Të rinjtë në Shkozë dhe lojërat e fatit

02/04/2013 18:30

Të rritesh në kryeqytet është fat. Jeta urbane ofron shumë mundësi për shkollim, argëtim apo për mbështetjen e talenteve të reja në fusha të ndryshme, por jo të gjithë e kanë këtë mundësi.

Zonat periferike të Tiranës shpesh herë janë konsideruar si “geto”, ku mungesa e alternativave për fëmijët dhe të rinjtë bën që të krijohen shumë probleme sociale.

Bixhozi, lojërat elektronike apo pikat e internetit mbeten e vetmja formë argëtimi për adoleshentët edhe pse në mënyrë të pandërgjegjshme këto “variante” i çojnë drejt rrugës së vesit dhe nevojës për të siguruar para’ vazhdimisht. E tillë paraqitet situata në zonën e Shkozës, shumë pak kilometra larg qendrës së metropolit.
“Jeta në Shkozë janë bastet sportive, playstation-i, bixhozi dhe interneti. Nuk ke çfarë bën tjetër. Lojërat e fatit dhe bastet sportive janë alternativa e vetme”, shprehet një i ri.

Në periferi djemtë e mbushin kohën duke vënë skedina, duke luajtur bilardo apo me qëndrime të gjata në pikat e internetit. Shkolla zë vetëm një pjesë të ditës, ndërsa pjesën tjetër e “pushton” argëtimi alternativ.

“Shumë fëmijë luajnë playstation nga dy orë, ndërsa më të mëdhenjtë rrinë më shumë sepse janë pa punë”, shprehet administratori i një pike video-lojërash.

Nëse djemtë e kanë një mundësi për të kaluar kohën, vajzat e periferisë, përveç shkollës dhe punëve të shtëpisë, nuk kanë asnjë alternativë tjetër. Aq normale është bërë kjo situatë, saqë shprehja “kështu bëhet prej kohësh” duket si refren. Theodhora është një vajzë në klasën e tetë në shkollën “Androkli Kostallari”, në Shkozë. Ajo ka një vit që është shpërngulur me familjen e saj nga Greqia, por e ka patur të vështirë të përballet me stilin e ri të jetesës: “E kisha të vështirë përshtatjen në fillim pasi këtu është një ambient tjetër. Kaloj 6 orë në shkollë, pastaj vij në shtëpi dhe bëj punët. Luaj me telefon ose laptop dhe dal shumë rrallë sepse nuk ka shumë aktivitete.”

Pikat e basteve sportive, kazinotë dhe sallat e internetit janë dëshmia e hovit që ka marrë industria e lojërave të fatit në zonat afër Tiranës. Të dhënat tregojnë se aktualisht çdo shqiptar shpenzon në bixhoz mesatarisht rreth 6570 lekë në vit. Por, ky është vetëm tregu legal i lojërave të fatit. Ekspertët e cilësojnë kumarin si sëmundja e vendeve të varfra, ku individë të dëshpëruar nga gjendja e vështirë ekonomike joshen. Kur loja shndërrohet në varësi të ngjashme me drogën, efektet e saj janë shkatërruese në rrafshin ekonomik, shoqëror e familjar, fenomen i cili mbetet variant i vetëm për të rinjtë në jetën rurale.

Adoleshentët në Kamëz

Një tjetër zonë periferike ku mungojnë alternativat për fëmijët dhe të rinjtë është Kamza. Vetëm 12 kilometra larg Tiranës, në “Valiasin e Ri” jeton familja Cumaraku, e ardhur nga Puka disa vite më parë.

Kur la qytetin verior, familja shpresonte për jetesë më të mirë për fëmijët e saj, por pritshmëritë u zbehën disi në realitetin e zymtë të Kamzës. Kryefamiljari Zef Cumaraku është i ndërgjegjshëm se pesë fëmijët e tij janë pa asnjë mundësi argëtimi apo zhvillimi në zonën rurale, por sërish është përpjekur që t’i mbajë ata larg “rrugëve të këqija”. Ai pranon se për të rinjtë Kamza është një zonë e “vdekur”, pasi përveç shkollës, asnjë aktivitet tjetër nuk mbush ditët e adoleshentëve.

