Arabia Saudite kundër “Skype”

26/03/2013 16:30

Shërbime si “Skype”, “Viber” ose “WhatsApp”mund të mbyllen përfundimisht në Arabinë Saudite, informoi ditën e martë rrjeti “Al-Jazeera”.

Secili prej këtyre shërbimeve përdor një protokoll kodimi, në mesazhet e të gjithë përdoruesve të tij, duke e bërë të pamundur për një palë të tretë që të ketë akses në komunikim.

Në një vend si Arabia Saudite, ku censura është e ligjëruar nga autoritetet, një liri e tillë komunikimi nuk shihet me sy të mirë.

Sipas raportimit, tre kompanive ndërkombëtare u është dhënë një javë kohë për t’u përgjigjur, përpara se të mbyllen.

Disa vite më parë, Arabia Saudite bllokoi shërbimin e mesazhit të “Blackberry”, pa dhënë shumë shpjegime për këtë veprim.

Një aktivist saudit, tha ndërkohë në një blog se bllokimi potencial i “Skype”, “WhatsApp” apo “Viber” nuk motivohet vetëm nga qëllimi i censurës, por edhe nga motive ekonomike, pasi kompani vendase duket se po punojnë për të zotëruar këtë treg fitimprurës, pas bllokimit.

Eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe vendi me rezervat e dyta më të mëdha të mbetura, Arabia Saudite është shtëpi e 30 milionë banorëve, me shumicë dërrmuese sunite.

Nën pushtetin e Mbretit Abdullah bin Abdul Aziz, Arabia Saudite udhëhiqet në sistemin e saj juridik nga ligjet islamike, të njohura ndryshe si “Sheriati”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA