Strehimi i muxhahedinëve, reagon Ashton

20/03/2013 22:40

Bashkimi Europian mirëpriti vendimin e qeverisë shqiptare, për të strehuar 210 muxhahedinët e kampit Hurriya në Irak, dhe i inkurajon këta të fundit ta pranojnë këtë ofertë.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE tregoi mbështetjen e saj për zgjidhjen përfundimtare të situatës së muxhahedinëve të grupit MEK.

“Vendosja e përhershme jashtë Irakut është zgjidhja e vetme”, përsërit Ashton qëndrimin e SHBA-ve dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë çështje.

“I bëj thirrje udhëheqësve të MEK dhe rezidentëve të përgjigjen pozitivisht ndaj ofertës së bërë nga qeveria shqiptare”, thekson më tej Baronesha, duke inkurajuar vijimin e intervistave për azil.

Në përfundim, Catherine Ashton i kujton Irakut përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e banorëve në kampet Ashraf dhe Hurriya, siç i detyron Memorandumi i Dhjetorit 2011 me Kombet e Bashkuara.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel