Dyshime mbi cilësinë e miellit në furrat e bukës

01/04/2013 00:00

Përveç drithërave në përgjithësi, të cilat i importojmë nga jashtë, edhe
miellin, produktin bazë për prodhimet e brumit Shqipëria e importon nga
jashtë. Sipas statistikave të Drejtorisë së Doganave, por edhe
Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit rezulton se brenda
një viti importojmë nga 30 mijë deri në 40 mijë tonë miell.

Këto janë statistika zyrtare të institucioneve, pa përfshirë këtu dyshimet për sasinë e miellit që hyn pa u zhdoganuar. E gjithë kjo sasi mielli do të kalojë në sitën e Ministrisë së Bujqësisë për nivelin e aflatoksinës.

Ky do të jetë kontrolli rutinë në pikat kufitare, ndërkohë që Autoriteti i Mbrojtjes së Konsumatorit do të kontrollojë miellin në pushishtet e produkteve të brumit, kryesisht bukëbërësit për miellin që përdorin. Ka dyshime si për metalet e rënda ashtu edhe për cilësinë e këtij produkti bazë për prodhimet e bukës, brumit, baza e vakteve të shumicës së shqiptarëve.

Autoriteti kombëtar i ushqimit ka mbyllur disa biznese, ndërsa ka gjobitur dhjetëra të tjerë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjobat kanë qenë për cilësi të ulët të miellit, për mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe për kushtet tekniko-teknologjike. Penalizime ka pasur edhe për kushtet e ambalazhimit dhe etiketimit.

Sipas subjekteve të gjobitura dhe penalizuara, kontrolli dhe penalizimet për biznesin e vogël kanë ardhur pasi biznesi i madh, si në rastin e qumështit, kërkon standarde dhe analiza të hollësishme për kontroll dhe inspektim. Ndërkohë që biznesi i vogël është më lehtë i kontrollueshëm dhe mund të penalizohet më thjeshtë. Bazuar në planin e inspektimit të furrave të bukës, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë periudhës 13 shkurt–1 mars 2013 kanë kryer 513 inspektime me objekt “Kontrollin mbi kushtet e përgjithshme dhe specifike të higjienës, kushtet tekniko-teknologjike, ambalazhimin dhe etiketimin, standardet e përdorura për prodhimin e bukës”. Këto inspektime janë kryer në 12 qarqe të vendit dhe për çdo shkelje të konstatuar janë vendosur penalizimet apo rekomandimet përkatëse ligjore. Gjatë kontrolleve janë marrë rreth 60 mostra për analizimin e lagështirës, ujit, kripës së jodizuar cilësisë së miellit.

Sakaq, pavarësisht se ligji për përdorimin e letrës si ambalazh për bukën ka hyrë në fuqi prej shtatë muajsh, ai ende nuk po gjen zbatim në qytetin e Korçës. Vetëm një pjesë e vogël e furrave kanë kryer zëvendësimin e qeses, ndërsa pjesa tjetër as që e ka marrë në konsideratë këtë detyrim ligjor.

Gazeta “Shqip”

Top Channel