Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rikonstruksionin e një sërë rrugësh dytësore njëherësh në kryeqytet, ndërkohë që ka lënë pas dore ato kryesore.

Të asfaltuara vite më parë, rrugët kryesore janë të amortizuara vende-vende e askush nuk kujdeset për t’i mirëmbajtuar ato.

Në Bulevardin “Zogu i parë”, pllakat kanë lëvizur në pjesë të ndryshme të rrugës. Drejtuesit e automjeteve duhet të kujdesen, që rrota e makinës të mos kapë ndonjë cep të pllakës së lëvizur, pasi në rastin më të mirë do të kërcejë t’i thyejë ndonjë xham automjetit të tij, ose të tjetrit në krah, por në rastin më të keq, pa dashje mund të lëndojë kalimtarët në trotuar.

Dëmtime të tilla konstatohen përgjatë gjithë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por kjo gjë nuk u bie aspak në sy drejtuesve të Bashkisë, të cilët kalojnë çdo ditë në të, e aq më pak punonjësve të ndërmarrjes së mirëmbajtjes, të cilët duhet të jenë të përditshëm në rrugët që janë shtruar më parë.

Tanimë duket se jemi kthyer si shumë vite më parë, kur rrugët e Tiranës ishin me gropa dhe baltë. Reshjet e shiut kanë bërë që balta të sundojë, jo vetëm në ato rrugë ku punohet, por edhe më tej, duke u shndërruar në shqetësim serioz për banorët deri në përfundimin e tyre, që, me sa duket, do të inaugurohen vetëm në prag të zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit.

Top Channel