të kthjellët për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj dhe jemi të kërkuar nga të gjitha palët. Ne preferojmë të ecim me këtë ritëm, duke vënë pengesa me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, vetëm me synimin për të bërë realitet ëndrrën e parealizuar deri më sot. Reflektimi i parë ka ardhur sot nga lidershipi i PS-së, por që të marrë një përgjigje tonën, duhet të kjo ftesë të ketë për bazë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe integrimin europian, jo interesat personale të dikujt. Kemi parë një ndryshim kursi të Partisë Socialiste, pas reflektimeve me gabimet e së kaluarës, por oferta kur bëhet duhet të sillet me motivet, interesat, bazat mbështetëse për një koalicion apo bashkim parazgjedhor. Përgjigja do të vijë pas shqyrtimeve, me forumet dhe strukturat drejtuese të LSI-së”, shpjegoi Luan Rama.

“Administratori më i mirë dhe më i urtë i këtyre 20 viteve ka qenë Edi Rama, dhe këtë e ka treguar me Tiranën, pasi nëse dikush do t’ia vidhte votat sy ndër sy, nëse dikush do t’i vriste dikujt tjetër 4 protestues, apo shumë gjëra të tjera që kanë ndodhur në realitetin shqiptar, nuk do të mund të kthehej sërish i qetë në shtëpinë e tij, e megjithatë si politikan është pragmatist dhe besoj se do të dalë i humbur nga kjo lëvizje e fundit”, përfundoi diskutimin Shpëtim Nazarko.

Top Channel