Irani: Zhdukim Izraelin nëse na sulmon

21/03/2013 00:00

Në vizitën e zyrtare në Izrael presidenti amerikan Barack Obama u kujdes të ritheksojë mbështetjen amerikane për atë që si ai, si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e quajtën “të drejtë të ligjshme të Izraelit për t’u vetëmbrojtur”.

Kjo e drejtë nga shumë ekspertë dhe analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare interpretohet si vendosmëri për të mos lejuar Iranin, kërcënimin kryesor të Izraelit, të ndërtojë bombën bërthamore.

Por në kohën kur bisedimet diplomatike dhe sanksionet ndërkombëtare nuk po e ndalin Teheranin, a do të jetë ndërhyrja ushtarake zgjidhja e fundit? Vetë presidenti Obama tha se ka ende “një fije” shpresë për diplomacinë dhe për Iranin për të ecur, në atë që ai e quajti “derë të paqes”.

Megjithatë, duke u nisur nga përvojat e mëparëshme të këtyre bisedimeve, Obama paralajmëroi një dështim të mundshëm edhe kësaj here teksa tha:

“Ne jemi të vetëdijshëm, nisur nga qendrimet e mëparëshme të Teheranit se gjetja e një zgjidhje në rrugë paqësore është e vështirë, por gjithsesi do të përpiqemi”.

Uashingtoni thotë se Iranit i duhet të paktën edhe një vit për të zhvilluar aftësitë për ndërtimin e një bombe bërthamore, Izraeli këmbëngul për më pak. Sipas Tel Avivit, Republika Islamike mund të ndërtojë bombën e saj bërthamore në vjeshtë të këtij viti.

Vjeshta e këtij viti është edhe ajo që Netanyahu e quajti “tejkalim të kufirit” dhe në mënyrë skematike para OKB-së në shtator të vitit të kaluar paralajmëroi se Izraeli nuk do të lëshojë pe në këtë pikë.

Menjëherë pas kësaj deklarate në media nisën hamendësimet për një sulm të mundshëm izraelit ndaj Iranit. U fol për kohën dhe mënyrën se si do të mbahej. Në Izrael mediat paralajmëruan një sulm ajror ku në shënjestër do të ishin centralet bërthamore iraniane.

Sa pranë është ky skenar? Me ashpërsimin e gjuhës diplomatike dhe me vendosmërinë e Iranit për të mos hequr dorë prej programit të tij bërthamor, të cilin ky i fundit thotë se është tërësisht për qëllime paqësore, dita e sulmit duket se afrohet gjithnjë e më shumë.

Një mundësi e tillë u la e hapur edhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes presidentit Obama dhe kryeministrit Netanyahu ditën e mërkurë. Por një ditë më pas Irani reagon duke deklaruar se “do të shkrumbojë Tel Avivin dhe Haifan” dy qytetet më të mëdha izraelite, nëse sulmohet nga Izraeli.

Deklarata është lëshuar nga vetë Ajatollahu Khamenei. “Nëse Izraeli na sulmon do të shkrumbojmë Tel Avivin dhe Haifan”, ishte deklarata e liderit suprem me rastin e nisjes së vitit të ri iranian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA