“Gazprom”, interes për “Albpetrol”

29/03/2013 00:00

Ambasadori rus në Shqipëri, Leonid Grigorieviç Abramov ka deklaruar se kolosi rus i naftës, “Gazprom” është i interesuar të investojë në vendin tonë.

Në një konferencë për shtyp, Abramov ka bërë me dije se kompania prestigjoze ruse shpreson në një bashkëpunim të leverdisshëm me Shqipërinë.

“Ju siguroj se “Gazprom” është e interesuar që bashkëpunimi me Shqipërinë të jetë i leverdisshëm në mënyrë të ndërsjelltë. Nëse qeveria e re që do dalë nga zgjedhjet parlamentare të sivjetshme do të mbajë qëndrim konstruktiv, ne do jemi të gatshëm të shikojmë mundësinë e pjesëmarrjes në tenderin e “Albpetrolit””, ka deklaruar Abramov.

Ai ka theksuar se ambasada ruse në Tiranë, sikurse cdo ambasadë ruse në vendet e tjera të botës, përpiqet që të afrojë investitorët në Shqipëri. Turizmi, sipas tij, është një nga fushat e preferuara të kompanive ruse.

“Mund të them se për një gjë të tillë po mendohet dhe ka tre kompani ruse të intresuara për të shtuar numrin e turistëve rusë gjatë 2013-ës. Pengesa politike këtu nuk kemi”, ka thënë ambasadori.

I pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e Kosovës dhe mosnjohjen e saj nga Rusia, Abramov ka thënë se, është e drejtë e çdo shteti të vendosë në bazë të interesave të tij.

Ai ka shprehur mbështetjen e Moskës për dialogun e ndërmjetësuar nga BE, ndërkohë që është shprehur kundër nacionalizmit, fenomen që sipas tij mund të çojë në ndryshimin e kufijve.

“Patriotizmi është diçka e kuptueshme dhe për ne. Ndërsa nacionalizmi është i rrezikshëm se mund të kalojë tek çështja e ndryshimit të kufijve. Kategorikisht kjo është e papranueshme, duke marrë parasysh termin e sallatës ballkanase dhe terrenin e paqëndrueshëm. Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë ka thënë më herët se është diçka e papranueshme jo vetëm për interesat e Rusisë, por edhe të çdo shteti tjetër”, ka shtuar Abramov.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA