Iniciativa “Drejtues për një ditë”

20/03/2013 22:05

Kryeministri Berisha ishte pjesë e iniciativës “Drejtues për një ditë”, të organizuar nga rrjeti “Junior Achievement of Albania”.

Pas takimit me përfaqësues të të rinjve të këtij rrjeti, kryeministri Berisha përshëndeti pasdite një takim të gjerë të programit, ku vlerësoi angazhimin e energjisë, mendjes dhe vizionit të të rinjve, si forcë pune në sipërmarrjen e lirë.

Kryeministri e konsideroi iniciativën “Drejtues për një ditë”, një mekanizëm shumë të fuqishëm për orientimin e të rinjve drejt tregut të punës.

Programi shërben si një platformë për të ndërlidhur të rinjtë e rrjetit, me drejtues dhe liderë në sektorin publik dhe privat.

Në vitin akademik 2012-2013, programi u lançua në 53 shkolla të mesme të vendit, por kryeministri premtoi se, në të ardhmen, qeveria do ta shtrijë atë në të gjitha shkollat e vendit.

Organizata më e madhe në botë, dedikuar edukimit të të rinjve për aftësim pune, u themelua në Shqipëri në prill të vitit 2012. Partneri kryesor i saj është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe vepron përmes partneritetit zyrtar me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Top Channel