Konferenca Rajonale për prezantimin e programit për një Rilindje Shqiptare, organizuar nga PS në qytetin e Patosit është fokusuar në fushën e naftës dhe hidrokarbureve.
Kryetari Edi Rama foli me nota të forta kritike në adresë të qeverisisë, për atë që ai e quajti pseudo privatizim të “Albetrolit”, që dështoi dhe askush nuk mbajti përgjegjësi.
“Për ne do kishte mjaftuar vetëm pseudoprivatizimi i “Albpetrolit” për të ndërmarrë një nismë të plotë hetimi dhe gjykimi dhe për të parë prapa hekurave ata që morën pjesë në këtë mashtrim të popullit shqiptar, duke filluar qoftë nga ata që e projektuan nga ana e qeverisë, qoftë nga ata që vepruan si sekserë, qoftë nga ata që mashtruan shqiptarët me atë ofertë fiktive”, deklaroi Rama.
Kryetari i PS premtoi nisjen e një kapitulli të ri në sektorin e naftës pas 23 qershorit, duke bërë propozime konkrete.
“Brenda 300 ditësh ne do të realizojmë një ekspertizë të plotë ekonomike dhe financiare nga një grup ekspertësh vendas e të huaj, që të ndërtojmë një politikë qeverisëse të aftë që të rristë investimet në kërkim-zbulim dhe që të kontrollojë me rigorozitet kontratat për shfrytëzimin e hidrokarbureve”, nënvizoi Rama.
Top Channel