“Fëmijët e mi e kalojnë kohën me telenovela ose duke luajtur shah me njëri-tjetrin. Këtu ka mungesë kënde lojërash. Duhet pasur kujdes sepse nëse do e lejosh fëmijën të lëvizë i lirë, mund të futet në rrugë të keqe”, shprehet kryefamiljari.

Tre fëmijët e mëdhenj të Zefit, janë në shkollën 9-vjeçare, të mesmen dhe të lartën. Klismani, djali i dytë është nxënës në shkollën e mesme “Ibrahim Rugova”. Dita e tij mbushet vetëm me aktivitetet e kishës, ndonjë lojë shahu dhe shkollë: “Njerëzit në Kamëz qëndrojnë më shumë në shtëpi ose rrinë në pikat e basteve sportive. Gjithashtu ka shumë internet-kafe.”

Gentiana është vajza e tretë e Zefit. I gjithë aktiviteti i saj ditor është organizuar me shkollën, punët e shtëpisë dhe qëndrimi përpara televizorit për orë të tëra. 15-vjeçarja, nxënëse në shkollën “Demokracia” do donte të kishte më shumë aktivitete për të rinjtë: “Jo vetëm unë, por të gjitha vajzat e Kamzës e kalojnë kohën në shtëpi dhe dalin vetëm për shkollë.”

Ata nuk kanë faj që jetojnë në Kamëz, nuk kanë faj se varfëria është pjesë e realitetit të zonës dhe alternativat për të rinjtë numërohen me gishtat e një dore. Të vetmit që duket se kanë shfrytëzuar mungesën e alternativave janë administratorët e pikave të basteve apo qendrave të internetit të cilat kanë lulëzuar si kërpudhat pas shiut.

Adoleshentët në botë

Vendet e zhvilluara paraqesin një tjetër pasqyrë për adoleshentët e zonave rurale. Paçka se jetojnë në periferi, politikat sociale të shteteve perëndimore synojnë që jeta periferike dhe ajo urbane të mos kenë ndonjë diferencë të madhe në mundësi.

Rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e të rinjve luajnë shkollat dhe komuniteti. Që në cilklin e ulët të studimeve, përveç aktiviteteve shkollore, një i ri perëndimor merret me zhvillimin e aftësive personale në drejtime të ndryshme duke mos u lënë kohë të lirë për gjëra të tjera. Politikat sociale në këto vende mbështesin të rinjtë në çdo etapë zhvillimi pasi në këtë mënyrë mbajnë nën kontroll nivelin e kriminalitetit dhe krijojnë një shoqëri më të qetë. Paçka zhvillimit ekonomik, edhe në perëndim është e pamundur të shmanget krijimi i “getove”, por politikat e ndjekura mund të bëjnë që shifrat të mbahen në vlera minimale pa krijuar probleme të mëdha.

Të dhënat e Eurostatit monitorojnë çdo vit mënyrën sesi të rinjtë e 27 vendeve të BE-së kalojnë kohën. Këto të dhëna më pas përdoren për ndërtimin e politikave rinore. Sipas studimeve, vendet që kanë probleme ekonomike, priren që të provojnë fatin me forma nga më të ndryshmet. Kjo karakteristikë është vënë re në shumë vende ish-komuniste të cilat boshllëkun e pronës kolektive e mbushën shpejt me “provat” e fatit. Dëshira për pasurim të shpejtë, varfëria, mungesa e alternativave, bën që fati të kërkohet me ngulm. Në perëndim, legjislacioni është shumë i rreptë për moshën e frekuentimit të pikave të basteve.

Nëse je nën 18 vjeç nuk mundesh t’i afrohesh një pike llotoje. I tillë është legjislacioni edhe në Shqipëri, por faktet flasin se shpeshherë kjo gjë nuk zbatohet.

Top Channel